Shkroi: Fatbardh Dema
Në median sociale Instagram është publikuar një postim me pretendimin se nga 10 shtatori, Kosova ofron kurse online falas për të gjithë qytetarët të cilët pas përfundimit do të pajisen me certifikatë dhe do ju ofrohet mundësi punësimi.
Ky postim u gjet i publikuar në Instagram nga faqja “Educar”, e cila është e hapur edhe në Facebook me të njëjtin emër. (shih këtu)
Çka nuk shkon me këtë postim?
Në këtë postim ofrohet një vegëz (link) e cila pasi të hapet ofron mundësi klikimi në disa linqe tjera, por që asnjëra nga to nuk ofron kurse falas në Kosovë. Po ashtu, kjo ueb-faqe rezulton të jetë me besueshmëri të ulët dhe vlerësohet si e dyshimtë.
Vegëza e postimit në Instagram dhe Facebook nga faqet me emër “Educar” (shih këtu dhe këtu)
Çka gjeti hibrid.info?
Faqja në Facebook “Educar në mënyrë të sponsorizuar ka publikuar këtë postim në Instagram. Në Facebook kjo faqe numëron mbi 300 ndjekës dhe në kohështrirje nuk ka asnjë postim. (shih këtu)
Në postimin e publikuar në Instagram, përveç pretendimit për kurse falas, ofrohet edhe një vegëz me emër “onlinecourses055.life”.
Pas verifikimit të kësaj ueb-faqe përmes platformave online për kontroll të domain-eve, rezultoi se e njëjta ka besueshmëri të ulët, vlerësohet si e dyshimtë dhe nuk dihet se kush qëndron prapa saj. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Përmes një postimi në Instagram, pretendohet se Kosova ofron kurse falas dhe se pas përfundimit, ndjekësit e kurseve do të pajisen me certifikata dhe do kenë mundësi punësimi.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky postim është i rremë. Në këtë postim ofrohet një vegëz e cila nuk ofron mundësi për të aplikuar në kurse online.
Kjo vegëz (ueb-faqe) rezultoi të jetë e dyshimtë dhe ka vlerësim të ulët, bazuar në të dhënat e ofruara nga platforma online për verifikim të ueb-faqeve.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.