Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Teoritë konspirative që vazhduan me dekada për sulmin e 11 shtatorit 2001

HIBRID

Teoritë e para konspirative për sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ishin shfaqur vetëm pak orë pas ngjarjes. Me rritjen e mediave sociale, teoritë kanë marrë hov e janë rritur edhe më shumë.

Raportet zyrtare të Komisionit të themeluar nga Kongresi për të hetuar rrethanat e sulmit të 11 shtatorit, agjencive qeveritare amerikane e grupeve të ekspertëve, kanë hedhur poshtë teoritë për ndonjë komplot.

Pavarësisht kësaj, grupe të aktivistëve në SHBA e vende të tjera, kanë thënë se faktet janë fshehur.


“Qeverisja botërore”

Rritja e lëvizjeve të reja konspirative online, si QAnon – ndjekësit e së cilës kanë pikëpamje tjetër, dhe besojnë që është një “Deep State” (shtet i thellë) amerikan përgjegjës për sulmin – kanë mbajtur gjallë teoritë dhe i kanë përçuar tek audiencat më të mëdha.

Ndër pretendimet që kanë qarkulluar ndër vite ka qenë ai kinse Qeveria e SHBA-së e ka inskenuar rastin apo se ka qenë në dijeni paraprakisht dhe e ka lejuar këtë.

Teoria përshtatet me besimin që “elita botërore” planifikojnë të kufizojnë liritë civile në përgjigje të sulmeve dhe të lehtësojnë krijimin e një qeverisjeje botërore autoritare.

Një pretendim që ka qarkulluar në internet ka qenë që “karburanti i avionëve nuk mund të shkrijë çelikun” duke sugjeruar që Kullat Binjake në New York ishin shembur nga eksplozivët.

Por sipas raportit zyrtar, aeroplanët që goditën ndërtesat shkaktuan dëme të konsiderueshme në të dyja mbështetëset e të dy kullave.

Për më shumë, zjarri besohet se ka mbërritur deri në 1000 gradë celsius në disa zona dhe ka deformuar trarët e çelikut e duke çuar në shembjen e madhe të ndërtesave.


Zjarret e pakontrolluara

Shembja e Qendrës Tregtare Botërore 7, një ndërtesë 47-katëshe fare afër Kullave Binjake, ka nxitur teori të shumta konspirative, disa prej të cilave janë në trend në rrjete sociale nëpër përvjetorë të 11 shtatorit.

Ndërtesa – e cila kishte zyrat e CIA-s, Departamentit të Mbrojtjes dhe Zyrës për Menaxhim Emergjent – u shemb pak pas Kullave Binjake, pa u goditur direkt nga aeroplanët.

Por në vitin 2008, një hetim trevjeçar nga Instituti Kombëtar i Standardeve dhe Teknologjisë konstatoi se ajo u shemb si pasojë e zjarreve të pakontrolluara dhe intensive që zgjatën për rreth shtatë orë – e që nisën nga mbetjet e rrëzimit të Kullës Veriore.


Viral

Raportimi i drejtpërdrejtë i korrespondentes së BBC News, Jane Stanley, për shembjen e Qendrës Botërore të Tregtisë 7, teksa ndërtesa ende shihej pas saj, u mor për bazë që të nxitej teoria konspirative se organizatat e mëdha mediatike ishin pjesë e komplotit të brendshëm. Vetë gazetarja më pas ka pranuar se ka gabuar (këtu).

Agjencia Reuters ka raportuar gabimisht për shembjen e ndërtesës, të cilin raportim e ka marrë edhe CNN-i, pak para raportimit direkt.

Reuters më pas ka përmirësuar gabimin – por videoja e raportimit bëhet shpesh viral edhe më shumë se dy dekada pas sulmit.


Aeroplan biznesi

Disa teori konspirative që kanë qarkulluar online kanë sugjeruar se raketa amerikane ishin hedhur në drejtim të Pentagonit, si pjesë e komplotit qeveritar, dhe se vrima në ndërtesë ishte shumë e vogël dhe nuk mund të shkaktohej nga një aeroplan për pasagjerë.

Por një anëtar i Shoqatës Amerikane të Inxhinierëve Civilë ka thënë për revistën “Popular Mechanics” se madhësia dhe forma e vrimës ishte për shkak se njëri krah i aeroplanit Boeing 757 ka goditur tokën dhe tjetri është copëtuar gjatë përplasjes me ndërtesën.

Ndërkohë, United Airlines Flight 93 u përplas afër Shanksvillet në Pennsylvania, pasi pasagjerët u përpoqën të marrin kontrollin e aeroplanit prej rrëmbyesve.

Teoritë online ishin se ai u hodh poshtë nga një avion i bardhë biznesi që fluturonte drejt një aeroporti afër.

Por zyrtarët e aviacionit i kishin kërkuar avionit të inspektonte zonën, gjë që e bëri, duke raportuar për një vrimë të madhe në tokë dhe se nga ajo po dilte tym.

Zëvendëspresidenti i asaj kohe, Dick Cheney, më vonë shpalosi në autobiografinë e tij se pas sulmit në Kullat Binjake, kishte urdhëruar hedhjen poshtë të çfarëdo aeroplani komercial që besohej se ishte rrëmbyer.

Në mesin e kaosit dhe konfuzionit pas sulmit, urdhri i tij nuk u bart te pilotët luftarakë, sipas raportit të Komisionit 9/11.


“Elitat hebraike”

Një tjetër teori ishte se asnjë hebre nuk ishte vrarë në sulmet, sepse të 4000 punëtorët hebre në Qendrën Botërore Tregtare kishin marrë njoftim paraprakisht për të mos dalë në punë.

Ata që u besonin teorive konspirative kishin dalë në përfundimin se qeveria izraelite i organizoi sulmet që të nxisë SHBA-në t’i sulmojë armiqtë e saj rajonalë ose se përgjegjësia u takon elitave të fuqishme hebraike që kontrollojnë ngjarjet botërore prej hijes.

Por nga 2071 viktimat e sulmit të 11 shtatorit që punonin në Qendrën Botërore Tregtare, 119 ishte konfirmuar se ishin hebre e të paktën edhe 72 të tjerë besohej se ishin hebre.

Kjo përbënte 9.2 për qind të numrit të viktimave sipas dokumentarit të BBC-së, “Conspiracy Files”, dhe përputhet me 9.7 për qindëshin e klasës punëtore të New Yorkut atë kohë e që besohej se ishin hebre.

Ka pasur raportime se deri 400 hebre vdiqën atë ditë.

Teori të tilla konspirative kanë prekur edhe Irakun e Iranin, por nuk ka pasur dëshmi për përfshirje direkte.

Më 11 shtator 2001, organizata terroriste Al-Qaida kreu sulme të mëdha në SHBA. Katër aeroplanë ishin rrëmbyer e dy prej tyre u përplasën me Kullat Binjake në New York, një goditi ndërtesën e Pentagonit jashtë Washingtonit e një tjetër rrëzua në një fushë në Pennsylvania. Rreth 3000 njerëz vdiqën në të gjitha sulmet (këtu). 

Përshtatur nga artikulli i BBC

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere