Përgatiti: Festim Rizanaj
Përmbajtjet mashtruese dhe ato të pa verifikuara ishin kategoritë kryesore të keqinformimit që dominuan gjatë javës së kaluar, si në mediat sociale ashtu edhe në mediat tradicionale.
Përmbajtjet mashtruese u publikuan në mesazhe telefonike dhe në Facebook. Një SMS i dyshimtë në gjuhën shqipe u shpërnda me pretendimin se një dërgesë postare nuk mund të dorëzohej, duke përfshirë një vegëz të dyshimtë. Ndërkohë, në disa faqe në Facebook u publikuan fotografi të grafiteve me mbishkrimin “Kryeministër Hajvan”, por verifikimet treguan se ato ishin gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA).
Përmbajtjet e pa verifikuara u publikuan në Telegram dhe në një emision televiziv. Në Telegram, aktivisti serb Alleksandar Aresnijeviq dhe kanali në gjuhën serbe “Bunker” publikuan pamje dhe pretendime se gjashtë të rinj serbë u arrestuan pa arsye në Mitrovicë të Veriut, ndërsa Policia e Kosovës raportoi se ata kishin sulmuar zyrtarët policorë në gjendje të dehur. Në emisionin “Pressing” në T7, panelisti Dardan Islami pretendoi se baza ushtarake amerikane në Greqi do të mbyllej, duke iu referuar raportimeve mediatike. Megjithatë, kjo deklaratë u mohua nga Donald Trump, i cili kundërshtoi pretendimet për një tërheqje ushtarake nga Greqia.
Teoria konspirative u publikua në Telegram nga kanali serb “BUNKER” më 21 shkurt. Në postim pretendohej se autorët e plaçkitjes së një kishe në Cërnicë të Gjilanit ishin shqiptarë dhe se ata kishin marrë gjësende me vlerë rreth 900 euro. Megjithatë, hulumtimi i kryer nga hibrid.info tregoi se identiteti i kryerësve ende nuk është konfirmuar.
Manipulimi i fakteve u publikua nga mediumi serb Kurir.rs, i cili raportoi se SHBA-ja kërcënon Kosovën me ndërprerjen e marrëdhënieve bilaterale pas mbylljes së qendrave serbe të kujdesit social në veri. Megjithatë, deklarata e Ambasadës Amerikane në Kosovë vetëm shprehte shqetësimin për këtë veprim, duke theksuar se mund të kishte pasoja të dëmshme për qytetarët dhe marrëdhëniet bilaterale, por nuk përmendte apo sugjeronte ndërprerjen e tyre.
Gabimi u publikua në disa portale, ku pretendohej se Abetarja e parë shqipe u botua 128 vjet më parë, duke iu referuar vitit 1897. Në fakt, botimi ka ndodhur në 1879, pra 146 vjet më parë.
Dezinformata u publikua në TikTok ku u pretendua se Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët. Verifikimi tregoi se lajmi ishte i vjetër dhe i ripublikuar si i ri.
Teori konspirative
Përmes një postimi në Telegram pretendohet se autorët e plaçkitjes së një kishe në Cërnicë të Gjilanit janë shqiptarë, të cilët kanë marrë gjësende me vlerë rreth 900 euro. Ky pretendim u publikua në median sociale Telegram nga kanali në gjuhën serbe “БУНКЕР” (BUNKER) me datë 21 shkurt. Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, u vërtetua se ende nuk dihen kryerësit e kësaj vepre. (këtu)
Mashtrim
Një mesazh (SMS) po shpërndahet në telefona në gjuhën shqipe ku shkruan “Posta juaj nuk mund të dërgohet sepse askush nuk është në shtëpi”. Mesazhit i është bashkangjitur një vegëz dhe udhëzime se si të hapet ajo. Por, gjetjet tregojnë se ky mesazh është i dyshimtë. (këtu)
Janë publikuar fotografi të grafiteve në formë murali, me mbishkrimin “Kryeministër Hajvan”. Këto fotografi janë gjetur të publikuar në disa faqe në Facebook. Hibrid.info me anë të disa platformave ka detektuar se këto fotografi janë gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)
Manipulim i fakteve
Mediumi serb Kurir.rs ka raportuar se SHBA kërcënon Kosovën me ndërprerjen e marrëdhënieve bilaterale pas mbylljes së qendrave serbe të kujdesit social në veri. Në deklaratën e saj, Ambasada Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin për këtë veprim, duke theksuar se ai mund të ketë pasoja të dëmshme për qytetarët dhe marrëdhëniet bilaterale. Megjithatë, në asnjë pjesë të deklaratës nuk përmendet apo sugjerohet ndërprerja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Gjashtë të rinj serbë u arrestuan në orët e para të së martës në Mitrovicë të Veriut. Aktivisti dhe politikani serb, Alleksandar Aresnijeviq, publikoi pamje nga arrestimi dhe një bisedë me një nga të rinjtë, i cili pretendon se ndalimi ishte i panevojshëm pas një mosmarrëveshjeje të vogël. Edhe kanali serb në Telegram, “Bunker”, publikoi një video duke pretenduar se arrestimi ishte pa arsye. Ndërkohë, Policia e Kosovës deklaroi se të rinjtë, në gjendje të dehur, kishin sulmuar tre zyrtarë policorë, të cilët më pas kërkuan trajtim mjekësor. Ata dyshohen për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. (këtu)
Në emisionin debatues “Pressing” të televizionit T7, të transmetuar mbrëmë më 25 shkurt, u pretendua se baza ushtarake e trupave amerikane në Greqi do të mbyllet. Këtë pretendim e bëri një nga panelistët, Dardan Islami, duke iu referuar raportimeve mediatike, sipas të cilave baza në fjalë është mbyllur. Megjithatë, kjo deklaratë është mohuar nga vetë Donald Trump, i cili ka kundërshtuar raportimet që flasin për një tërheqje ushtarake amerikane nga Greqia. (këtu)
Gabim
Disa portale kanë publikuar pretendimin se Abetarja e parë në gjuhën shqipe është botuar 128 vjet më parë, duke e lidhur këtë me botimin e “Alfabetares së gjuhës shqipe” më 27 shkurt 1897. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve, është konstatuar se ky botim ka ndodhur në vitin 1879, çka do të thotë se “Alfabetarja e gjuhës shqipe” është publikuar 146 vjet më parë. (këtu)
Dezinformatë
Përmes një postimi në TikTok në fund të shkurtit, u pretendua se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16 vjet. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se lajmi është i vjetër, i cili u ripublikua, si duket, me qëllimin që të paraqitet si vendim aktual nga Qeveria e Kosovës. (këtu)