[email protected]
Ambasada e SHBA-së thotë se nuk ka marrë vendim për anulimin e trajnimeve për Policinë e Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një artikulli të publikuar dje (25 shtator), pretendohet se disa trajnime të ndryshme të Policisë së Kosovës që janë kryer deri së fundmi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, janë anuluar.

Artikulli është publikuar nga portali “dukagjini.com” (shih këtu artikullin e arkivuar), duke shtuar se kështu ka mësuar televizioni (Dukagjini) nga burime të afërta me këto zhvillime.

Mirëpo, në një përgjigje për portalin KlanKosova.tv, nga Ambasada Amerikane në Kosovë kanë mohuar këtë pretendim duke thënë se nuk ka një vendim të tillë.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “dukagjini.com” (shih këtu)

Në artikullin e publikuar në “dukagjini.com”, përmendet komunikata e lëshuar më 30 gusht nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhej në komunikatën e lëshuar pas Operacioneve të Policisë së Kosovës në komunat veriore. (shih këtu)

Deri në momentin e publikimi të artikullit të publikuar nga “dukagjini.com”, thuhet se Ambasada e SHBA-së nuk i është përgjigjur pyetjes nëse ka ndërprerë bashkëpunimin me Policinë, ndërsa as Policia dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë konfirmuar apo mohuar pretendimin për mospërfshirjen e zyrtarëve policor në trajnime.


Nga ana tjetër, sot (26 shtator) “KlanKosova.tv” ka marrë një përgjigje nga Ambasada Amerikane në Kosovë lidhur me këtë çështje. Si dhe Policia e Kosovës ka reaguar nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen e tyre Facebook.

Pjesë nga artikulli i “klankosova.tv”

Zyra për komunikim e Ambasadës i është referuar një deklarate të bërë më 30 gusht, ku thuhej: “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”.

Në vazhdën e kësaj deklarate, Ambasada tha po ashtu se janë duke i përcjellë zhvillimet, por se nuk ka ndonjë vendim për anulim të trajnimeve në këtë kohë.

“Jemi duke vazhduar të rishikojmë këtë çështje, dhe nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë kohë”, thanë për Klankosova.tv nga Ambasada e ShBA-së. (shih këtu)

Përveç mohimit nga Ambasada e SHBA-së, sot (26 shtator) reagoi edhe Policia e Kosovës përmes faqes zyrtare në Facebook, duke mohuar anulimin e trajnimeve me Ambasadën Amerikane në Kosovë. (shih këtu)

Pjesë nga postimi i publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook:

Në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 një ndër objektivat e parapara është edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmes realizimit të trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, përfshirë trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, ndër ta edhe partnerët kryesor strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj e deri më sot ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme, në bashkëpunim me partneret e saj brenda dhe jashtë Kosove, trajnime këto të cilat nuk janë ndërpre në asnjë periudhë kohore, e të cilat vazhdojnë të realizohen edhe më tej.


Analiza:

Pretendimi se janë anuluar disa trajnime të ndryshme të Policisë së Kosovës, të cilat deri tani janë bërë në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, nuk qëndron.

Ambasada e SHBA-së në një përgjigje për “klankosova.tv” ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se “Jemi duke vazhduar të rishikojmë këtë çështje, dhe nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë kohë”.

Gjithashtu, edhe nga Policia e Kosovës është mohuar anulimi i trajnimeve me Ambasadën e SHBA-së, duke thënë se ato nuk janë ndërprerë në asnjë periudhë kohore dhe se vazhdojnë të realizohen edhe më tej.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e publikuar nga “dukagjini.com” si “Përmbajtje te paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »