Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një artikull me titull “Ekskluzive: Hisen Berisha: Isha dëshmitar kur komandanti i KFOR-it e kishte njoftuar ministrin e Mbrojtjes se Serbia kishte plan sulmi mbi Kosovën”.
Kjo përmbajtje është publikuar të martën (15 korrik) në mediumin online “arberia.tv”.
Çka nuk shkon me artikullin?
Hibrid.info ka vërejtur se në titull mungon sqarimi se kur ka ndodhur ngjarja e përshkruar, duke e lënë lexuesin pa një kontekst të qartë kohor.

I njëjti artikull është shpërndarë si postim në Facebook, në faqen e këtij mediumi me emrin “TV Arbëria (Televizioni i parë Nacional-Shqiptar)” (shih këtu).

Titulli është formuluar si lajm ekskluziv që citon një deklaratë të ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Hisen Berishës, sipas të cilës ai ka qenë dëshmitar i një njoftimi nga komandanti i KFOR-it për një plan sulmi nga Serbia ndaj Kosovës.
Pas kontrollit të përmbajtjes së tekstit në brendësi të artikullit, duke iu referuar deklaratës së ish-deputetit Berisha, hibrid.info vërejti se kemi të bëjmë me ngjarje ndodhur në vitet 2019/2020, në kohën kur ministër i Mbrojtjes ishte Rrustem Berisha.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe në përshkrimin dhe përmbajtjen e videos së intervistës së Berishës, të publikuar në faqen tjetër të këtij mediumi në Facebook, me emrin “TV Arberia” (shih këtu).
Berisha i ka dhënë këto deklarata, duke iu përgjigjur pyetjeve të intervistuesit lidhur me deklaratat e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së), Donald Trump dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.
Donald Trump ka pretenduar së fundmi se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, pa qartësuar periudhën kohore në të cilën ka mundur të ndodhte një përshkallëzim i tillë (shih këtu).
Ndërsa, presidentja e Kosovës, në Uashington më 10 korrik 2025, tha deklaruar se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë (shih këtu).
Kjo do të thotë se, mossqarimi në titull se Berisha i është referuar një ngjarjeje, siç thotë ai, të ndodhur në të kaluarën, në një takim me ish-ministrin e Mbrojtjes, mund të japë përshtypjen se ish-deputeti ka folur për një zhvillim aktual.
Analiza:
Titulli “Ekskluzive: Hisen Berisha: Isha dëshmitar kur komandanti i KFOR-it e kishte njoftuar ministrin e Mbrojtjes se Serbia kishte plan sulmi mbi Kosovën”, është përgjithësues.
Titulli nuk përmend kohën kur ndodhi ngjarja, duke krijuar mundësinë që ajo të keqkuptohet si një zhvillim aktual, ndërkohë që sipas Hisen Berishës, i cili është cituar, ajo ka ndodhur vite më parë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson titullin e kësaj përmbajtjeje si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.



