Shkroi: Fatbardh Dema
Me titullin “Kurti po përpiqet të zhvendosë tensionet në jug të Serbisë qendrore përmes Bujanocit”, media serbe “Politika.rs”, duke u thirrur në një shkrim të gazetës në gjuhën serbe “Vecernje Novosti”, ka pretenduar pa fakte se organizatori i protestës shqiptare të së hënës (12 gusht) në Luginë të Preshevës ka qenë kryeministri Albin Kurti.
Në shkrim thuhet se kryeministri i Kosovës po tenton që tensionet të cilat “vazhdimisht i mban në veri”, t’i bartë në jug të Serbisë.
Sipas shkrimit të “Politika”, një nga dëshmitë e kësaj është “tubimi i mbajtur së fundmi në Bujanoc, ku u mblodhën disa qindra shqiptarë”.
Çka thotë ky raportim?
Media në gjuhën serbe “Politika” thotë se sipas raportimeve, “gjithçka që u dëgjua dhe u pa ishte konfirmim se arsyeja e vërtetë e tubimit ishte thjesht politike, dhe se organizatori i vërtetë nuk doli në skenë por “dirigjon nga Prishtina””.
“Me mbështetjen e aleatëve të tij politikë, në disa raste ai e shtyu çështjen e ‘luginës së Preshevës’ në tryezën e negociatave të Brukselit, duke tërhequr një paralele të rreme mes pozitës së serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe shqiptarëve në jug të Serbisë qendrore. Kjo ka qenë edhe një nga temat e tij të preferuara sa herë që i është kërkuar të shpjegojë pse AKS-ja nuk është formuar ende”, shkruan “Politika” duke u thirrur në shkrimin e “Novosti” (shkrimi i Vecernje Novosti nuk është publikuar në botimin online të gazetës). (shih këtu të arkivuar)
Vegëza e artikullit të publikuar në “Politika.rs”:
Ballina e gazetës Vecernje Novosti:
Kush e organizoi protestën në Bujanoc?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se protesta në Bujanoc e mbajtur me 12 gusht, është organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc. (shih këtu)
Kryetari i KKSH-së, Nevzad Lutfiu, me datë 10 gusht në profilin e tij zyrtar në Facebook, kishte bërë thirrje për të marrë pjesë në këtë protestë, të cilën e kanë titulluar “PROTESTO PER IDENTITET DHE DINJITET”. (shih këtu)
Postimi i Lutfiut në Facebook:
Analiza:
“Politika.rs”, duke u thirrur në një shkrim të gazetës në gjuhën serbe “Vecernje Novosti”, ka pretenduar pa asnjë fakt se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte organizatori i protestës shqiptare të së hënës në Bujanoc.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se kjo protestë ishte organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc.
Për më tepër, në bazë të kërkimeve që hibrid.info ka bërë, kryeministri Kurti nuk është deklaruar asnjëherë në lidhje me protestën në fjalë.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë nga mediat në gjuhën serbe si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.