[email protected]
Titull dezinformues që s’lidhet me përmbajtjen
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një titulli të një videoje në YouTube është pretenduar për takim sekret të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Trump merr në dorë celsat e Kosovës/ Kurti takim sekret me TRUMP”, mban titullin një video e publikuar në kanalin “NTV Televizion” në YouTube më 17 janar.

Cila është e vërteta?

Titulli i vendosur në këtë video nuk ndërlidhet me përmbajtjen e saj. Në kopertinë të videos është një fotografi e kryeministrit Albin Kurti, presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografitë shoqërohen me shkrimin “SHBA FUNDOS RAJONIN”.

Ndërsa po që se klikohet videoja, aty flet një analist dhe nuk përmend në asnjë rast çështjen e pretenduar në titull. Në video është një intervistë me analistin Selami Shkodra që flet fillimisht për fushatën zgjedhore, pa përmendur në asnjë rast emrin e kryeministrit Kurti. Në intervistë ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ai nuk ka folur në këtë video as për administratën e Trumpit e nuk ka përmendur as “takimin sekret Kurti-Trump”.

Në video në vazhdimësi kanë qarkulluar dy tituj: “ALARM, KOSOVA NE RREZIK” dhe “LUFTA E FTOHTE NE BALLKAN”. Në fund ai është pyetur edhe për “marrëveshjen Serbi-Izrael për armatimin dhe sa mund të ndihet Kosova e rrezikuar”.

Përgjigjja e plotë në këtë pyetje:

“Nuk mendoj që Kosova duhet të ndihet e kërcënuar, për shkak se shteti i Izraelit është një prej vendeve që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe është pjesë e hemisferës të bllokut, ku edhe Kosova i takon asaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i prijnë këtij blloku. Dhe besoj se Kosova do të ketë mundësinë e ngritjes së kapaciteteve të veta ushtarake nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale në fushën e mbrojtjes që ka tashmë me disa vende, siç janë SHBA-ja, Britania, Republika e Turqisë. Dhe vetëm dje kemi pasur lajme të mira nga Uashingtoni ku ministri i Mbrojtjes dha lajmin se kemi një dritë të gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fillimin e ngritjes së flotës së helikopterëve ushtarakë pikërisht nga prodhimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Andaj mendoj se ne duhet të bëjmë punën tonë, ata të veten. Nuk jemi pjesë e garës së armatimit dhe s’duhet të jemi. Serbia po e nxit garën e armatimit në rajon, por gara reale e armatimit në rajon është mes Serbisë dhe Republikës kroate”.


Për më shumë, hibrid.info ka përdorur motorin online të kërkimit “Google” duke shkruar “Kurti takon Trumpins”, por rezultatet nuk kanë gjetur ndonjë burim kredibil informacioni që do ta konfirmonte pretendimin e dhënë në titullin e videos.

Videoja e publikuar deri tash ka marrë më shumë se 2100 shikime.


Kanali “NTV Televizion” te vegëza në YouTube e ka të vendosur domenin “ntv.al”, që është portal informativ në gjuhën shqipe.


Analiza:

Videoja me titull “Trump merr në dorë celsat e Kosovës/ Kurti takim sekret me TRUMP”, e publikuar në kanalin “NTV Televizion” në YouTube, nuk ndërlidhet me përmbajtjen.

Në video është një analist që flet për fushatën zgjedhore në Kosovë, dialogun Kosovë-Serbi dhe në fund për çështjet e armatimit. Në asnjë rast nuk e përmend kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e as presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »