[email protected]
Vërtetohet se mediat shtetërore ruse dhe kineze kanë shpërndarë artikuj dezinformues për COVID-19
shape
shape
shape

Rusia dhe Kina vazhdojnë të përdorin një fushatë dezinformimi rreth shpërthimit të koronavirusit që mund të ketë “pasoja të dëmshme” për shëndetin publik në mbarë botën, thuhet në një raport të publikuar nga organi i politikës së jashtme të BE-së.

Dokumenti, i publikuar më 1 prill, është shkruar nga Divizioni i Komunikimeve Strategjike dhe Analizës së Informacionit të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Ai thotë se si aktorët shtetërorë ashtu edhe ata të mbështetur nga shteti “kërkojnë të shfrytëzojnë krizën e shëndetit publik për të çuar përpara interesat gjeopolitike, shpesh duke sfiduar drejtpërdrejt besueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tij”.

Fushata përbën një rrezik për komunikimin efektiv të krizës dhe shëndetin publik, thuhet në të.

Pretendimet se shpërthimi i koronavirusit po çon në shpërbërjen e BE-së janë një tendencë që paraqitet përmes mediave sociale, thotë raporti i ri.

Tutje në raport thuhet se midis përmbajtjeve të lidhura me COVID-19 të publikuara nga mediat Russia Today dhe Sputnik të financuar nga qeveria ruse, “artikuj që mbulojnë narrativa konspirative të tilla si  ‘virusi ishte krijuar nga njeriu’ ose u përhap qëllimisht, zakonisht merrnin më shumë angazhim social sesa histori të tjera”.

Dokumenti është një vazhdim i një raporti të botuar muajin e kaluar nga EEAS që thoshte se mediat pro-Kremlinit “kanë qenë të spikatura në përhapjen e dezinformatave rreth koronavirusit, me synimin për të përkeqësuar krizën e shëndetit publik në vendet perëndimore, veçanërisht duke minuar besimin e publikut në sistemet kombëtare të kujdesit shëndetësor”.

Raporti i ri thotë se më shumë se 150 raste të dezinformimit pro-Kremlinit për COVID-19 janë regjistruar nga mbikëqyrësi i BE-së EUvsDisinfo që nga 22 janari.

Ai thotë se në BE dhe pjesë të tjera të botës “mesazhet e koordinuara të dezinformimit” synojnë të minojnë besimin e publikut në aftësinë e institucioneve demokratike për t’iu përgjigjur krizës në mënyrë efektive dhe po drejton gishtin drejt pakicave të cenueshme, duke i fajësuar ato për pandeminë.

Brenda vendit, vëren raporti, mediat e kontrolluara nga shteti “kanë zhvendosur fokusin e tyre për të theksuar gatishmërinë e Rusisë për të trajtuar shpërthimin, ndërkohë që ndihma ruse për Italinë u mbulua gjerësisht”.

Mediat sociale vazhdojnë të jenë të bollshme me këshilla të rreme shëndetësore për pandeminë që vijnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me udhëzimet zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thuhet në dokument, duke dhënë shembullin e Sputnik Deutschland, i cili ka promovuar në Facebook dhe Twitter pretendimin se “larja e duarve nuk ndihmon”.

Në Kinë, media shtetërore nënvizon në mënyrë agresive shfaqjet e mirënjohjes nga disa liderë evropianë në përgjigje të ndihmës kineze, ndërsa promovon teori të paprovuara nga zyrtarë qeveritarë për origjinën e koronavirusit, thotë raporti i BE-së.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teoritë e konspiracionit vazhdojnë të priren, disa sugjerojnë se virusi është një bio-armë e prodhuar nga SHBA, të tjerë se është një pretekst për një pushtim të huaj.

Në të njëjtën kohë, kriza e koronavirusit është e lidhur me narrativën ekzistuese se BE-ja po “i kthen shpinën” Ballkanit, thuhet në raport.

(Artikull nga Radio Evropa e Lirë në gjuhën shqipe)

Share With Others