info@hibrid.info
Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nuk ishte grusht shtet, siç pretendon Lavrov
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull me titullin “LAVROV PËR KOSOVËN: Ua morët serbëve tokën e tyre historike!

Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (15 tetor) në mediumin në gjuhën serbe “pravda.rs”.

Hibrid.info ka trajtuar pretendimin për grusht shteti, i cili sipas Sergey Lavrov, ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë erdhi pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, gjë e cila, sipas tij, shkelte rëndë të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ky pretendim del të jetë i pasaktë sepse pavarësia e Kosovës nuk përmban asnjë element që përputhet me përkufizimin e grushtit të shtetit.


Analiza:

“E dini, ata deshën t’ua marrin Kosovën serbëve. Dhe në thelb e bënë këtë, duke kryer një grusht shteti në vitin 2008, sepse njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës shkelte rëndë të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcaktonte parametrat e shtetësisë serbe, përfshirë Kosovën. Ata e njohën Kosovën dhe, me këtë veprim, kryen një grusht shteti – ua morën serbëve tokat e tyre historike, të lidhura me lindjen e fesë ortodokse të të gjithë popullit serb, dhe shumëçka tjetër”, kujtoi ministri rus.

Kjo është deklarata e Lavrov e paraqitur në tekstin e publikuar në “pravda.rs”.

Për të vlerësuar këtë pretendim, hibrid.info ka hulumtuar për karakteristikat e zakonshme që përcaktojnë një grusht shteti.

Në bazë të Enciklopedia Britannica, që është një burim i verifikuar për informacion enciklopedik dhe historik, “grusht shteti është rrëzimi i papritur dhe i dhunshëm i një qeverie ekzistuese nga një grup i vogël”. “Kushti kryesor për një grusht shteti është kontrolli i të gjitha ose një pjesë të forcave të armatosura, policisë dhe elementeve të tjera ushtarake” (shih këtu).

Ngjashëm edhe sipas Merriam-Webster, një kompani e Enciklopedisë Britannica, grusht shteti është “përdorim i papritur dhe vendimtar i forcës në politikë; veçanërisht: rrëzimi ose ndryshimi i dhunshëm i një qeverie ekzistuese nga një grup i vogël” (shih këtu).

Ndërsa sipas një artikulli me studime krahasuese, “grusht shteti është një përpjekje e paligjshme dhe e hapur nga ushtria ose elitat brenda aparatit shtetëror për të rrëzuar lidershipin ekzistues”. (shih këtu)

Nga këto përkufizime mund të nxirren disa karakteristika kryesore që e dallojnë grushtin e shtetit nga format e tjera të ndryshimeve politike: ai zakonisht ndërmerret nga një grup relativisht i vogël elitash politike ose ushtarake, përdor forcën ose kërcënimin me forcë, ndodh jashtë procedurave kushtetuese dhe ligjore, synon rrëzimin e liderëve ekzistues ose zëvendësimin e qeverisë, dhe shfrytëzon strukturat e brendshme të shtetit, si ushtria ose policia, për të arritur qëllimin.

Ndërsa për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nuk është hasur asnjë përkufizim i cili mund ta ndërlidhë me ndonjë grusht shtet.


Rezoluta 1244, e miratuar më 1999 nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk e përcakton Kosovën si pjesë të “shtetësisë serbe”, por e njeh përkohësisht sovranitetin formal të RFJ (Serbisë dhe Malit të Zi në atë kohë), ndërkohë, vendos një administratë ndërkombëtare të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe forca paqeruajtëse të NATO-s (KFOR) dhe parashikon një proces politik për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, që nënkupton se statusi i saj nuk ishte i përhershëm (shih këtu).

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës e shpalli Kosovën shtet të pavarur. Shpallja e pavarësisë u kundërshtua nga Serbia. Por më 2010, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, për shkak se ajo “nuk ka shkelur asnjë rregull të përgjithshëm të së drejtës ndërkombëtare, as Rezolutën 1244, dhe as kornizën kushtetuese të përkohshme të UNMIK-ut” (shih këtu).


Deklarata e Sergey Lavrov u bë më 15 tetor 2025, gjatë një konference për media në Rusi, pas samitit të zhvilluar në Alaska ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Donald Trump.

Në atë kontekst, Lavrov po komentonte rezultatet e atij samiti, duke folur për “shkaqet rrënjësore të konflikteve, duke krahasuar rastin e Kosovës me situatat në Ukrainë (2014) dhe në territoret e pushtuara nga Rusia”.

Pra, deklarata u bë si pjesë e një narrative politike ruse që synon të legjitimojë ndërhyrjet e Rusisë në Ukrainë dhe të paraqesë Perëndimin si përgjegjës për “ndarjen e territoreve historike”, duke përdorur Kosovën si shembull krahasues për të justifikuar politikat e Kremlinit (shih këtu, këtu dhe këtu).

Përfundimi:

Kryediplomati rus, Sergey Lavrov pretendoi se njohja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 përbënte një “grusht shteti”, sepse ajo, sipas tij, shkelte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe u mori “tokën historike” serbëve.

Njohja e pavarësisë së Kosovës e shpallur në vitin 2008 nuk mund të konsiderohet “grusht shteti”, pasi nuk përmbush asnjë nga karakteristikat që e përkufizojnë një akt të tillë. Ajo nuk u realizua nga një grup i vogël elitash politike apo ushtarake, nuk përfshiu përdorim të forcës apo rrëzim të qeverisë ekzistuese, dhe nuk ndodhi brenda strukturave të shtetit serb.

Përkundrazi, pavarësia u shpall pas një procesi ndërkombëtar të mbikëqyrur nga OKB-ja dhe bashkësia ndërkombëtare. Rezoluta 1244 nuk e përcakton Kosovën si pjesë të përhershme të shtetësisë serbe, por parashikon një proces politik për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar.

Po ashtu, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010 ka konfirmuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 dhe as kornizën kushtetuese të UNMIK-ut.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës për kontrollin dhe vlerësimin e deklaratave, pretendimi i ministrit Lavrov, vlerësohet si “deklaratë e pavërtetë”.

Arsyetimi:

Hibrid.info, përveç kontrollit dhe analizës së artikujve mediatik, bënë edhe kontrollin dhe vlerësimin e deklaratave të zyrtarëve të lartë politikë e institucionalë si dhe atyre figurave që kanë ndikim publik.

Vlerësimi i këtyre figurave, sipas metodologjisë së hibrid.info, bëhet në kategoritë e vërtetësisë, qëndrueshmërisë dhe përmbajtjes së premtimeve.

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë. cionalë si dhe atyre figurave që kanë ndikim publik.

Share With Others