Përmes një imazhi të publikuar në Facebook (shih kwtu) pretendohet se Jason Steinbaum, ish-shef i stafit të kongresmenit amerikan Eliot Engel, ka deklaruar se “Serbia përmes dosjeve, Rusia përmes diplomacisë, BE-ja përmes presionit dhe dje Kurti përmes policisë, provuan, nga dënimi dhe zhvlerësimi, ta shkatërrojnë UÇK-në”.

Çka nuk shkon me pretendimin?
Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, nuk është gjetur ndonjë burim i besueshëm që e dokumenton këtë deklaratë të Steinbaumit.
Steinbaum ka folur publikisht disa herë gjatë vitit 2026 për Gjykatën Speciale dhe UÇK-në. Në një opinion të publikuar më 6 korrik në “Bridges of Memory”, ai e kritikoi themelimin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara dhe argumentoi se presioni amerikan ndaj Kosovës për themelimin e tyre ishte i lidhur me interesa më të gjera gjeopolitike, përfshirë marrëveshjen bërthamore me Iranin (shih këtu). Ai përmend rolin e Rusisë dhe të disa interesave evropiane, por nuk përmend pretendimin se Serbia, Rusia, BE-ja dhe Kurti po vepronin së bashku për ta “shkatërruar” ose “zhvlerësuar” UÇK-në.
Në një intervistë të 18 shtatorit 2026, Steinbaum tha se Gjykata Speciale ishte krijuar në mënyrë dhe me mandat të gabuar dhe kritikoi faktin që procedurat ishin përqendruar te ish-drejtuesit e UÇK-së. Edhe në këtë intervistë nuk gjendet deklarata e paraqitur në imazhin e publikuar në Facebook (shih këtu).
Po ashtu, më 22 shtator, Steinbaum për Euronews Albania deklaroi se Gjykata Speciale “nuk duhej themelohej” dhe se ajo ishte drejtuar që nga fillimi drejt liderëve të UÇK-së. As në këtë intervistë ai nuk dha deklaratën që pretendohet në përmbajtjen e publikuar në Facebook (shih këtu).
Analiza
Pretendimi se Jason Steinbaum ka deklaruar se Serbia, Rusia, BE-ja dhe Albin Kurti kanë provuar ta “shkatërrojnë UÇK-në” nuk është dokumentuar nga burime të besueshme.
Deklaratat e verifikueshme të Steinbaumit për Gjykatën Speciale janë kritike ndaj themelimit dhe funksionimit të saj, por ato nuk përmbajnë këtë deklaratë apo këtë formulim.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.