Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), gjatë një bisede me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar këtij të fundit që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia.
Kjo fotografi është publikuar (16 qershor) në TikTok nga një llogari me emrin “g.p..8”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë raportim që konfirmon bisedën e pretenduar në mes presidentit Trump dhe presidenti Vuçiq.

Deri në momentin e trajtimit të këtij pretendimi, ky publikim ka marrë mbi 100 komente, një pjesë e së cilave sugjerojnë se audienca e këtij postimi, ka tendencë ta pranojë përmbajtjen si të vërtetë.
Hibrid.info ka hulumtuar me anë të motorit të kërkimit “Google”, për të gjetur raportime apo njoftime zyrtare të mundshme që do të konfirmonin bisedën ndërmjet dy liderëve të përmendur në përmbajtjen e trajtuar (shih këtu).
Rezultatet nga kërkimi tregojnë se që nga momenti (20 janar) kur Trump ka marrë mandatin e dytë si president, nuk ka pasur publikime që do të njoftonin se ai ka pasur komunikim direkt me presidentin serb.
Ndërsa një tjetër fakt që e hedh poshtë pretendimin, është edhe një postim i gjetur nga hibrid.info publikuar para dy ditësh, nga presidenti Trump, në platformën “TruthSocial” (shih këtu).
Kjo është hera e parë ku ai ka përmendur drejtpërdrejtë Kosovën dhe Serbinë, që kur mori drejtimin e presidencës së ShBA-së (shih këtu).
Trump ka shkruajtur se, gjatë mandatit të tij të parë, Serbia dhe Kosova ishin në një konflikt të ashpër që kishte zgjatur për dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë. Ai pretendon se ishte ai që e ndaloi atë duke përmendur paraardhësin e tij Joe Biden, i cili sipas tij ka dëmtuar perspektivat afatgjata (në raport me Kosovën dhe Serbinë) me disa vendime shumë të gabuara. Por Trump theksoi se do ta rregullojë sërish këtë çështje, pa përmendur se është për ndonjë zgjidhje të veçantë dhe pa shpjeguar se si.
Analiza:
Pretendimi se Donald Trump i ka kërkuar presidentit Vuçiq që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020 nuk është i vërtetë.
Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë dëshmi apo raportim zyrtar që të vërtetojë komunikimin e drejtpërdrejtë mes Trump dhe Vuçiq për këtë çështje.
Gjithashtu, Trump nuk ka shprehur asnjë preferencë të caktuar lidhur me zgjidhjen e çështjes, që ai e konsideron si të dëmtuar nga presidenti Biden.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.



