Shkroi: Fatbardh Dema
“100 euro për secilin qytetarë të Kosovës, Albin Kurti merr vendim për festat e fundvitit”, mban mbishkrimin një postim i publikuar në TikTok.
Kjo përmbajtje u publikua me datë 22 dhjetor në TikTok nga llogaria “fbi13039”.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i rremë.

Hibrid.info ka hulumtuar në faqet zyrtare të institucioneve të vendit, nga faqja e kryeministrit Kurti në Facebook, e deri te ueb-faqja e Qeverisë së Kosovës, por që në asnjërën prej tyre një vendim i tillë nuk ekziston. (shih këtu)
Me datë 22 dhjetor, Kurti njoftoi se të gjithë fëmijët e moshës 0-16 vjeç e që janë pranues të shtesave mujore për fëmijë, do të përfitojnë nga shtesa e njëhershme e fundvitit në vlerë 100 euro. Përfitues të shtesës së njëhershme prej 100 euro do të jenë edhe pensionistët.
Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët kyçe “Kurti merr vendim për ndarjen prej 100 eurove për secilin qytetar të Kosovës”, por rezultatet nuk shfaqin asnjë informacion të publikuar në media apo burime kredibile. (këtu)
Pra, nuk ka vendim për shpërndarjen prej 100 eurosh për secilin qytetar të Kosovës, siç pretendohet rrejshëm nga llogaria “fbi13039” në TikTok, por vetëm për fëmijët deri në moshën 16 vjeçe dhe për pensionistët.
Një përmbajtje me pretendim të njëjtë ishte publikuar edhe me datë 6 dhjetor nga një llogari tjetër në TikTok, që po ashtu u verifikua nga hibrid.info. (shih këtu)
Analiza:
Pretendimi se Kurti ka marrë vendim për shpërndarjen prej 100 euro për secilin qytetar të Kosovës, është i pasaktë.
Një vendim i tillë nuk është gjetur i kumtuar nga Kurti apo nga ndonjë institucion shtetëror, por as nga ndonjë burim kredibil informacioni.
Vendimi i vetëm që është marrë ditë më parë, është ai për shtesat e fundvitit, ku do të përfitojnë nga 100 euro fëmijët e moshës 0-16 vjeç, si dhe pensionistët.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.