[email protected]
Pretendim i pasaktë se Kamala Harris është shprehur kundër dialogut dhe asociacionit për Kosovën
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një përmbajtje që pretendon se zëvendespresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kamala Harris ka folur për Kosovën.

Pretendimi është publikuar në Facebook nga faqja e mediumit “NTV Televizion”, me anë të një imazhi në mbishkrimin e të cilit shkruan “Kamala Harris ne SHBA bertet Kosova, nuk pranon dialogun dhe asociacionin ne veri”.

A ka folur Kamala Harris për Kosovën?

Në vegëzën bashkangjitur këtij imazhi shfaqet artikulli për këtë lajm, ku nga përmbajtja bëhet e qartë se kemi të bëjmë me opinione të profesorit amerikan Daniel Serwer, i cili ka dhënë qëndrimin e tij për pozicionin e mundshëm të Kamala Harris karshi Kosovës, si kandidate e mundshme për postin e presidentes në zgjedhjet në SHBA.


Vegëza e imazhit të publikuar nga faqja e portalit “ntv.al” në Facebook:

https://archive.is/SKjAs


Imazhi përmban vegëzën e lajmit të publikuar nga ky portal, që është titulluar “Kamala ‘BERTET’ për Kosovën, mund ti duket si Tajvani dhe Ukraina” (shih këtu).

Ndryshe nga titulli, qysh në kreun e këtij teksti bëhet e ditur se qëndrimet e pretenduara nuk janë të shprehura nga Harris. Në hyrje të lajmit thuhet “Profesori amerikan, Daniel Serwer ka komentuar kandidaturën e mundshme të Kamala Harris për presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin e saj në Ballkan”.


Opinioni i profesorit amerikan është gjetur i publikuar në blog-un e tij personal “peacefare.net”, ku mund të verifikohen këto qëndrime të shprehura nga ai (shih këtu).

Pjesa e shkëputur dhe e përkthyer nga opinoni i Serwer ku flet për pozicionin e mundshëm të Harris në raport me Kosovën:

“Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, si Bideni ashtu edhe Trumpi. Kosova mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se Kosova duhet të ruhet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republika Sërpskas. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë të këqija”


Analiza:

Pretendimi se kandidatja e mundshme për presidente, Kamala Harris është deklaruar kundër dialogut dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është i pasaktë.

Këto informacione paraqesin qëndrime të profesorit amerikan, Daniel Serwer për pikëpamjet e mundshme të Harris për Ballkanin dhe Kosovën, gjë e cila nuk bëhet e qartë në titull.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »