Të fundit | Çka dihet për pretendimin se mjete ushtarake serbe po lëvizin drejt kufirit… Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të… Të fundit | Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin g… Të fundit | Dhjetë burime që hedhin poshtë teoritë konspirative për 11 Shtatorin Të fundit | Vazhdon narrativa ruso-serbe për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova Të fundit | Mihali nuk ka bërë krahasimin mes Listës Serbe dhe nënkryetarëve të PDK-së… Të fundit | Kur temat sociale bëhen karrem për klikime Të fundit | Mbishkrimet nuk e tregojnë se vendimi për këto shtesa është marrë në Greqi Të fundit | Stërvitjet e KFOR-it paraqiten pabazë si përgatitje për trazira në Kosovë
[ ARTIKULLI ]

Videot e gjeneruara me IA të Jake Paulit “nga protesta e 17 shkurtit” gjenerojnë mbi një milion shikime

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Të paktën tri video të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA) e që pretendojnë për pjesëmarrjen e boksierit amerikan Jake Paul në marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë, kanë marrë më shumë se një milion shikime në TikTok.

Dy video u publikuan nga llogaria “fireghtrspov” dhe një tjetër nga “xhekpauli”. Ato bashkërisht kanë gjeneruar dhjetëra mijëra pëlqime e qindra komente, ndër të cilët ka pasur debat nëse janë me IA apo jo.

Video 1

“Jake Paul në zemër të protestës së 17 Shkurtit – LIRIA KA EMËR! Nga Amerika në Prishtinë… sot të gjithë një zë”, është përshkrimi i videos së publikuar një ditë më parë nga “fireghtrspov”.

Videoja paraqet Jake Paul duke ecur e duke iu drejtuar kamerës me fjalët: “Vëlla, kjo është çmenduri me të vërtetë këtu. Lirojini shqipet tona. Lirojeni Hashim Thaçi dhe krejt të tjerët”.

Paul shihet me një fanellë me sloganin “Liria ka emër” ndërsa në prapavijë ka turmë njerëzisht me flamuj kombëtarë shqiptarë.


Nëse dikush nuk e di se Paul nuk flet në gjuhën shqipe dhe se ky zë është i inteligjencës artificiale, atëherë ka edhe detaje tjera që e bëjnë të dyshimtë përmbajtjen.

Marshi “Drejtësi, jo politikë” u organizua në sheshin e Prishtinës. Në shesh nuk ka një ndërtesë të tillë si ajo në videon e shfaqur në TikTok.

Nëse edhe pas këtyre dyshimeve, dikush ende ka paqartësi nëse videoja është joreale, atëherë ekzistojnë platforma për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me IA. Për këtë video, platforma “Hivemoderation” ka nxjerrë rezultat 99.9 për qind me gjasa që të përmbajë përmbajtje të gjeneruar nga IA ose që të jetë deepfake. Deepfake është term që përshkruan materialet – audio, foto dhe video – të krijuara duke e përdorur inteligjencën artificiale  (lexo më shumë për deepfake).

Videoja i ka marrë më shumë se 550 mijë shikime deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info, si dhe më shumë se 13 mijë pëlqime e më shumë se 200 komente.

Video 2

Në videon e dytë, Paul shfaqet duke folur në gjuhën angleze gjoja për televizionin “Klan Kosova”.

“MOMENTI QË ASKUSH NUK E PRISTE, Jake Paul prononcohet për Klan Kosova dhe ka një mesazh që po bën xhiron e rrjetit… A e prisnit këtë deklaratë nga ai?” shkruan në video.

Në anglisht, përkthyer në shqip, Paul pretendohet të thotë: “Kjo është çmenduri që jemi këtu… Lirojeni Hashim Thaçin dhe grupin”.

Në këtë rast, Paul pretendohet se ka folur për një mikrofon të televizionit “Klan Kosova”. Videoja mban edhe logon e “Klan Kosovës” në anën e majtë sipër dhe shkrimin “Edicioni Special” në të djathtë.

Edhe kjo video përmban një grup njerëzish prapa Paulit. Ata dëgjohen tek brohorasin “Liria ka emër”.

Videoja me IA në të majtë dhe pamjet nga videoja reale në të djathtë (shih poshtë)

Logoja e vërtetë e “Klan Kosovës” në transmetimin e ditës së 17 shkurtit ka qenë me ngjyrë të kaltër dhe me kombinime të ngjyrave të flamurit të Kosovës. Ndërkaq në videot në rrjete sociale logoja është e bardhë dhe jo e zezë.

Në një verifikim në “Hivemoderation” del se edhe kjo është video e gjeneruar me inteligjencë artificiale ose deepfake.

Kjo përmbajtje i ka marrë më shumë se 450 mijë shikime, gati 10 mijë pëlqime e më shumë se 150 komente.

Video 3

Videoja tjetër është publikuar nga llogaria “Xhekpauli”. Ajo shfaq Paulin në një hapësirë të madhe të mbushur me njerëz në orët e mbrëmjes. Në anën e majtë shfaqet monumenti “New Born”.

“Ju dua shqipe”, dëgjohet Paul që duket sikur incizon ‘selfie’.

Këndi i pamjeve me plot njerëz, me “NEWBORN-in” në këndin e majtë poshtë, është e paarritshme në realitet. Në këtë zonë nuk ka pjerrësira të tilla që mundësojnë qëndrimin e turmave. Zona është e mbushur me objekte banimi.

Për më shumë, pamjet shfaqin një flamur të Kosovës në xhaketën e Paulit. Aty flamuri i ka 8 yje dhe jo 6 si në realitet.

Edhe kjo video, sipas “Hivemoderation” del të jetë 99.9 për qind me gjasa të gjenerimit me inteligjencë artificiale ose ‘deepfake’.

Përmbajtja i ka marrë më shumë se 130 mijë shikime, gati 4500 pëlqime e 90 komente deri në momentin e trajtimit.


Etiketimi i IA

Për dallim nga dy videot e para, te videoja e tretë qarkullon një logo “Sora”. “Sora” është model i avancuar i krijimit të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, bazuar në shkrimet e propozuara prej përdoruesve.

Dy videot e tjera nuk kanë simbole të modeleve të inteligjencës artificiale për gjenerim të përmbajtjeve me IA. Po ashtu nuk ka etiketim në TikTok se është përmbajtje e gjeneruar nga IA.

TikTok si media sociale e shfaq etiketën e përmbajtjeve të gjeneruara me IA në dy mënyra. E para është kur autori apo publikuesi e cek vetë se përmbajtja është e gjeneruar ose e edituar me IA, ndërsa tjetra është e gjeneruar automatikisht nga TikToku kur ajo identifikohet nga platforma si e tillë (shih këtu).


Për më shumë, në llogaritë zyrtare të Jack Paulit nuk ka publikime si ato të pretenduara në TikTok.

Edhe në “Google” po që se kërkohet me fjalët “Jack Paul protestoi në Prishtinë” nuk shfaqet ndonjë artikull kredibil.


Konteksti:

Më 17 shkurt, në Prishtinë kanë protestuar dhjetëra mijëra qytetarë në marshin e thirrur nga platforma “Liria ka emër”. “Drejtësi, jo politikë” ishte thirrja e këtij marshi, në kërkim të drejtësisë nga Gjykata Speciale në Hagë që po i gjykon ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndër ta janë edhe disa prej ish-udhëheqësve të shtetit, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Jake Paul është boksier amerikan që emër bëri përmes rrjeteve sociale. Si publikues i rregullt në “YouTube” ai u bë një prej krijuesve më fitimprurës nga kjo media sociale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere