info@hibrid.info
Pretendohet pa fakte se Ambasada amerikane mund të kërcënohet ose sulmohet para 28 dhjetorit
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U publikua një artikull me pretendimin se para 28 dhjetorit mund të kërcënohet ose sulmohet Ambasada amerikane në Prishtinë.

Artikulli me këtë pretendim u publikua të mërkurën (3 dhjetor, në ora 16:15) nga portali informativ në gjuhën shqipe, “lecanton27.ch” që operon në Zvicër.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se artikulli në fjalë nuk paraqet asnjë fakt që do ta mbështeste këtë pretendim.

Çka thuhet në artikull?

Në kreun e artikullit, pretendohet se, “sipas disa shërbimeve dhe bisedave” që po qarkullojnë ndër “militantë të opozitës”, një veprim i tillë mund të bëhet me qëllim “jo vetëm për të acaruar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe SHBA-ve, por edhe për të kompromentuar angazhimin kombëtar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti”.

Po ashtu, në artikull thuhet se kërcënimi apo sulmi i ambasadës mund të ndodhë në kohën kur “sot lexuam shumë komente në rrjetet sociale kundër një deklarate të publikuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila akuzon Vetëvendosjen për përçarje me serbët pas vendimit të KQZ-së, e cila refuzoi pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

Mirëpo, autori nuk ofron asnjë fakt në lidhje me këto pretendime.


Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky artikull u publikua pas reagimit publik në Facebook nga Ambasada amerikane, e cila të mërkurën (3 dhjetor, në ora 09:54) reagoi pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke e fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokim të certifikimit. Ambasada në këtë reagim publik i quajti si përçarëse veprimet e LVV-së. (shih këtu)

Reagimi i Ambasadës amerikanë në Facebook, i përkthyer në shqip

Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës.


Me datë 2 dhjetor, KQZ-ja nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të martën pasdite.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimit të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër. Ndërsa anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ abstenuan. (shih këtu artikullin e Radio Evropa e Lirë)


Analiza:

Pretendimi se Ambasada amerikane në Prishtinë mund të kërcënohet apo sulmohet para 28 dhjetorit, nuk bazohet në asnjë fakt.

Ky artikull me këtë pretendim u publikua pas reagimit publik të Ambasadës amerikane, pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit nga KQZ-ja. Ambasada amerikane fajësoi LVV-në për bllokim të certifikimit, duke i quajtur si veprime përçarëse.

KQZ-ja të martën nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër.

Pra, artikulli i publikuar nga “LeCanton27.ch”, bazuar në kohën e postimit, duket se është bërë në vazhdën e kësaj ngjarje. Mirëpo, në përmbajtje nuk ofrohen fakte që do t’i mbështesnin pretendimet e bëra.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e “LeCanton27.ch” si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others