[email protected]
Parashikimi për numrin e deputetëve në Kuvend paraqitet rrejshëm si sondazh për zgjedhjet parlamentare
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një imazhi është pretenduar për publikimin e një sondazhi lidhur me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt 2025.

Sondazhi i fundit tregon kët rezultat shkatërrues për opozitën Albin Kurti 71%” është mbishkrimi i vendosur nga llogaria “kosova.shqiptarve” në TikTok mbi fotografinë në të cilën paraqiten shifrat e pretenduara për secilën parti.

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se pretendimi se bëhet fjalë për sondazh është i rremë. Fotografia paraqet parashikimin që e ka bërë analisti politik Ibrahim Delija në emisionin televiziv “Debat Plus” të televizionit “Dukagjini” më 16 shtator, si parashikim për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Sipas parashikimit të tij (video), Lëvizja Vetëvendosje do të sigurojë 71 ulëse në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet parlamentare. Partia Demokratike e Kosovës, siç ka parashikuar Delija, do t’i marrë 11 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 10. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, siç ka parashikuar Delija, bashkë do t’i kenë 8 ulëse (AAK 6 dhe Nisma 2).


Publikimi në TikTok nga 17 shtatori e deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info ka marrë mbi 21 mijë shikime, më shumë se 1100 pëlqime e mbi 250 komente.

Rreth sondazheve

Sondazhi është hetim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Dy sondazhet për të cilat ka pasur publikime muajve të fundit janë ai i prillit, kur “reporteri.net” publikoi disa të dhëna për të cilat raportoi se janë marrë nga një sondazh i kryer nga kompania “UBO Consulting” dhe ai qershorit kur “albanianpost.com” publikoi sondazh të realizuar nga kompania “Source” në bashkëpunim me këtë portal. Të dhënat e dy sondazheve tregonin përqindje tjera për Lëvizjen Vetëvendosje.

Javëve të fundit janë shtuar publikimet me pretendime për sondazhe për zgjedhjet. Hibrid.info ka verifikuar disa të tilla. (shih disa këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Nëpërmjet një imazhi është pretenduar se sondazhi i fundit e nxjerr partinë politike, Lëvizja Vetëvendosje, të parën në prag të zgjedhjeve parlamentare, me 71 për qind.

Megjithatë, pas verifikimit nga hibrid.info del se imazhi është marrë nga emisioni “Debat Plus” në “Dukagjini” dhe se grafikat e shifrat në të paraqesin parashikimin që ka bërë analisti Ibrahim Delija në emisionin e 16 shtatorit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë në Telegram si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »