[email protected]
Pamjet nuk paraqesin pjesëtarë të FSK-së në Mitrovicën e Veriut, videoja është e vjetër e realizuar në Mitrovicën e Jugut
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Ushtria kosovare ka hyrë sot në veri të Mitrovicës, lufta është afër”, është mbishkrimi në gjuhën serbe i publikuar me një video, në të cilën shihen pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kjo përmbajtje u publikua me datë 23 qershor 2024 nga llogaria në gjuhën serbe “crnahronikaba1” në TikTok. (këtu)

Cila është e vërteta?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se videoja është e vjetër (23 qershor 2023) dhe se e njëjta është realizuar në Mitrovicën e Jugut.


Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria në gjuhën serbe “crnahronikaba1”:


Përshkrimi i video-materlialit të publikuar nga llogaria “crnahronikaba1”

“Vojska kosova danas usla u sjevernu Mitrovicu rat je pred vratima” (përkthimi shqip: Ushtria kosovare ka hyrë sot në veri të Mitrovicës, lufta është afër)


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur video-materialin e njëjtë të publikuar me datë 23 qershor 2023 në faqen zyrtare të mediumit online “Koha.net” në Facebook. Kjo video mban mbishkrimin “Ushtria e Kosovës marshon në Mitrovicë”. (shih këtu)


Mediumi online “Koha.net” përmes një artikulli të publikuar më 23 qershor 2023, kishte deklaruar se 215 ushtarë të Republikës së Kosovës marshuan në jug të Mitrovicës nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër, duke u kthyer në bazë. (shih këtu)

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kishte sqaruar se ky ishte një marshim i kushtëzuar i cili u krye nga regjimenti i tretë, duke shtuar se marshime të tilla janë të rregullta.

“Marshime të tilla janë të rregullta, edhe kjo stërvitje ka qenë pjesë e planit vjetor dhe është realizuar sot, andaj apelojmë që të gjithë të mos japin konotacion tjetër aktiviteteve të tilla. Marshi nuk ka të bëjë me gjendjen e sigurisë në veri të Republikës”, ka deklaruar Mehaj.


Analiza:

Përmes një videoje të vjetër qershor 2023, një llogari në gjuhën serbe në TikTok, ka pretenduar se e njëjta është realizuar më 23 qershor 2024 dhe se paraqet, siç thuhet, “Ushtrinë kosovare” në veri të Mitrovicës.

Videoja qarkullon në internet që nga qershori i vitit 2023 dhe se pamjet paraqesin pjesëtarët e FSK-së gjatë marshimit të rregullt në Mitrovicën e Jugut.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »