[email protected]
Pretendohet pa fakte se ndalimi i dinarit serb në Kosovë është si qëllim i Kurtit për të dëbuar serbët
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Ndalimin e valutës zyrtare të Serbisë, dinarit, në Kosovë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Sërbisë, Petar Petkoviq e ka cilësuar si qëllim të kryeministrit Albin Kurti për të dëbuar popullin serb nga Kosova duke shkaktuar një fatkeqësi humanitare.

Këtë pretendim Petkoviq e bëri duke shfrytëzuar llogarinë e tij zyrtare në X përmes një postimi të bërë sot (1 gusht).

Hibrid.info ka trajtuar edhe më herët këtë narrativ dezinformues serb për ndalimin e dinarit, e që sipas palës serbe ka të bëjë me “dëbimin e serbëve”, por që i njëjti asnjëherë nuk është faktuar.


Vegëza e postimit të Petkoviqit në X:

https://x.com/PetkovicPetar/status/1818907118897975687?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1818907118897975687%7Ctwgr%5Ece78f869c5881fd7c31b05ea119685e634682ff5%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.kurir.rs%2Fvesti%2Fpolitika%2F4421564%2Fpetkovic-o-zabrani-dinara-kurtijev-jedini-cilj-proterivanje-srpskog-naroda

Postimi i Petkoviqit në median sociale X, i përkthyer në shqip:

Një gjysmë viti më parë Kurti vuri në pikëpyetje mbijetesën e popullit serb duke i ndaluar ilegalisht dinarët në Kosovë! Përmes shtatë raundeve negociatash në Bruksel, PR hodhi poshtë çdo propozim konstruktiv nga BG. Qëllimi i vetëm i Kurtit është dëbimi i popullit serb nga Kosova duke shkaktuar një fatkeqësi humanitare! 1/2


Ky postim i Petkoviqit u publikua në ueb-faqen zyrtare të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë “kim.gov.rs”. (shih këtu)

Përveç në këtë ueb-faqe, pretendimi i Petkoviqit zuri vend edhe në disa media në gjuhën serbe si “Rtv.rs”, “Kurir.rs”, “Nin.rs” e “Telegraf.rs”.


Çka kishte njoftuar Banka Qendrore e Kosovës?

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), më 17 janar të këtij viti njoftoi se “Rregullorja e Re për Operacionet me Para të Gatshme” ishte miratuar më 27 dhjetor, 2023, ndërsa do të hynte në fuqi më 1 shkurt, 2024. (shih këtu)

Kjo Rregullore, veç tjerash, përcaktonte se “valutë e vetme e lejuar për përdorim për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.

Çka kishte thënë Kurti?

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, më 1 shkurt, duke iu përgjigjur kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, tha se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura, nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti. (shih këtu)


Për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, kishin reaguar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe ish-kryeministrja serbe Ana Bërnabiq.

Vuçiq kishte thënë se kjo është një përpjekje e kryeministrit Albin Kurti për të “ndaluar pagesat e pagave dhe pensioneve të serbëve lokalë që punojnë në shëndetësi, arsim e institucione të Serbisë” brenda territorit të Kosovës. Ai shtoi se “kjo nënkupton një largim të zëshëm të serbëve nga Kosova”. (shih këtu)

Ndërsa Bërnabiq pretendoi se kryeministri Kurti “po bën gjithçka për të destabilizuar situatën në terren”. (shih këtu)

Hibrid.info përmes një artikulli ka trajtuar deklaratat e mësipërme nga pala serbe, përmes së cilave nuk ofrohet asnjë fakt për të mbështetur pretendimet e bëra. Pra, ndalimi i dinarit serb në Kosovë i shtohet narrativës dezinformuese serbe. (shih këtu artikullin e plotë)


Analiza:

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar se ndalimi i dinarit serb në Kosovë, është qëllim i Kurtit për të dëbuar serbët nga Kosova duke shkaktuar një fatkeqësi humanitare.

Këtë pretendim, Petkoviq nuk e bazon në asnjë fakt. Pretendime të ngjashme ishin bërë edhe më herët nga pala serbe, të cilat po ashtu nuk kanë arritur t’i faktojnë.

BQK, më 17 janar të këtij viti njoftoi se “Rregullorja e Re për Operacionet me Para të Gatshme” përcaktonte se “valutë e vetme e lejuar për përdorim për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë nga Petkoviq të publikuar edhe në mediat në gjuhën serbe si, “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406