Shkroi: Fatbardh Dema
Portali informativ “kosova-sot.info” ka publikuar të mërkurën (25 mars) artikullin me titull “Sllovakia e ndalon hyrjen në stadium për tifozët me pasaporta të Kosovës”.
Çka nuk shkon me këtë titull?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli nuk përkon me realitetin.

Vetëm pasi të klikohet artikulli, lajmi qartësohet. Në përmbajtje sqarohet se Federata Sllovake e Futbollit ka marrë vendim për t’ua ndaluar hyrjen shtetasve të Kosovës në sektorët e tifozëve vendës, për ndeshjen e play-offit mes Sllovakisë dhe Kosovës, e cila pritet të zhvillohet të enjten mbrëma në Bratisllavë në kuadër kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Pra, titulli i artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” lë të kuptohet se bëhet fjalë për ndalimin e hyrjes në stadium për të gjithë tifozët me pasaporta të Kosovës.
Të martën (23 mars) portali informativ “gazetaexpress.com” raportoi se tifozët me pasaportë të Kosovës mund të hyjnë veç në sektorin e tifozëve mysafirë, të cilin e ka për obligim ta ndajë dhe rezervojë organizatori, pasi që federata sllovake morri vendim duke ua ndaluar hyrjen shtetasve të Kosovës në sektorët e tifozëve vendës. (shih këtu)
“Gazetaexpress.com” këtë raportim e bëri duke u bazuar në një njoftim, që thuhet se u bë nga Federata Sllovake e Futbollit.

Përkthimi i njoftimit në shqip
“Ndeshja kualifikuese Sllovaki-Kosovë (26 mars 2026, 20:45, Bratisllavë) është kualifikuar nga organizatorët si ndeshje nën regjim special. Kur keni blerë biletat, nga ju është kërkuar të ofroni detajet e secilit bileta-blerës, i cili vërtet do të jetë i pranishëm në ndeshje. Në biletë do të paraqitet vetëm emri dhe mbiemri. Detajet e dhëna gjatë blerjes do të printohen në mënyrë automatike në biletë”.
“Do të donim gjithashtu të ju rikujtonim se hyrja në të gjithë sektorët, përpos sektorëve të mbështetësve mysafirë (D201,D202,D203,D204), është e rezervuar për tifozët e ekipit vendës. Personave që bartin gjësende apo veshin rroba me flamuj të vendeve tjera, simbole të papërshtatshme, apo mesazhe ofenduese, mund të ju ndalohet hyrja në stadium (hyrja në sektorin e vendësve me pasaportë të Kosovës nuk lejohet). Ju lutemi vini re se shitësit ekskluzivë të biletave janë SFZ dhe “XL entertainment s.r.o.”, dhe nuk rekomandojmë të bilini bileta nga palë të treta”.
Analiza
Portali “kosova-sot.info” ka publikuar një titull të pasaktë duke lënë të kuptohet se tifozëve me pasaporta të Kosovës u ndalohet hyrja në stadium për ndeshjen Sllovaki-Kosovë.
Pas verifikimit të fakteve, rezulton se ndalimi i hyrjes së tifozëve nuk është i përgjithshëm për të gjithë stadiumin. Në përmbajtjen e lajmit sqarohet se masa vlen vetëm për sektorët e tifozëve vendas, ndërsa tifozët me pasaportë të Kosovës mund të hyjnë në sektorët e dedikuar për mysafirë, të cilët janë të rezervuar nga organizatori për këtë kategori.
Pra, në këtë rast ka mospërputhje të titullit dhe përmbajtjes së artikullit.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.