info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Ndërlidhje konspiracioniste të zyrtarëve serbë mes Kurtit dhe kaosit në Kuvendin e Serbisë, mesazhe mashtruese në media sociale
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Javën e kaluar, përmbajtjet mashtruese ishin kryesore në ekosistemin e keqinformimit në Kosovë, duke u shpërndarë kryesisht në TikTok, Facebook dhe ueb-faqe të dyshimta.

Përmbajtjet mashtruese u publikuan  në TikTok, Facebook dhe ueb-faqe të dyshimta. Një video e publikuar nga llogaria “shqip010” në TikTok manipuloi audion përmes Inteligjencës Artificiale (IA), duke pretenduar gabimisht se një gazetar kishte komentuar për ish-presidentin Hashim Thaçi. Në Facebook, përdoruesve iu dërgua një mesazh mashtrues që kërcënonte me mbylljen e faqeve të tyre, ndërsa një ueb-faqe e dyshimtë “bino-em.sbs” reklamoi produktin mjekësor “Flexiwell” me informacione të rreme. Po ashtu, një llogari në TikTok, “goplusenergy_drink”, promovoi një lojë shpërblyese mashtruese, duke përdorur përmbajtje të vjedhur nga marka zyrtare.

Përmbajtja e pa verifikuar u publikua në Facebook me një pretendim të vjetër se në dalje të Prishtinës gjenden 640 mijë tonelata ari, duke keqinterpretuar një raport të kompanisë britanike “Western Tethyan Resources”.

Manipulimi i faktit u publikua në Facebook dhe pretendonte se kryeministri Albin Kurti i quante shqiptarët kriminelë dhe serbët engjëj, ndërsa audioja ishte e montuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit nga një fjalim i tij në 2014.

Teoria konspirative erdhi nga kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq në kuvend, Lista Serbe në Facebook dhe Petar Petkoviq në “X” ku e lidhën pa prova incidentin me bomba tymuese nga opozita me Albin Kurtin, duke e paraqitur si pjesë të një komploti kundër Serbisë.

Lajmi i rremë u publikua në rrjete sociale, duke pretenduar se kandidatja e LDK-së, Marigona Geci, ka deklaruar se partia e saj do ta votojë qeverinë e Albin Kurtit.

Dezinformatat u përhapën në Facebook, Telegram dhe platformën “X”, duke përfshirë pretendime të rreme për thirrje “UÇK” në Kuvendin e Serbisë, arrestimin pa arsye të fëmijëve në Mitrovicën e Veriut dhe një keqinterpretim të identitetit të Agron Bekës si prokuror.

Clickbait u publikua në Facebook nga Klan Kosova më 6 mars, me titullin “Kritika e Jasharit – ‘Kjo qeveri, brenda ka njerëz anti UÇK’”. Tema ishte një manipulim që përdorte imazhin e Rifat Jasharit dhe krijonte një përshtypje të gabuar se ai kishte bërë një deklaratë kritikuese ndaj qeverisë.

Përmbajtje e paverifikuar

Në një postim në Facebook, më 2 mars 2025, faqja “Pernime” ka kthyer një pretendim të para disa vjetëve për pasuritë e Prishtinës. “640 mijë tonelata ari, kompania britanike njofton se janë në dalje të Prishtinës”, thuhet në mbishkrimin e një fotografie të publikuar nga kjo faqe. Hibrid.info pati trajtuar pretendimin e njëjtë, të publikuar nga disa media në gjuhën shqipe dy vjet më parë. Bëhej fjalë për një hulumtim të kompanisë britanike “Western Tethyan Resources”. Por hibrid.info pati gjetur se në publikimin e kësaj kompanie nuk jepen të njëjtat shifra. Në publikim thuhet se janë zbuluar 640 mijë tonelata xehe me potencial ekstraktimi të arit dhe jo ari i pastër. (këtu)

Mashtrim

Publikohet një video-material që shfaq një person teksa flet, me mbishkrimin që pretendon se bëhet fjalë për një gazetar, i cili është shprehur i befasuar nga fjalët e këqija për ish-presidentin Hashim Thaçi, pas takimit me disa shqiptarë nga diaspora. Kjo përmbajtje është publikuar (2 mars) nga një llogari me emrin “shqip010”. Përveç mbishkrimit, edhe në audion nga kjo video, dëgjohet i njëjti pretendim. Audioja që dëgjohet në video, është e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). Personi në pamje nuk flet për atë që pretendohet. (këtu)

Përdoruesit e Facebookut kanë pranuar një mesazh paralajmërues në seksionin e mesazheve, ku pretendohet se faqja e tyre do të mbyllet përgjithmonë për shkak të një gabimi në menaxhim. Mesazhi përmban një vegëz (link), e cila kërkohet të klikohet nëse përdoruesi beson se bëhet fjalë për një gabim nga ana e Facebookut. Ai është shkruar në gjuhën shqipe, por dërguesi mban një emër të huaj, “Walter Silva”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se ky mesazh nuk vjen nga Facebook (META) dhe se i njëjti është mashtrim. (këtu)

Një ueb-faqe në gjuhën shqipe “bino-em.sbs” pretendon se ofron mundësi për të blerë një produkt mjekësor, të quajtur “Flexiwell” për një çmim prej 5 eurosh. Ky produkt sipas ueb-faqes përdoret kundër dhimbjes së shpinës dhe nyjave. Në këtë ueb-faqe, mbi këtë pretendim janë vënë flamuri i Kosovës dhe logoja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), si dhe pretendohet se për të blerë atë produkt duhet të përgjigjeni në 6 pyetje. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo ueb-faqe është mashtruese “Phishing”. (këtu)

Llogaria me emrin “goplusenergy_drink” në TikTok pretendon për lojë shpërblyese për ndjekësit e saj. Kjo llogari ka publikuar gjashtë video për dy ditë dhe u kërkon ndjekësve të hyjnë në një vegëz që shfaqet në llogari për shpërblimin. Por kjo faqe, sipas gjetjes së hibrid.info, është e rrezikshme. Po ashtu përmbajtja e publikuar është marrë nga postimet e mëhershme të llogarisë zyrtare të brendit të pijes energjike. (këtu)

Manipulim i fakteve

Në një faqe në Facebook u publikua një video ku shihet kryeministri Albin Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila, me një mbishkrim që pretendonte se ai i quante shqiptarët kriminelë dhe serbët engjëj dhe zë të montuar duke thënë se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët”. Pas verifikimeve, u konfirmua se zëri në video ishte montuar dhe deklarata ishte shkëputur jashtë kontekstit nga një fjalim i Kurtit në Kuvend më 23 prill 2014. (këtu)

Teori konspirative

Në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës shkaktuan incident gjatë së martës (4 mars) duke hedhur bomba tymuese dhe duke shpalosur pankarta kundër qeverisë, pasi kundërshtuan rendin e ditës. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, Lista Serbe dhe Petar Petkoviq e lidhën këtë ngjarje me Albin Kurtin, duke i cilësuar opozitarët si bashkëpunëtorë të tij. Këto deklarata, pa asnjë bazë, synojnë ta lidhin këtë ngjarje me Kurtin dhe ta paraqesin çdo kundërshtim ndaj pushtetit atje si pjesë të një komploti të Kurtit kundër Serbisë. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një postimi pretendohet se kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Marigona Geci, është shprehur se ky subjekt politik do ta votojë qeverinë e Albin Kurtit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Madje edhe vetë babai i Marigonës, Gani Geci përmes një komenti ka demantuar një gjë të tillë. (këtu)

Dezinformatë

Është pretenduar përmes një videoje të publikuar në Facebook se në mesin e tensioneve në Kuvendin e Serbisë të martën (4 mars) ka pasur thirrje “UÇK, UÇK”. Por në audio dëgjohen thirrjet “ustashe” që u referohen nacionalistëve ekstremë kroatë dhe jo Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu kjo konfirmohet nga raportimi i medias në gjuhën serbe “n1srbija”. (këtu)

Më 6 mars, kanali serb në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER) dhe një llogari në X (ish-Twitter) shpërndanë një pretendim të rremë se autoritetet kosovare kishin arrestuar fëmijë të mitur pa arsye dhe pa njoftuar prindërit. Sipas hibrid.info dhe mediumit serb “Kossev.info”, gjashtë të mitur (fillimisht raportuar si katër serbë dhe dy shqiptarë) u arrestuan në Mitrovicën e Veriut për shkak të një konflikti mes tyre. Më vonë, Policia e Kosovës sqaroi se në stacion qëndruan vetëm një boshnjak dhe dy shqiptarë, ndërsa tre serbë u liruan. Rasti u cilësua si “lëndim i lehtë trupor”. (këtu)

Llogaria “Durim Elshani” në platformën “X” ka publikuar një fotografi që paraqet Agron Bekën dhe pasurinë e deklaruar para tre vjetëve. Në publikim llogaria ka shkruar “Një prokuror i Kosovës”. Por e vërteta është se Beka nuk ka qenë e as nuk është prokuror i Kosovës. Ai është profesor universitar dhe ka qenë për tre vjet “anëtar joprokuror” i Këshillit Prokurorial të Kosovës, pas votimit në Kuvendin e Kosovës. (këtu)

Clickbait

Është publikuar një video-material me mbishkrimin “Kritika e Jasharit – ‘Kjo qeveri, brenda ka njerëz anti UÇK’”. Videoja, në të cilën para se të klikohet shihet imazhi i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, komandantit dhe themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), është publikuar në faqen e televizionit “Klan Kosova” në Facebook më 6 mars. Në bazë të përshkrimit që është vendosur në video dhe në bazë të fotografisë së kopertinës së videos, mund të thuhet se para se të klikojë videon, audienca mund të besojë se deklarata e paraqitur ka ardhur nga Rifat Jashari. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »