[email protected]
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendon pa fakte se sulmi ndaj të moshuarës serbe është i motivuar  nga “retorika e dhunës e krijuar nga Prishtina”
shape
shape
shape

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në ueb-faqen zyrtare të tyre sot (27 gusht) kanë publikuar një reagim në lidhje me rrahjen e një gruaje në veri të Mitrovicës.

Rastin e rrahjes së kësaj gruaje të nacionalitetit serb, ky institucion e interpreton si rezultat i dhunës, siç thuhet, të dhunës që Prishtina ka krijuar javët e fundit.

Mirëpo, në fakt në këtë njoftimit të këtij institucioni serb, nuk arrihet të argumentohet pretendimi se ky incident ka një prapavijë ndëretnike.


Vegëza e reagimit të publikuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:

https://www.kim.gov.rs/v4848.php


Pjesë të reagimit të publikuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të përkthyer:

Plaka serbe Božana R. (84), e cila u rrah brutalisht në shtëpinë e saj në veri të Mitrovicës natën e së enjtes dhe të premtes, është viktimë e banditëve dhe kriminelëve më të këqij, por edhe e atmosferës së dhunës që Prishtina ka krijuar javët e fundit.

Në të kaluarën, në Kosovë dhe Metohi ka ndodhur shpesh që përshkallëzimi i retorikës nxitëse dhe agresive të Prishtinës të pasohet nga inkursionet e ekstremistëve në komunitetet serbe, të cilët gjuhën e urrejtjes së liderëve të tyre politikë shqiptarë e perceptojnë si licencë dhe ftesë për të sulmuar familjet serbe.


Lajmi për rrahjen e gruas nga veriu i Mitrovicës, me emrin Božana R. (84) e ka publikuar sot (27 gusht) portali informativ në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” ku thuhet se ajo u rrah brutalisht nga dy sulmues të maskuar të cilët tentuan ta grabisin. (shih këtu) Sipas viktimës, sulmuesit e maskuar në mes vete kanë folur shqip.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Kosovo-online.com”:

https://www.kosovo-online.com/vesti/hronika/bozana-tukli-su-me-vise-do-pola-sata-izmedju-sebe-su-pricali-na-albanskom-27-8-2022?fbclid=IwAR3ikWcC5hE8w6qdvFIiNqdERe0i9GvRbf9_BPfs0pjjoQFK0nwisawII5c


Pjesë të artikullit të publikuar në “Kosovo-online.com” të përkthyer:

Božana R. (84) nga Mitrovica Veriore është duke u rikuperuar në repartin e kujdesit intensiv të spitalit në Mitrovicën e Veriut, pasi është rrahur brutalisht nga dy sulmues të maskuar të cilët kanë tentuar ta grabisin.

Božana thotë se hajdutët kanë komunikuar me të në gjuhën serbe, por se ata kanë folur me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe.

Në një intervistë për Kosova Online, bashkëbiseduesi ynë thotë se sulmuesit e maskuar kanë hyrë në shtëpinë e saj rreth orës 22:15, duke e hapur derën me forcë.


Ndërlidhja e rastit të rrahjes së gruas nga veriu i Mitrovicës, me retoriken nxitëse të Prishtinës, është një pretendim tendencioz i zyrës. Kjo për faktin se nuk paraqesin asnjë argument që e mbështetë këtë pretendim. Në fakt, faktet duket të jenë në kundërshtim më pretendimin e tyre.

Është vetë viktima, e cila nuk flet për ekzistimin e ndonjë motivi shtesë përveç atij me qëllim grabitje, për të cilin pretendohen nga institucioni serb. 

Fakt tjetër që është në kundërshtim me pretendimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është edhe raporti i Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale Mitrovicë – Veri, rasti në fjalë është vlerësuar si grabitje ku thuhet se, “Viktima femër kosovare ka raportuar se gjersa ajo ishte duke qëndruar në shtëpinë e saj, aty kanë hyrë dy të dyshuar të maskuar dhe duke kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën kanë kërkuar nga ajo paratë. Si pasojë e sulmit fizik viktima ka pësuar lëndime trupore për çka dhe është dërguar në tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime.”


Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në reagimin e publikuar për rrahjen e gruas nga veriu i Mitrovicës, e interpretuan në mënyrë tendencioze si rast i kriminelëve të këqij dhe atmosferës së dhunës së krijuar nga Prishtina zyrtare.

Rasti që ka ndodhur, ashtu siç raporton Policia e Kosovës, ka ndodhur për qëllime grabitëse dhe jo e ndikuar nga retorika e dhunshme e Prishtinës zyrtare, siç pretendon Zyra për Kosovën.

Po ashtu, pretendimi si kanë ndodhur disa raste të sulmeve ndaj serbëve si rezultat i retorikës së dhunës së Prishtinës zyrtare, e cila ka shërbyer si aprovim për këto veprime, është i pabazë dhe përbënë një interpretim tendencioz.

Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës, interpretimet e zyrës për Kosovën i vlerëson si “manipulim i fakteve”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others