Shkroi: Fatbardh Dema
Në Facebook është postuar një video me mbishkrimin se jep detaje për një përplasje të supozuar në mes të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe anëtarit të Kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hoti.
Publikimi i faqes “kliko.info” në Facebook për dy ditë ka gjeneruar më shumë se gjysmë milioni shikime, mbi 700 reagime e më shumë se 410 komente.

Përse po trajtohet kjo përmbajtje?
Në dy raste faqja ka shkruar se detajet për këtë pretendim janë në koment. Duke u bazuar në numrin e komenteve dhe reagimeve mund të vlerësohet se njerëzit e kanë marrë të mirëqenë titullin se mund të shihet përplasje apo edhe thirrjen se detajet janë në koment. Por videoja nuk paraqet ndonjë përplasje të mundshme e as faqja në fjalë nuk ka komentuar për të informuar apo për të publikuar ndonjë vegëz që çon në raportimin për pretendimin në fjalë. (Shih komentet)
“LAJMI I FUNDIT
Çka po ndodh në LDK? – Përplasje Abdixhiku – Hoti? Detajet në koment” është mbishkrimi i videos në të cilën shihet Avdullah Hoti.
“Kjo nuk pritej – Detajet në koment” është përshkrimi i videos.
Bazuar në komentet në video, mund të kuptohet se përmbajtja ka nxitur diskutime mes përdoruesve dhe titulli është marrë si e mirëqenë për “përplasje në LDK”.
Hibrid.info ka verifikuar edhe për përmbajtjet e tjera të publikuara nga kjo faqe e që lidhen me pretendimin e ngjashëm. Më 28 janar, kjo faqe kishte publikuar një imazh të të dy të apostrofuarve me mbishkrimin: “LAJMI I FUNDIT Çka po ndodh në LDK? – Abdixhiku i reagon Avdullah Hotit?” Imazhi u shoqërua me përshkrimin e njëjtë si te videoja: “Kjo nuk pritej – Detajet në koment”. Për dallim nga videopublikimi, faqja ka komentuar te ky imazh me një vegëz, që nëse klikohet çon në një artikull në uebfaqen “klikoketu.info”.
Bazuar në pamjet e përfshira në video-materialin që po trajtohet, hibrid.info ka gjetur se ajo është incizuar më 21 janar, para Akademisë Përkujtimore në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova. Aty nuk shihet të ketë ndonjë përplasje me Abdixhikun. (Shih postimin e LDK-së që e shfaq edhe Hotin me veshjen e njëjtë si në video)
Kontekst dhe vlerësimi i Hotit për Abdixhikun:
Avdullah Hoti ditë më parë ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së.
Në Kuvendin e LDK-së, të ftuar për 31 janar, Abdixhiku ka paralajmëruar se do ta ofrojë dorëheqjen. Ai ka thënë se për dorëheqjen e tij duhet të vendosë Kuvendi i LDK-së.
Ndërkaq, siç ka raportuar media “reporteri.net”, në një intervistë për “T7”, Hoti e ka cilësuar Abdixhikun si aset për partinë.
Analiza:
Për pretendimin për një përplasje mes Lumir Abdixhikut dhe Avdullah Hotit, faqja “Kliko.info” në Facebook ka përdorur video dhe mbishkrim të pasaktë.
Videoja shfaq Hotin në Akademinë Përkujtimore për Ibrahim Rugovën dhe nuk përputhet me pretendimin.
Po ashtu në komente mungojnë “detajet” për çka bëhet thirrje që të klikohet nga faqja. Për shkak se përmbajtja i ka marrë më shumë se 500 mijë klikime për dy ditë, mund të konstatohet se thirrja për “detajet në koment” është perceptuar si e mirëqenë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.