[email protected]
Pa fakte pretendohet se gjatë arrestimit të katër serbëve, Policia e Kosovës ka thyer dyert, rrahur dhe keqtrajtuar ata në prani të fëmijëve dhe nipërve të tyre
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës përmes një njoftimi sot (3 gusht) kanë bërë të ditur se i kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS), ka reaguar përmes ueb-faqes së saj “kim.gov.rs”. Në këtë reagim, kjo zyrë pretendon se me urdhër të drejtpërdrejtë të Albin Kurtit, katër serbë janë arrestuar sot në mëngjes, nën akuza të rrejshme për krime të supozuara lufte, duke shtuar se gjatë bastisjeve të mëngjesit të sotëm në shtëpinë e nikoqirëve serbë, policët shqiptarë plaçkitën, thyen derën, rrahën dhe keqtrajtuan të moshuarit në prani të fëmijëve dhe nipërve të tyre.

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ZKQS në reagimin e saj lidhur me arrestimin e qytetarëve serbë, nuk ofron asnjë fakt për pretendimet e lartcekura.


Vegëza e reagimit të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë “kim.gov.rs”:

https://kim.gov.rs/lat/v5639.php


Pjesë nga reagimi i ZKQS-së, i përkthyer në shqip:

Me urdhër të drejtpërdrejtë të Albin Kurtit, katër serbë janë arrestuar sot në mëngjes, në fshatin Pasjanë, përkatësisht Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Millosh Shoshiq dhe Slobodan Jevtiq, nën akuza të rrejshme për krime të supozuara lufte, edhe pse janë njerëz që kanë jetuar në paqe prej vitesh, pa asnjë problem dhe jetojnë në pragun e tyre.

Sipas dëshmitarëve okularë dhe familjarëve të tyre, policia e ROSU-së kishte me vete listat e serbëve kur i arrestoi dhe nuk kishte treguar asnjë urdhër bastisje, gjë që tregon qartë se ata janë ndaluar në mënyrë arbitrare, në baza politike të bazuara në lista sekrete.

Gjatë bastisjeve të mëngjesit të sotëm në shtëpinë e nikoqirëve serbë, policët shqiptarë plaçkitën, thyen derën, rrahën dhe keqtrajtuan të moshuarit në prani të fëmijëve dhe nipërve të tyre. Menjëherë është ofruar ndihma juridike falas për të gjithë të arrestuarit.


Çka thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës?

Pjesë nga njoftimi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë e Krimeve të Luftës, si dhe në koordinim me institucionet e sigurisë e gjykatën kompetente, ka udhëhequr një aksion, i cili ka rezultuar me arrestimin e ndalimin e pesë (5) personave të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Në kuadër të këtij aksioni, me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë. (shih këtu)


Pra, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nuk ofron fakte që do t’i mbështesnin pretendimet e bëra në raport. Ndërsa ky njoftim i kësaj zyre, gjeti vend edhe në disa media në gjuhën serbe, si “Danas.rs”, “Dnevnik.rs”, “B92.net”, “Pravda.rs”, “Radiostoplus.com”, “Kurir.rs” e “Novosti.rs”.


Analiza:

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë përmes një reagimi, ka pretenduar se me urdhër të drejtpërdrejtë të Albin Kurtit, katër serbë janë arrestuar sot në mëngjes, nën akuza të rrejshme për krime të supozuara lufte.

Në këtë reagim, kjo zyrë ngrit edhe pretendim tjetër se gjatë arrestimit të qytetarëve serbë, Policia e Kosovës kanë thyer dyert, rrahur dhe keqtrajtuar të moshuarit në prani të fëmijëve dhe nipërve të tyr.

Për të gjitha këto pretendime, kjo zyrë nuk ofron asnjë fakt të vetëm që do t’i mbështeste ato.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës njoftuan se arrestimi i pesë personave u bë nën dyshimin për veprën penale “Krime Lufte”, të cilët dyshohet se më 5 prill 1999, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në disa fshatra të Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson pretendimet e bëra nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406