Shkroi: Fatbardh Dema
Një postim i shpërndarë në një rrjet social shfaq një artikull që mban logon e portalit informativ “Reporteri.net”, në titullin e së cilit shkruan “Sondazhi i Institutit Amerikan: Kurti politikani më i besueshëm në Kosovë, Osmani e dyta”.
Ky postim u publikua dje (3 dhjetor) në TikTok nga llogaria “toke.ilirodardane”.
Çka nuk shkon me këtë artikull?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se artikulli është i vjetër, i publikuar në “Reporteri.net” me datë 5 korrik 2022, të cilin hibrid.info e ka gjetur përmes makinës së kërkimit “Google”. (shih këtu)

Artikulli i “Reporterit” i publikuar më 5 korrik 2022 i është referuar rezultateve të publikuara nga sondazhi për Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 në kuadër të projektit të institutit amerikan “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI).

Atëkohë, bazuar në rezultatet e këtij sondazhi, kryeministri Albin Kurti ishte më i pëlqyeri në Kosovë me 28%, ndërsa presidentja Vjosa Osmani, e dyta me 15%.
Hibrid.info ka gjetur sondazhin e fundit të publikuar në korrik të këtij viti nga instituti amerikan IRI. Në pyetjen “Do t’ju lexoj një listë me emra. Për secilin, ju lutem më tregoni nëse keni një mendim shumë të favorshëm, disi të favorshëm, disi të pafavorshëm ose shumë të pafavorshëm për këtë individ. Nëse nuk keni dëgjuar për këtë person ju lutem më tregoni”, Vjosa Osmani u rendit si e para (36%), ndërsa Albin Kurti i dyti (35%). (shih këtu në faqen 39-të)
Analiza:
Një llogari në rrjetin social TikTok publikoi dje (3 dhjetor) një artikull i vitit 2022 bazuar në rezultatet e publikuara nga sondazhi për Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 në kuadër të projektit të institutit amerikan “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI), duke e paraqitur rrejshëm si aktual.
Në ato rezultate, kryeministri Kurti ishte më i pëlqyeri në Kosovë me 28%, ndërsa presidentja Osmani, si e dyta me 15%.
Hibrid.info ka gjetur sondazhin e fundit të publikuar nga ky Institut (korrik 2024), e që rezultatet shfaqin Osmanin si më të pëlqyerën, ndërsa Kurtin të dytin.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim në TikTok si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.