Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”… Të fundit | Kujtesa që chatbot-i ruan për ty mund të formësojë realitetin informativ që… Të fundit | Kur fotografia nuk identifikohet me ngjarjen Të fundit | SMS mashtrues në emër të një banke
[ ARTIKULLI ]

Deklarata të pavërteta dhe të paqëndrueshme për sipërfaqet e mbjella me grurë

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Kosova thuhet se këtë vit ka arritur një rekord të ri në sektorin e bujqësisë, atë për mbjelljen e grurit, me mbi 74 mijë hektarë sipërfaqe të mbjellë në total në nivel vendi, apo 21 mijë hektarë më shumë sesa në vitin e kaluar. E vlera e rendimentit të grurit theksohet se është mbi 56 milionë euro.

Këto janë pretendimet e ofruara me anë të një video-materiali të publikuar dje (8 korrik) nga Faton Peci, ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR).

Mirëpo, shifrat zyrtare i demantojnë këto pretendime.

Çfarë u pretendua me postimet dje?

Në videon e postuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, me mbishkrimin “Mirëmëngjesi Kosovë me një rekord të ri në bujqësi”, ministri në detyrë Peci thotë: “Vitin e kaluar shënuam rekord të të mbjellurave dhe rendimentit dhe siguruam bukën e motmotit. E këtë vit kemi thyer rekord të ri. Janë mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa vitin paraprak. Marrë në tërësi, me një mesatare minimale, Kosova minimalisht ka prodhuar këtë vit mbi 56 milionë euro në vlerë të sasisë së grurit dhe mbi 74 mijë hektarë në nivel vendi, që është rekord i ri në sektorin e bujqësisë.” (shih këtu).

Pas publikimit të kësaj video, në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Facebook është publikuar një fotografi, duke iu referuar të dhënave nga deklarimi i ministrit në detyrë. Ndër të tjera, në postimin e LVV-se thuhet: “Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se Kosova ka thyer rekordin për mbjelljen e grurit, duke shtuar mbi 21,000 hektarë krahasuar me vitin 2024 dhe arritur mbi 74,000 hektarë total, vlerën mbi 56 milionë euro.” (shih këtu).

Pas postimit të LVV-së, pretendimi për 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa në vitin 2024 u dha edhe nga Albin Kurti, kryeministri në detyrë, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, (shih këtu).

Disa orë më vonë, gjatë po të njëjtës ditë, ministri në detyrë Peci publikoi një tjetër video nga vizita në fshatin Sopijë të Therandës tek një fermer. Në përshkrimin e videos, i njëjti ndër të tjera ka shkruar: “40% është rritja e sipërfaqeve të mbjella me grurë krahasuar me vitin 2024, apo 21,500 hektarë më shumë, nga 53 mijë hektarë sa ishin vitin e kaluar, këtë vit kemi arritur plot 75 mijë hektarë.” (shih këtu).

Sa ishte sipërfaqja e mbjellur me grurë vitin e kaluar?

Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, por nuk ka gjetur statistika zyrtare të cilat do të qartësonin se sa sipërfaqe është mbjellur me grurë në vitin 2024 (shih këtu).

Vitin e kaluar hibrid.info kishte hulumtuar shifrat të cilat paraqiteshin nga ministri Peci, sa i përket të mbjellave, prodhimit dhe rendimentit të grurit në Kosovë (shih këtu). Për të krahasuar të dhënat atëherë, hibrid.info ishte bazuar në një artikull të publikuar në “Gazetën Express”, ku sipas përgjigjes së MPBZhR-së, tregohej se duke u bazuar në numrin e aplikimeve për subvencione, sipërfaqet e përgjithshme të mbjella me grurë për vitin 2024 ishin mbi 65 mijë hektarë (shih këtu).

Ndërsa, në një video të publikuar më 23 shtator 2024, nga faqja në Facebook e subjektit politik “Partia GUXO”, ministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i kësaj partie, Faton Peci, deklaronte se sipërfaqja e mbjellë me grurë për vitin 2024 ishte 64 mijë hektarë. “Të dashur qytetarë, këtë vit toka e bekuar e Kosovës shënoi rekordin më të madh në histori në prodhimin e grurit duke siguruar bukën e motmotit.” dhe “Rreth 64 mijë hektarë janë të mbjellura me grurë vetëm për këtë vit”, thuhet ndër të tjera në këtë video nga Peci (shih këtu).

E njëjta video ishte publikuar edhe në llogarinë e Faton Pecit në Facebook.

Sa rezulton se ishte sipërfaqja e mbjellur me grurë vitin e kaluar nga postimi i djeshëm?

Në fotografinë e publikuar dje (8 korrik) nga LVV, shkruan:

REKORD I RI NË MBJELLJEN E GRURIT – 2025

+21,000 hektarë më shumë të mbjella krahasuar me vitin 2024.

Në total, janë mbjellë mbi 74,000 hektarë me grurë në nivel vendi – një rekord i ri për sektorin e bujqësisë në Kosovë.

Bazuar në një mesatare minimale të çmimit, vlera e prodhimit për këtë vit vlerësohet në mbi 56 milionë euro.” (shih këtu).

Sipas llogaritjes me të dhënat në këtë postim, nëse këtë vit janë mbjellë mbi 74 mijë hektarë, apo 21 mijë hektarë më shumë sesa vitin e kaluar, me zbritjen e kësaj shume të fundit nga totali i këtij viti, nënkuptohet se në vitin 2024 janë mbjellë 53 mijë hektarë. E kjo shumë, nuk përkon me shumat 64 mijë (siç thuhet në video) dhe 65 mijë (siç thuhet në artikull), të cilat janë përmendur nga ministri në detyrë dhe Ministria e Bujqësisë për vitin e kaluar.

A është arritur rekord i ri në mbjelljen e grurit gjatë këtij viti?

Nga Raporti i Gjelbër i Kosovës 2023 i hartuar nga MPBZhR, ku përfshihen të dhënat për periudhën 2018–2022, rezulton se sipërfaqja më e madhe e mbjellë me grurë është regjistruar në vitin 2018 (81,123 ha), ndërsa ajo më e vogla në vitin 2022 (79,984 ha).

Kurse, Anketa e Ekonomive Bujqësore 2023, e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregon se sipërfaqja e mbjellë me grurë në vitin 2023 ishte 80 025.01 ha.

Përfundimi:

Pretendimi i ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, se Kosova ka shënuar rekord të ri me sipërfaqet e mbjella me grurë (74 mijë hektarë), nuk qëndron. Sipas statistikave zyrtare, gjatë viteve 2018–2023, sipërfaqet e mbjella me grurë kanë qenë më të mëdha krahasuar me këtë vit. Kurse për vitin 2024, nuk ka të dhëna zyrtare.

Të vetmet të dhëna të disponueshme për vitin e kaluar janë deklaratat e ministrit Peci dhe zyrtarëve të MBPZhR-së, të cilët kishin thënë se sipërfaqet e mbjella me grurë ishin 64 deri në 65 mijë hektarë. Ndërkohë, për vitin 2024, ministri në detyrë Peci tash po pretendon se janë mbjellë 53 mijë hektarë me grurë.

Në përputhje me kriteret e kategorizimit të deklaratave që lidhen me fakte objektive dhe të verifikueshme, deklarata e Pecit për rekordin e ri, hyn në kategorinë e vërtetësisë.

Ndërsa, krahasimi mes deklaratave aktuale dhe atyre të mëparshme publike të ministrit Peci lidhur me sipërfaqet e mbjella me grurë për vitin 2024, tregon se kemi të bëjmë me vlerësim të qëndrueshmërisë së deklaratave.

Bazuar në metodologjinë e vlerësimit të deklaratave, pretendimi për një rekord të ri në sipërfaqet e mbjella me grurë, vlerësohet si “i pavërtetë”, ndërsa ndryshimi i shifrës nga 64 mijë në 53 mijë hektarë të mbjella me grurë, e bën deklaratën “të paqëndrueshme”.

Arsyetimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Kategoria e qëndrueshmërisë vlerëson qëndrimet subjektive të bartësve të funksioneve publike për çështje në fushën e punës dhe kompetencave të tyre, si dhe veprimet e tyre në lidhje me pikëpamjet e shprehura. Vlerësimi i qëndrueshmërisë jepet në bazë të një krahasimi në mes të pikëpamjeve aktuale dhe të deklaruara më parë publikisht të akterëve politikë. Nëse qëndrimet për një çështje nuk ndryshojnë gjatë angazhimit publik të personit të monitoruar, deklaratat e tilla vlerësohen si të qëndrueshme. Ndërsa nëse ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimet, deklaratat e tilla vlerësohen si të paqëndrueshme.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere