Të fundit | Deklarata e vjetër e avokatit të Thaçit paraqitet rrejshëm si “lajmi i fund… Të fundit | Çka dihet për pretendimin se mjete ushtarake serbe po lëvizin drejt kufirit… Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të… Të fundit | Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin g… Të fundit | Dhjetë burime që hedhin poshtë teoritë konspirative për 11 Shtatorin Të fundit | Vazhdon narrativa ruso-serbe për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova Të fundit | Mihali nuk ka bërë krahasimin mes Listës Serbe dhe nënkryetarëve të PDK-së… Të fundit | Kur temat sociale bëhen karrem për klikime Të fundit | Mbishkrimet nuk e tregojnë se vendimi për këto shtesa është marrë në Greqi
[ ARTIKULLI ]

Paralajmërimi për rritje të shtesave në 90 euro në muaj nuk vlen për secilin fëmijë

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Në median sociale TikTok janë gjetur të publikuara disa postime lidhur me premtimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me rritjen e shtesave për fëmijë.

Në këto postime pretendohet se kush ka 1 fëmijë, do të përfitojë nga 90 euro në muaj, kush ka 2 fëmijë do përfitojë gjithsej 180 euro.

Postimet u gjetën të publikuara në TikTok nga llogaritë “bajrush.kurti0” dhe “halitdardania”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i pasaktë.


FAKTET

E vërteta është se 90-euroshi është premtim i Lëvizjes Vetëvendosje vetëm për një pjesë të fëmijëve nën 16 vjeç dhe jo për të gjithë. Bëhet fjalë vetëm për familjet me tre e më shumë fëmijë. Pjesa tjetër e fëmijëve, te familjet që kanë nga 1 ose 2 fëmijë, sipas premtimit, do të merrnin nga 60 euro në muaj.

Çka premtoi Kurti?

Më 16 dhjetor, Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim për të prezantuar “planprogramin për mandatin e ardhshëm qeverisës”. Kurti atëkohë premtoi dyfishimin e shtesave për fëmijët, por nuk tha të gjitha shtesat do të bëhen nga 90 euro në muaj. (Shih këtu deklaratën e shkëputur të Kurtit nga minuta 25:00)

“Shtesat për fëmijë i kemi gjetur zero euro, që do të thotë se nuk i kemi gjetur fare. Sot janë 30 deri 45 euro për çdo fëmijë, ndërkaq në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë shtesat për fëmijë. Pra, në mandatin e tanishëm nga 0 në 45 euro, dhe në mandatin e ardhshëm nga 45 në 90 euro për fëmijë. E të dashur qytetarë, me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijë. Edhe për nënat lehona kemi vepruar me përkushtim. Fillimisht i nisëm shtesat me 170 euro në muaj, pastaj i rritëm në 325.9 euro sivjet ndërkaq në fillim të mandatit të ardhshëm do t’i bëjmë e 500 euro në muaj për gjashtë muaj sepse aq do të bëhet edhe paga minimale në vendin tonë. Pra, 6 muaj nga 500 euro bëjnë 3000 euro për secilën nënë lehonë të papunë përveç shtesave mujore për fëmijët që jepen në emër të nënës, përkatësisht në xhirollogarinë e nënës”.


Aktualisht, shtesat mujore janë 30 euro për fëmijë për familjet me 1 ose 2 fëmijë dhe 45 euro për secilin fëmijë të familjes me nga 3 ose më shumë fëmijë.

Premtimi i Kurtit është për dyfishim të vlerës së shtesave. Pra, nga 30 në 60 euro për fëmijët e familjeve me 1 ose 2 fëmijë dhe nga 45 në 90 euro për secilin fëmijë të familjes me nga 3 ose më shumë fëmijë.


Çka solli deri te këto përmbajtje keqinformuese?

Hekuran Murati, kandidat i LVV-së për deputet dhe që në qeverinë e shkuar ishte ministër i Financave, në një shkrim në Facebook më 17 dhjetor, ka thënë se për “secilin fëmijë, shteti do t’i japë mbi 20 mijë euro që nga lindja e deri në moshën 16-vjeçare”.


Përllogaritje të tillë ka bërë edhe kandidatja për deputete nga radhët e LVV-së, Fitore Pacolli. Edhe ajo në Facebook ka kryer llogaritje vetëm me rastet e fëmijëve që do të merrnin nga 90 euro, e në fund të përllogaritjes ka thënë se kjo vlen për “çdo nënë”.


Hibrid.info, më herët ka trajtuar pretendimet e Muratit e Pacollit. (lexo këtu artikullin e plotë)


Edhe në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, në seksionin “FAMILJA” specifikohet se “Në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë shtesat për fëmijë. Pra, nga 30 në 60 euro dhe nga 45 në 90 euro për çdo fëmijë”.


Analiza:

Përmes postimeve në TikTok po pretendohet se shtesat për fëmijë do të rriten në 90 euro në muaj për çdo fëmijë, apo 180 euro për familjet me dy fëmijë. Ky pretendim është i pasaktë.

Faktet tregojnë se premtimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe i Lëvizjes Vetëvendosje ka të bëjë me dyfishimin e shtesave ekzistuese, jo me barazimin e tyre për të gjithë fëmijët në 90 euro. Aktualisht, shtesat janë 30 euro për fëmijë në familjet me një ose dy fëmijë dhe 45 euro për secilin fëmijë në familjet me tre ose më shumë fëmijë.

Sipas premtimit, i cili gjendet edhe në programin e publikuar nga LVV, në mandatin e ardhshëm qeverisës fëmijët e familjeve me 1 ose 2 fëmijë do të përfitojnë nga 60 euro në muaj për çdo fëmijë, ndërsa familjet me 3 ose më shumë fëmijë do të përfitojnë 90 euro në muaj për çdo fëmijë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim në TikTok si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere