info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm se Hovenier ka kritikuar Haradinajn
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një fotografie në Facebook është lënë të kuptohet se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka kritikuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Liderët politik mundohen të djegin rivalët e tyre, por Ramushi fuqishëm djeg vetveten, politika dhe Ramush Haradinaj jan dy bota diametralmente të kundërta”, është mbishkrimi i vendosur në një fotografi të Hovenierit. Publikimi u bë nga llogaria me emrin Myzafer Muharremi më 21 dhjetor.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se ambasadori Hovenier nuk ka deklaruar një gjë të tillë.

Hibrid.info duke hulumtuar nëpërmjet motorëve të kërkimit, ka gjetur postim të ngjashëm në rrjetin social TikTok. Në këtë media sociale publikimi është bërë nga llogaria “qendresa..12”, po atë ditë. Postimi në fjalë mban tri mbishkrime:

Ambasadori Amerikan i përgjigjet Ramush Haradinajt;

“Kam marrdhënje të mira me Osmanin dhe Kurtin, kontaktet në mes të Qeverive janë të forta dhe të fuqishme “.

Liderët politik mundohen të djegin rivalët e tyre, por Ramushi fuqishëm djeg vetveten, politika dhe Ramush Haradinaj jan dy bota diametralmente të kundërta.


Pra postimi në Facebook nga llogaria Myzafer Muharremi ka marrë vetëm një pjesë të mbishkrimeve që kanë qarkulluar në TikTok.

Krahasimi në foto:


Për më shumë, hibrid.info ka kontrolluar mbi vërtetësinë e deklaratës. Nga verifikimi i fakteve ka rezultuar se një titull i tillë, si në citatin e vendosur në përmbajtjen e publikuar në TikTok, ka qarkulluar në vitin 2022, pas deklaratës së ambasadorit Hovenier në emisionin “Context” në “ATV”. (Video e emisionit)

Deklarata nuk ka qenë përgjigje për Haradinajn, siç pretendohet në TikTok.


Po ashtu, nga kërkimi në motorin online të kërkimit “Google” me fjalët kyçe: “Jeffrey Hovenier Ramush Haradinaj” nuk dalin artikuj me pretendimin si në TikTok e Facebook. Përmbajtjet që hasen aty kryesisht lidhen me takimin e fundit të Haradinajt me Hovenierin, më 19 dhjetor në takimin lamtumirës të Hovenierit si ambasador.

Në postimin në Facebook, kryetari i AAK-së ka thënë se Hovenier ka qenë më shumë se sa ambasador e se i ka ndarë mirënjohje.

Për takimin ka njoftuar edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Aty Hovenier ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar për vazhdimin e lidhjes ndërmjet dy popujve.


Hovenier ka qenë ambasador i SHBA-së në Kosovë nga janari i vitit 2022. Ai ka vendosur të pensionohet (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi në Facebook se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kritikuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është i pavërtetë.

Hibrid.info ka gjetur se ky pretendim në Facebook është marrë nga një publikim në TikTok, që i ka pasur dy pretendime të rreme për deklaratën e Hovenierit. Në publikimin në TikTok është edhe një citat i Hovenierit i dhënë para dy vjetësh për raportet me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti si dhe raportet ndërqeveritare. Pa u bazuar në ndonjë fakt, kjo deklaratë e para dy vjetëve është pretenduar se është thënë si përgjigje ndaj Haradinajt.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson publikimin si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »