Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një video ku shihet një zonë urbane me ndërtesa, ndërsa në qiell duken gjurmë projektilesh dhe tym nga një shpërthim në qytet.
Përmbajtja është gjetur e publikuar në Facebook të martën (3 mars) në faqet me emrat “InfoShqip.com” dhe “in7.tv”, me mbishkrimin që pretendon se bëhet fjalë për moment një sulmi me raketa nga Irani në Tel Aviv, qytetin izraelit.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info gjeti se këto përmbajtje janë të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA).

Përmbajtja e publikuar nga “in7.tv” ka mbi 1 mijë pëlqime ndërsa ajo e “Infoshqip.com” ka mbi 200 pëlqime.
Pas hulumtimit me anë të makinës së kërkimit “Google”, hibrid.info ka gjetur përmbajtje të mediave kredibile ndërkombëtare, ku konfirmohet se Irani ka sulmuar me raketa balistike qytetin e Tel Avivit (shih këtu dhe këtu).
Mirëpo, duke qenë se në video vërehen pamje që nuk duken plotësisht natyrale, hibrid.info ka verifikuar nëse ajo mund të jetë e gjeneruar me IA.
Pas verifikimit te këtyre dy videove me anë të “HiveModeration.com”, platformës për analizim të përmbajtjeve të krijuara nga IA, rezulton se videoja e “Infoshqip”, ka gjasa të jetë e krijuar nga kjo teknologji.

Ndërsa, verifikimi i videos së “in7.tv”, ku shfaqen pamje më të afruara të të njëjtit shpërthim që shihet në videon e “InfoShqip.com”, nuk tregon rezultate që konfimojnë se videoja ka mundësi të jetë krijuar me IA.
Megjithatë, hibrid.info ka gjetur një artikull që trajton këtë përmbajtje, i publikuar nga “Teyit.org”, një organizatë për verifikimin e fakteve me bazë në Turqi. Në trajtim është vlerësuar se kjo përmbajtje është e gjeneruar nga IA (shih këtu).
Kërkimi i artikujve ku mund të jetë trajtuar kjo përmbajtje është bërë për shkakun se nëpërmjet programit të automatizuar të kërkimit “InVID”, është gjetur se kjo përmbajtje fillimisht është publikuar nga publikues në gjuhë të huaja, e më pas është publikuar si pretendim në gjuhën shqipe (shih këtu).
Artikulli përmend se video që pretendohet të shfaq një raketë të hedhur në Tel Aviv, rezulton të ketë shenja të qarta manipulimi, si gjurmë të paqëndrueshme raketash, automjete të deformuara, tinguj monotonë.
Teksti po ashtu i është referuar platformës “HiveModeration” për vlerësimin.
Ndërsa, “Teyit.org” ka gjetur se fillimisht kjo video u publikua më 2 mars nga llogaria në Instagram me emrin “parallelverse_net”, ku edhe sqarohet se përmbajtja ishte e krijuar me IA (shih këtu).

Analiza:
Videoja e publikuar me pretendimin se paraqet një sulm me raketa nga Irani në Tel Aviv nuk rezulton të jetë autentike.
Megjithëse sulmet ndaj këtij qyteti janë raportuar nga media ndërkombëtare, verifikimet tregojnë se pamjet e shpërndara në këtë video janë të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Ky përfundim ka ardhur pas analizës përmes platformës “HiveModeration” dhe trajtimit të bërë nga platforma për verifikim të fakteve “Teyit.org”.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.