[email protected]
Rishikimi i javës: Clickbait artikuj nga mediat, përmbajtje të rreme në TikTok, dezinformata dhe teori konspirative nga mediat në gjuhën serbe
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua më dominimin e përmbajtjeve clickbait në ekosistemin keqinformues.

Përmbajtjet clickbait kishin të bënin me vdekje, grabitje, mbyllje plazhi e termet, por që në titull nuk bëhej e ditur vendndodhja e ngjarjes që lënë hapësirë për keqinformimi te lexuesit duke menduar se ngjarjet kanë ndodhur në vendin tonë ose hapësirën shqipfolëse.

Dezinformatat kishin të bënin me një video-material në TikTok me mbi shkrimin “Policia serbe malltretojnë shqiptarët”, me pretendime në mediat në gjuhën serbe se regjimi i Kurtit vazhdon me agjendën për spastrimin etnik të Kosovës nga serbët.

Përmbajtje të rreme në TikTok ku pretendohet për një luftë së shpejti në Kosovë, ku Kurti ka porositur 10 mini-tanke të prodhuar nga Turqia.

Teori konspirative në të cilin pretendohet ndryshimi i logos së Twitter në X, është parashikuar nga një episod i mëhershëm i “The Simpsons”.

Teori konspirative/dezinformatë me pretendime se kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns merr urdhra nga shërbimi sekret britanik MI6 për ta mbrojtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Përmbajtje mashtruese në Facebook për ofrim të kredive personale.

Gabim në raportim për sasinë e grurit të munguar në rezervat e MINT-it bazuar në audio-incizimet e publikuara nga “nacionale.com”.

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Vdes gazetari i njohur”. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, ka vërtetuar se titulli nuk sqaron se për gazetarin e cilit shtet bëhet fjalë, prandaj si i tillë, konsiderohet si titull përgjithësues. Lajmi sqarohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit, kur thuhet se, “Branimir Dopuđa, gazetar dhe redaktor i Radio Televizionit Kroat, ka vdekur, njoftoi HRT”. Pasi që ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës, titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se lajmi ka të bëjë me ndonjë gazetar në vendin tonë. (këtu)

Portali informativ “gazeta-shqip.com” ka publikuar artikullin me titull “Mbyllet plazhi i njohur që vinte në rrezik jetën e pushuesve, ja çfarë u gjet në resortin luksoz”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i këtij artikulli është përgjithësues që nuk qartëson se për plazhin e cilit shtet bëhet fjalë. Pasi të klikohet vegëza e artikullit, atëherë qartësohet lajmi, ku shkruan “Plazhi Sofular në vendpushimin e Detit të Zi Sile pranë Stambollit u mbyll pasi u gjetën 28 ??mina të pashpërthyera, thanë autoritetet”. Duke u bazuar në seksionin “TE DHENAT PERSONALE” në ueb-faqen e këtij portali informativ, ku adresa e tij shfaqet të jetë në Tiranë, kjo bën që titulli përgjithësues të lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në ndonjë plazh të Shqipërisë. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Humb jetën e reja dhe plagoset i dashuri i saj”. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, ka vërtetuar se titulli nuk e bën të ditur se ku ka ndodhur ngjarja, prandaj si i tillë, konsiderohet si titull përgjithësues. Lajmi sqarohet vetëm në përmbajtje ku shkruan se, “Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Skoci, një 27-vjeçare ka humbur jetën ndërsa i dashuri i saj ka mbetur i plagosur.” Pasi që ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës, titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se lajmi ka të bëjë me ngjarje të ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një artikull me titull “Grabitet argjendaria e njohur në kryeqytet”. Në përmbajtje të artikullit të këtij portali tregohet se për cilin kryeqytet bëhet fjalë. Hibrid.info ka verifikuar artikullin duke vërtetuar se mos saktësimi i kryeqytetit në titull, e bën atë përgjithësues. Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mosdhënia e saktësimi i kryeqytetit se ku ka ndodhur ngjarja nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Lëkundje të forta tërmeti me magnitudë 4.2, ja ku ishte epiqendra”. Hibrid.info ka verifikuar artikullin dhe ka gjetur se në titull nuk qartësohet se në cilin vend ka ndodhur lajmi. Vendndodhja e ngjarjes tregohet në përmbajtje të artikullit, çka bën që titulli të jetë përgjithësues. Mos qartësimi i vendndodhjes së ngjarjes në titull nga mediat në fjalë, të cilat janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe kanë adresë të regjistruar në Tiranë, shumë lehtë mund të qojë deri te dezinformimi i lexuesve, se ngjarja ka ndodhur në Shqipëri. (këtu)

Dezinformatë

Një llogari në TikTok me emrin “ilmih67” ka publikuar një video-material me mbi shkrimin “Policia serbe malltretojnë shqiptarët”. Në video material shihet një person i veshur me rroba të policisë teksa ushtron dhunë fizike ndaj një personi tjetër me rroba civile. Hibrid.info ka verifikuar dhe vërtetuar se videoja tregon një oficer të policisë në Serbi, duke e sulmuar fizikisht një të ri të komunitetit rom, çka bie ndesh me pretendimin e ngritur nga autori i video-materialit në TikTok. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Happytv.rs” (i afërt me pushtetin në Serbi – shih këtu, këtu dhe këtu) ka publikuar një artikull me deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili pretendon se, siç është shprehur, regjimi i Kurtit vazhdon me agjendën për spastrimin etnik të Kosovës nga serbët. Vuçeviq këtë pretendim e bënë duke interpretuar mungesën e produkteve me origjinë nga Serbia (përfshirë edhe barnat) në veri të Kosovës (shih këtu). Po ashtu, pretendimin e bërë mundohet ta ndërlidhë me rastin e mungesës së barnave gjatë periudhës së luftës (viti 1992) Banjallukë të Bosnje e Hercegovinës. Megjithatë, pas verifikimet të fakteve nga hibrid.info rezulton se, pretendimi se mungesa e barnave në pjesën veriore të Kosovës është pjesë e, siç shprehet, një agjende të Kurtit për spastrim etnik të serbëve, përderisa krahasimi me rastin e Banjallukës, nuk ka fakte të argumentueshme. (këtu)

Lajm i rremë

Faqja në Facebook me emrin “The Reis” me datë 28 korrik ka postuar një video-material në të cilën paraqitet mini-tanku i parë pa pilot i prodhuar nga Turqia. Në këtë postim, faqja e lartcekur ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka porositur 10 pajisje të tilla. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve bazuar në hulumtimin e kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur të publikuar një njoftim të tillë në asnjë medium kredibil. Gjithashtu as institucioni relevant si Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë njoftim për kërkesën për t’u pajisur me këtë lloj tanku. (këtu)

Një llogari në median sociale Facebook ka publikuar një video me pretendimin se në të shfaqet ministri i financave të Nigerit duke qarë pasi udhëheqësit e grushtit të shtetit i dhanë një ultimatum për të dhënë llogari për fondet e vjedhura ose të përballet me vdekjen. Mirëpo, pas verifikimin të fakteve të kryer nga AFP është vërtetuar se pretendimi është i rremë dhe se video është e vjetër (2021) që paraqet ish-ministrin e drejtësisë Marou Amadou. (këtu)

Llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” ka publikuar një video-material me mbi shkrimin ku pretendohet për një luftë së shpejti në Kosovë. Llogaria në fjalë pretendimin nuk e ka të mbështetur në asnjë bazë dhe fakt. Megjithatë, hibrid.info ka hulumtuar edhe në burime tjera për të arritur tek dëshmitë që vërtetojnë pretendimin e paraqitur nga llogaria në fjalë, por që të tilla nuk janë gjetur. (këtu)

Teori konspirative

Një artikull është publikuar nga disa media në gjuhën shqipe, në të cilin pretendohet ndryshimi i logos së Twitter në X, është parashikuar nga një episod i mëhershëm i “The Simpsons”. Pretendohet për ngjashmërinë me logon e re të Twitter, të një logoje të një aplikacioni në një telefon të shfaqur në njërin nga episodet e këtij seriali. Por që pas verifikimit është vërtetuar se logoja në fakt ka ngjashmëri me logon e vjetër të aplikacionit “Safari”. (këtu)

Teori konspirative/ dezinformatë

Janë publikuar pretendime se kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns merr urdhra nga shërbimi sekret britanik MI6. Hibrid.info ka gjetur këtë pretendim të publikuar në mediumin serb “Happy TV”, për të cilin ka dyshime për afërsi me partitë politike qeverisëse në Serbi. Në këtë artikull pretendohet se me urdhër të shërbimit sekret britanik MI6, Kearns po e mbron me jetën e saj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Pretendimi i ngjashëm është bërë edhe nga ueb-faqja në gjuhën angleze “The Grayzone”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo ueb-faqe publikon raportime mashtruese dhe artikuj të kategorisë si teori konspirative. Në një biografi të shkurtër të deputetes Kearns të publikuar në mediumin britanik “Politics.co.uk”, nuk përmendet se ajo ka ose ka pasur ndonjë afërsi me shërbimin britanik MI6, siç pretendohet në artikujt e larcekur. (këtu)

Mashtrim

Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar me datë 29 korrik një postim ku pretendohet se ofron mundësi aplikimi për kredi me date 29 korrik. Por që hibrid.info ka gjetur se ky postim paraqet pretendim të rremë nga kjo faqe. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vënë në dukje se një faqe në Facebook ka përdorur postimin e një institucioni mikro-financiar në Kosovë, të cilës i ka larguar logon, duke paraqitur postimin me mundësi për kredi, si ofertë të kësaj faqeje. (këtu)

Gabim

Televizioni “Klan Kosova” ka publikuar në kanalin e saj në Youtube, një kronikë me titull “Afera e rezervave – MINT-i “zhduk” 9 mijë tonë grurë”. Kronika e televizionit në fjalë, ka të bëjë me audio-incizimin e publikuara nga mediumi “Nacionale”, ku dëgjohen teksa flasin zyrtarë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Hibrid.info ka verifikuar dhe ka vërtetuar se numri i sasisë së grurit, për të cilin bëhet fjalë në kronikën e përgatitur nga Klan Kosova, është paraqitur në mënyrë të pasaktë.  Pas verifikimit të fakteve është vërtetuar se ndryshe nga paraqitet në titullin e kronikës, ku thuhet se mungojnë 9 mijë ton grurë, në audio-incizimin e publikuar dëgjohet se bëhet fjalë për sasinë e 9 tonëve. (këtu)

Share With Others