Të fundit | Takimi Kurti-Barbano përdoret për të ngritur pretendime të pabazuara për ba… Të fundit | Ripublikohet pretendimi i pabazë për pasuri qindramilionëshe në Qipro të is… Të fundit | Lushtaku nuk ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja, bëhet fjalë për paralajmërim në… Të fundit | Pretendim i pabazë se zyra e UÇPMB-së në Preshevë përdoret për “aktivitete… Të fundit | Televizioni slloven nuk raportoi se Martin Berishaj është shtetas i Serbisë Të fundit | PDK s’ka paraqitur ndonjë qëndrim të ri për koalicion me LVV-në Të fundit | Manipulimet e bazuara në të vërteta Të fundit | Arrestimet për dyshime për krime lufte paraqiten pa prova si ndëshkim ndaj… Të fundit | Rishikimi i javës: Teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Se… Të fundit | Keqinformatat për protestat në Shqipëri, të ndërlidhura dhe të shpërndara n…
[ ARTIKULLI ]

Takimi Kurti-Barbano përdoret për të ngritur pretendime të pabazuara për bashkëpunim të EULEX-it në “keqtrajtimin e serbëve”

FESTIM RIZANAJ

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Në një postim të publikuar në kanalin serb në Telegram Koridor” ka shpërndarë lajmin për takimin lamtumirës të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano. Mbi këtë takim, kanali ka ndërtuar një narrativë të pabazuar, duke pretenduar se EULEX bashkëpunon me institucionet e Kosovës në “torturimin” dhe “keqtrajtimin” e të burgosurve serbë.

Në postim thuhet se “nga burime të besueshme” serbët e burgosur në Kosovë vizitohen nga EULEX-i, i cili i pyet nëse keqtrajtohen nga “shqiptarët”, ndërsa pas këtyre vizitave, sipas pretendimit, “tortura dhe maltretimi bëhen edhe më të ashpra”. Më tej, EULEX-i akuzohet se “bashkëpunon me terroristët shqiptarë” në krime ndaj serbëve, ndërsa postimi përfundon me gjuhë nxitëse dhe dehumanizuese, duke bërë thirrje që të mos bëhet dallim mes shqiptarëve dhe pjesëtarëve të EULEX-it.

Çka ka ndodhur?

Më 17 qershor 2026, Zyra e Kryeministrit njoftoi se kryeministri në detyrë Albin Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e falënderoi për kontributin dhe shërbimin e tij. Në komunikatë thuhet se gjatë takimit u vlerësua roli i EULEX-it në mbështetje të institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për policinë, shërbimin korrektues dhe forenzikën, si dhe angazhimin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të viktimave.

Megjithatë, kanali “Koridor” e ka përdorur këtë lajm për të ndërtuar një narrativë krejtësisht tjetër, duke e paraqitur bashkëpunimin institucional ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it si dëshmi të pretenduar të një komploti kundër serbëve të burgosur, pa ofruar asnjë fakt apo provë që do ta mbështeste këtë pretendim.

Nuk ka prova për keqtrajtim sistematik të të burgosurve serbë

Pretendimi i kanalit në Telegram nuk shoqërohet me asnjë dëshmi të verifikueshme. Nuk paraqiten emra personash, raste konkrete, dokumente, raporte apo vendime të institucioneve vendore ose ndërkombëtare që do të provonin se të burgosurit serbë në Kosovë keqtrajtohen sistematikisht apo se EULEX është i përfshirë në një praktikë të tillë.

Përkundrazi, mandati aktual i EULEX-it është i fokusuar në monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, duke përfshirë edhe sistemin korrektues. Misioni monitoron respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut, trajtimin e personave të privuar nga liria dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare të EULEX-it, Njësia Korrektuese e këtij misioni ka realizuar mbi 1,150 vizita në institucionet korrektuese dhe zyrat e shërbimit sprovues, me qëllim monitorimin, këshillimin dhe mbështetjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës në përputhje me standardet evropiane dhe të drejtat e njeriut.

Po ashtu, EULEX thekson se në kuadër të mandatit të tij, vëmendje e veçantë i kushtohet të drejtës për liri, mbrojtjes nga tortura dhe keqtrajtimi, si dhe të drejtave të personave të burgosur.


Analiza

Postimi i kanalit “Koridor” nuk paraqet fakte, por përdor formulime të paqarta si “nga burime të besueshme”, pa i identifikuar ato dhe pa ofruar ndonjë provë të verifikueshme. Njëkohësisht, ai përdor gjuhë fyese dhe dehumanizuese ndaj shqiptarëve, duke i quajtur ata “terroristë”, si dhe nxit armiqësi ndaj pjesëtarëve të EULEX-it.

Publikimi i takimit ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe shefit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është përdorur si pretekst për të ndërtuar një narrativë të pabazuar, sipas së cilës EULEX-i dhe institucionet e Kosovës gjoja bashkëpunojnë në keqtrajtimin e serbëve të burgosur.

Megjithatë, nuk ekziston asnjë fakt i verifikuar që mbështet një pretendim të tillë. Përkundrazi, mandati i EULEX-it përfshin monitorimin e sistemit korrektues dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e personave të privuar nga liria.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere