Shkroi: Fatbardh Dema
Disa mesazhe telefonike (SMS) u janë dërguar qytetarëve të Kosovës me pretendimin se vijnë nga Posta e Kosovës.
Ky institucion, përmes faqes zyrtare në Facebook ka njoftuar se këta SMS janë mashtrues dhe kërkon nga qytetarët që të mos klikojnë asnjë vegëz (link) të dërguar përmes këtyre mesazheve.
Përmes këtyre SMS-ve kërkohet gjoja përditësimi i informacionit me përshkrimin “Pakoja juaj është mbajtur për shkak të një adrese të paplotë. Ju lutemi, përditësoni informacion tuaj brenda 3 ditësh për të parandaluar kthimin”.
Në fund të këtij SMS-i është vënë një vegëz me pretendimin se aty është mundësia që të përditësohen këto të dhëna.

Nga vijnë këta SMS?
Në imazhet e këtyre SMS-ve të publikuar nga Posta e Kosovës, vërehet se numrat nuk kanë prefiksin e Kosovës (+383).
Në dy prej tyre, numrat që kanë dërguar mesazhin mbajnë prefiksin +31, për të cilin pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se i takon shtetit të Holandës.
Ndërsa numri tjetër që ka dërguar mesazhin e ngjashëm, mban prefiksin +44, i cili është i Mbretërisë së Bashkuar.

Çka përmbajnë vegëzat (link)?
Hibrid.info ka klikuar në këto vegëza të paraqitura në këta SMS, dhe më pas është hapur një ueb-faqe që përmban logon e Postës së Kosovës, si dhe një mundësi për të vazhduar me përditësimin e të dhënave.
Mirëpo, domain-i i kësaj ueb-faqe nuk është ai real i Postës së Kosovës. Kjo ueb-faqe përmban domain-in postakosoves.world, ndërsa ueb-faqja zyrtare e këtij institucioni është Postakosoves.com.
Hibrid.info ka kontrolluar me anë të “scamdoc.com”, platformë që vlerëson vërtetësinë e ueb-faqeve. Pas kontrollimit, me anë të rezultateve të paraqitura nga kjo platformë, mund të vlerësohet se kjo vegëz është e dyshimtë.

Kjo nuk është hera e parë që SMS të tillë u dërgohen qytetarëve të Kosovës, duke keqpërdorur Postën e Kosovës. Hibrid.info ka trajtuar disa herë SMS të tillë. (shih këtu)
Analiza:
Disa qytetarë të Kosovës kanë pranuar SMS mashtruese që pretendojnë të jenë nga Posta e Kosovës, duke kërkuar përditësimin e të dhënave për një pako të mbetur për shkak të adresës së paplotë.
Posta e Kosovës ka reaguar duke paralajmëruar qytetarët të mos klikojnë në vegëzat e dërguara, pasi këto mesazhe nuk vijnë nga ta.
Numrat e dërguesve kanë prefikse të huaja, si +31 (Holandë) dhe +44 (Mbretëri e Bashkuar). Hibrid.info ka vërtetuar se vegëzat çojnë në faqe të rreme që keqpërdorin logon e Postës së Kosovës, por jo domain-in zyrtar. Ueb-faqja është vlerësuar si e dyshimtë nga platforma për verifikim të ueb-faqeve “Scamdoc.com”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta SMS si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.



