[email protected]
Turqia nuk i ka dhuruar Kosovës dronët “Akinci”
shape
shape
shape

Faqja në Facebook me emrin “The Reis”, me datë 9 korrik ka postuar disa fotografi me dronët turq “Akinci” me një mbishkrim me anë të cilit pretendohet se pajisjet ushtarake që paraqiten në imazh janë dhuratë Turqisë për Kosovën.

Megjithatë, pas verifikimit të fakteve bazuar në hulumtimin e kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur të publikuar një njoftim të tillë në asnjë medium kredibil.

Gjithashtu as institucioni relevant si Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë njoftim për pranim të këtyre dronëve nga Turqia. (këtu)


Mbishkrimi origjinal në postimin e publikuar nga faqja “The Reis” në Facebook:

Nuk jane F-16 te Amerikes, as Su – 35 te Rusise, por Akinci te Turqise. Dhurate per Bajram per Kosoven i ka sjell 🇹🇷ne 🇽🇰🤔.


Kjo faqe që shihet se publikon kryesisht materiale që ndërlidhen me Turqinë dhe presidentin Recep Taiyyp Erdogan, postimin në fjalë e ka publikuar duke mos dhënë informata shtesë që mbështesin pretendimin.

Përpos fotografisë që paraqet imazhe të luftarakeve pa pilot (dronë) të tipit “Akinci”, nuk jepen detaje tjera shtesë.

Pas hulumtimit të bërë përmes makinave online të kërkimit, kuptohet se ky imazh është shkrepur në muajin korrik të vitit 2022, ku tre prej dronëve do të përdoreshin për aktivitete testuese dhe katër tjerë u ishin dorëzuar Komandës së Forcave Ajrore të Turqisë. (shih këtu)

Pra nuk është imazh që paraqet një kontingjent të këtyre dronëve që, siç pretendohet në postim, janë dhuratë e shtetit turk për Kosovën.


Edhe përkundër mungesës së argumenteve që e plotësojnë këtë pretendim, hibrid.info ka eksploruar edhe publikime nga burime kredibile që ndërlidhen me furnizimin e autoriteteve kosovare të mbrojtjes me pajisje të tilla luftarake.

Pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar në muajin maj nga portali i televizionit “Klan Kosova”, ku thuhej se “Ushtria e Kosovës pajiset me dronët Bayraktar”.

Ky medium online duke u thirrur në burimet e saja brenda institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, kishte raportuar se Kosova është pajisur me pesë dronë Bayraktar. (shih këtu)


Pjesë nga artikulli i publikuar nga KlanKosova.tv:

Ushtria në formim e sipër, është pajisur me rreth 5 dronë Bayraktar, siç merr vesh Klan Kosova nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë, kapacitete që tejkalojnë nevojën e FSK-së.

Dronët inteligjentë, sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore, kanë arritur në Kosovë nga vendi prodhues i dronëve dhe gjithë sistemit përcjellës, Turqia, pas gati 7 muajsh nga nënshkrimi i kontratës me kompaninë prodhuese. Ujdia ishte firmosur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.


Ndërsa, nga ana e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani (shkurt 2022), gjatë vizitës së saj në Turqi kishte vizituar fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll. Ndërsa nuk është bërë ndonjë njoftim zyrtar që dëshmon se porosia e bërë me dronët Bayraktar ka arritur në Kosovë. (shih këtu)

Pra, deri tani është raportuar vetëm për pajisjen e Kosovës me dronët turk Bayraktar, por jo edhe ata Akinci”, siç pretendohet në postimin e publikuar nga faqja “The Reis” në Facebook.


Duke u bazuar në referencat e ofruara në “Wikipedia”, hibrid.info ka gjetur se këta dronë (Akinci) aktualisht janë në përdorim nga shtetet si Turqia, Pakistani dhe Libia. (shih këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se faqja “The Reis” në Facebook ka pretenduar rrejshëm se Turqia i ka dhuruar Kosovës dronët “Akinci”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others