[email protected]
Fenomeni i SMS-ve mashtrues që paraqiten se vijnë nga Posta e Kosovës
shape
shape
shape

Përgatiti: Fatbardh Dema

Që nga muaji qershor i këtij viti, hibrid.info ka verifikuar katër SMS mashtrues që pretendonin se vinin nga Posta e Kosovës.

Këta SMS u janë dërguar në telefonat e tyre qytetarëve të Kosovës, por që numrat e telefonit që janë përdorur, asnjëri nga ta nuk i përkasin prefiksit të Kosovës. Madje, edhe ueb-faqet e ofruar për klikim kanë rezultuar mashtruese.

Çka përmbanin këta SMS?

Përmes këtyre SMS-ve bëhet thirrje të klikohet në një vegëz, me arsyetimin që të përditësohet adresa e shtëpisë për t’iu riorganizuar dorëzimi i pakos.


Në qershor, një mesazh i shkurtër (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës në të cilin shkruan: “Paketa juaj është vendosur në pritje për shkak të informacionit jo të plotë të adresës”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se numri që është përdorur për të dërguar këtë mesazh në telefon ka prefiksin +63 që i takon shtetit të Filipineve. Ndërsa, vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe ka për qëllim marrjen dhe keqpërdorimin e të dhënave personale të përdoruesve. (shih këtu verifikimin e kryer nga hibrid.info)

Lidhur me këtë SMS, kishte reaguar edhe vetë Posta e Kosovës përmes faqes zyrtare në Facebook, përmes së cilës bëhet thirrje që mos të klikohet në vegëzën që paraqitet në mesazh. (shih këtu)

Edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve që kanë për qëllim marrjen dhe keqpërdorimin e të dhënave të tyre personale. (shih këtu)


Me datë 31 korrik, një SMS tjetër me emrin e dërguesit “Posta e Kosovës”, bëri thirrje të klikohet në një vegëz, me arsyetimin që të jepet informacioni i saktë, në mënyrë që brenda 12 orëve të dërgohet porosia. Vegëza në këtë SMS paraqitet si “postakosoves.online”.

Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se numri që ka dërguar këtë mesazh në telefon ka prefiksin +60 që i takon shtetit të Malajzisë. Ndërsa, vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe nuk është ueb-faqja zyrtare e Postës së Kosovës. (shih këtu verifikimin e kryer nga hibrid.info)


Një SMS tjetër gjatë shtatorit, u është dërguar qytetarëve përmes një email adrese “[email protected]”. “Pakoja juaj ka mbërritur në depon tonë. Nuk mund të dorëzojmë sepse informacioni i adresës është i pasaktë”, shkruan në këtë SMS, duke bërë thirrje që të klikohet një vegëz për t’i “përmirësuar” të dhënat e adresës. Edhe në këtë SMS pretendohet se dërguesi i saj është Posta e Kosovës.

Vegëza e paraqitur në këtë SMS “bb2-xyhrch.top/post”, pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, rezultoi të jetë e dyshimtë. (shih këtu verifikimin e kryer nga hibrid.info).


Ndërsa, më 1 nëntor, një SMS me pretendim të ngjashëm përmbante një vegëz tjetër. Këtë herë vegëza e përdorur shfaq një faqe si imitim të ueb-faqes së Postës së Kosovës, ku shfaqen të njëjtat informata të cilat tregohen në përmbajtjen e SMS-it. Por, domaini i përdorur quhet “postakosoves-kos.click”, ndryshe nga domaini i zyrtar i Postës së Kosovës, “postakosoves.com”.

Hibrid.info ka hulumtuar për prefiksin e numrit që ka dërguar SMS (+44) dhe ka gjetur se i takon  Mbretërisë së Bashkuar (shih këtu verifikimin e kryer nga hibrid.info)


Çka tha Policia e Kosovës?

Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra, me rekomandimin e prokurorit të shtetit kishte iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Ndërhyrje në sistem kompjuterik”.

Hetimi u iniciua pas denoncimit nga një ankues, i cili kishte pretenduar se në telefonin e tij kishte pranuar një link (lidhje-vegëz) me logo të një poste dhe pas klikimit në të është ridrejtuar në linkun tjetër ku i janë kërkuar të dhënat personale bankare.

Pas futjes së të dhënave, ankuesi ka raportuar se është dëmtuar në vlerë të konsiderueshme monetare. (shih këtu)


Hibrid.info ka publikuar edhe një video përshkruese se si janë verifikuar këta lloj SMS dhe se si t’i dallojmë ata. (shih videon)

Këto përmbajtje, sipas metodologjisë së punës së platformës hibrid.info, konsiderohen “Mashtrim”.

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »