info@hibrid.info
Shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit u raportua gabimisht si dëmtim i digës
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes dy publikimeve është pretenduar se si pasojë e një shpërthimi Zubin Potok është dëmtuar një digë.

Raportimi u bë nga faqet në Facebook të mediave në gjuhën shqipe “Syri.net Kosova” dhe “Kallxo.com”.

Çka nuk shkon me këto publikime?

Pas verifikimit të fakteve, kuptohet se shpërthimi i së premtes në Zubin Potok ka ndodhur në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit dhe jo në ndonjë digë.

Çka raportuan këto dy media?

Faqja “Syri.net Kosova” të premten ka raportuar për shpërthimin duke thënë se ka ndodhur në digë. “Diga e Iber Lepencit e shpërthyer sonte me bomba në veri të Kosovës ka dëmtuar furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë. Diga Iber lepencit furnizon një pjesë të Kosovës me ujë poashtu edhe KEK-un për të prodhuar rrymën. Shpërthimi i sontëm po shihet kërcenim për sigurin e vendit”, thuhet në postimin e “Syri.net Kosova” në Facebook. (këtu)


Ndërkaq “Kallxo.com” në dy raste ka publikuar pamje të asaj që e ka raportuar si “digë të dëmtuar”. Postimi i saj i parë në Facebook me këtë pretendim u bë në mbrëmjen e së premtes (shih këtu).

Ndërsa në publikimin e dytë, të shtunën (30 nëntor) media ka publikuar në faqen e vet në Facebook një video me titullin: “PAMJE: Kështu duket një ditë më vonë diga e dëmtuar nga shpërthimi në Zubin Potok”. Këtë titull e ka përmirësuar dy orë më vonë duke e ndërruar fjalën “digë” me “kanal”.


E vërteta?

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se shpërthimi ka ndodhur në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ky kanal furnizon disa qytete të Kosovës me ujë nga Liqeni i Ujmanit. Pos tyre, ai e furnizon me ujë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohje të termoelektranave.

Si shpërthim në kanal dhe jo në digë e kanë raportuar edhe Policia, kryeministri Albin Kurti e Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”.

Cili është dallimi i digës dhe kanalit?

Në uebfaqen “fjalori.shkenca.org” jepen shpjegimet për fjalët “digë” dhe “kanal”.


E ndërmarrja “Ibër-Lepenci” në ueb-faqen e vet, në hapësirën e “infrastrukturës” i ka të përmendura dy diga. E para është penda e Ujmanit dhe e dyta ajo e Pridvoricës, që është më e vogël. (Harta skematike)

Në një kërkim në hartë, del të kuptohet se asnjëra nga dy digat nuk është në fshatin Varragë, për të cilin institucionet kanë raportuar se ka ndodhur shpërthimi. 

Një fotografi të distancës nga ku ka ndodhur shpërthimi në fshatin Varragë dhe digës së Ujmanit dhe Pridvoricës, e ka ofruar edhe “evropaelire.org”.


Analiza:

Faqet e portaleve informative “Syri.net Kosova” dhe “Kallxo.com” në Facebook kanë raportuar gabimisht për dëmtimet në kanalin e ujit të Ibër-Lepenci si dëmtime në një digë. Përderisa “Syri.net Kosova” vazhdon ta ketë postimin me përmbajtje të njëjtë, njërin prej dy publikimeve “Kallxo.com” e ka përmirësuar.

Të gjitha autoritetet kompetente në Kosovë e kanë raportuar rastin si shpërthim në kanal dhe jo digë.

Edhe harta tregon se digat që janë në kuadër të infrastrukturës së ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” nuk ndodhen në fshatin Varragë, ku ka ndodhur shpërthimi.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto postime si “Gabim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »