Shkroi: Etrit Rexhepi
Largimin e pagesës për edukimin e hershëm parashkollor në çdo komunë për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike e kishte premtuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Ky premtim ishte theksuar edhe nga Albin Kurti, kandidati i LVV-së për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, në të cilat ky subjekt politik arriti të fitonte shumicën e votave.
A u mbajt premtimi?
Hibrid.info ka gjetur se ky zotim nuk është mbajtur plotësisht.
Analiza:
Hibrid.info ka hulumtuar dhe verifikuar me anë të makinave të kërkimit, dhe ka gjetur se në video-materialin e publikuar më 2 shkurt, 2021, në faqen e kryeministrit Albin Kurti, në Facebook, nga minuta 32:30, shihet e dëgjohet teksa Kurti përmend premtimin që u trajtua në këtë artikull (shih këtu).
Shih fotografinë më poshtë:

I njëjti premtim është gjetur i publikuar edhe në ueb-faqen e LVV-së, në një artikull të publikuar ku tregoheshin prioritetet e këtij subjekti politik.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, që kishte shumicën parlamentare, formoi qeverinë dhe e përfshiu në programin qeverisës heqjen e pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike (shih këtu).
Shih fotografinë më poshtë:

Në dhjetor, nisi pilotimi i skemës së kuponëve, që do t’i subvencionojë familjet në rajonin e Prishtinës, Lipjanit dhe Gjilanit, që përfitojnë nga ndihma e skemës sociale që dërgojnë fëmijët e tyre nga tre deri në pesë vjeç në çerdhe (këtu).
Pra, ky zotim ka nisur si pilot projekt vetëm në tri komuna e jo në të gjitha, si u premtua.
Në njoftimin nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (23 janar) ftohen për aplikim familjet nga komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Lipjanit, të cilat janë përfituese të Skemës së Asistencës Sociale dhe që kanë një apo më shumë fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç, për të përfituar nga Programi i Kuponëve.
Rastet që hibrid.info ka gjetur, ku familjet e cenueshme janë përfshirë në skema mbështetëse nga kjo qeveri, përfshijnë skemën e re të asistencës sociale, e cila ka nisur më 18 maj 2024, dhe programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, nëpërmjet të cilit ishin subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Përfundimi:
Premtimi për largimin e pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike nuk është realizuar plotësisht.
Pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se në dhjetor, nisi pilotimi i skemës së kuponëve, që do t’i subvencionojë familjet në rajonin e Prishtinës, Lipjanit dhe Gjilanit, që përfitojnë nga ndihma e skemës sociale që dërgojnë fëmijët e tyre nga tre deri në pesë vjeç në çerdhe. Pra, ky zotim ka nisur si pilot projekt vetëm në tri komuna e jo në të gjitha, si u premtua.
Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, mos realizimin e këtij zotimi, hibrid.info e vlerëson si “premtim jo të mbajtur”.
Arsyetimi:
Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.
Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).