[email protected]
Përzgjedhësi i Serbisë ka folur për Yakinin dhe jo Xhakën
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është pretenduar se përzgjedhësi i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka treguar mesazhin që ia ka dhënë futbollisti me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka, pas ndeshjes së futbollit të shtunën në Ligën e Kombeve, Serbi-Zvicër.

Pretendimi u publikua në disa mediume në gjuhën shqipe që kanë cituar mediume serbe.

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Hibrid.info ka bërë kontroll online të fakteve dhe ka gjetur se deklarata që Stojkoviq pretendohet ta ketë thënë për Xhakën, në fakt e ka thënë për përshëndetjen e tij me përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin.

Për deklaratë të Stojkoviqit kinse për Xhakën fillimisht ka raportuar mediumi në gjuhën serbe “kurir.rs”. E më pas artikulli u publikua në mediume në gjuhën shqipe (“indeksonline.net”, “reporteri.net”, “nacionale.com”, “gazetablic.com”, “klankosova.tv”, “sinjali.com”, “telegrafi.com”, “gazetaolle.com”, “panorama.com.al”, “joq-albania.com” dhe “veriu.info”.

“Më tha mua se gjithçka ishte në rregull, që ato patën një qëndrim të mrekullueshëm dhe gjithçka shkoi mirë”, ka qenë citati që mediat raportuan se është thënë nga Stojkoviqi për Xhakën.

Në raportim këto media e kanë publikuar edhe një video në të cilën Xhaka shihet duke i shtrënguar duart me Stojkoviqin pas takimit.


E vërteta?

Pas fitores së Serbisë, 2:0 të shtunën, në konferencën për media Stojkoviq u pyet për përshëndetjen me përzgjedhjen e Zvicrës, Murat Yakin (shih videon në gjuhën angleze (minuta 8:10) dhe atë në gjuhën serbe).

Se Stojkoviq ka qenë duke folur për Yakinin dhe jo për Xhakën, ka raportuar mediumi tjetër në gjuhën serbe “B92.net”. Pjesë nga shkrimi i këtij mediumi:

Për përshëndetjen me Murat Yakinin:

“Kanë qenë urime të zakonshme. Folëm pak për udhëtimin, pasi do ta shohim njëri-tjetrin pas një muaji sërish dhe kështu… Bisedë e këndshme. Më ka thënë se gjithçka ishte në rregull, se kishin aterruar në aeroportin në Nish, se kanë pasur qëndrim të mrekullueshëm dhe se gjithçka ishte siç duhej”.


Analiza:

Disa mediume në gjuhën shqipe kanë pretenduar se përzgjedhësi i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka folur për përshëndetjen me kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka, pas ndeshjes së futbollit të shtunën në Ligën e Kombeve.

Pretendimi fillimisht u gjet në mediumin në gjuhën serbe “kurir.rs”. Mediat në gjuhën shqipe i kanë cituar “mediat serbe” kur kanë raportuar për deklaratën e Stojkoviqit.

Pasi ka verifikuar konferencën për media dhe deklaratat tjera pas ndeshjes, Hibrid.info ka gjetur se deklarata e Stojkoviqit ka qenë për takimin e tij me përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin, dhe jo për mesfushorin me prejardhje nga Kosova.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e pa verifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »