info@hibrid.info
Deklarata e Gërvallës për 435 mijë vende aktive pune nuk përputhet me të dhënat e ASK-së
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Donika Gërvalla, zëvendës kryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, ka thënë se në Kosovë janë “435 mijë vende aktive të punës, pra rritje 22% nga viti 2021, ku kanë qenë 350 mijë”.

Këtë deklaratë Gërvalla e ka dhënë më 25 gusht, në një intervistë në emisionin “Pressing” që transmetohet në televizionin “T7” (shih këtu).

Çka nuk shkon me deklaratën?

Hibrid.info ka gjetur se shifrat e fundit të cilat i ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sa i përket të të punësuarve dallojnë me ato të zëvendës kryeministres në detyrë.


Analiza:

Në emisionin “Pressing”, Gërvalla duke prezantuar siç tha ajo “shifrat ekonomike”, deklaroi se në vitin 2021 kishte 350 mijë vende aktive të punës. “435 mijë vende aktive të punës, pra rritje 22% nga viti 2021, ku kanë qenë 350 mijë”, tha Gërvalla. Hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e ASK-së, që është prodhuesja kryesore e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës (përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave).

Por, në publikimet e këtij institucioni për vitin 2021, hibrid.info ka vërejtur se statistikat për punësimin janë publikuar vetëm me përqindje (shih këtu).

Qeveria në të cilën kryente funksionet Gërvalla, e kishte marrë detyrën pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Hibrid.info ka përdorur seksionin “ASKdata” nga uebfaqja e këtij institucioni, për tu informuar mbi punësimin në fund të vitit 2020, para zgjedhjeve parlamentare dhe për tremujorin e parë të vitit 2021, koha të cilën kishte filluar mandatin qeveria e dalë nga këto zgjedhje.

Të dhënat e shfaqura pas kërkimit tregojnë se në fund të vitit 2020 në Kosovë kishte afër 371 mijë të punësuar. Ndërsa në tre mujorin e parë të vitit 2021, ky numër ishte afër 360 mijë.


Në pjesën tjetër të deklaratës, Gërvalla tha se në Kosovë janë 435 mijë vende aktive të punës (term ndryshe nga ai që përdor ASK). Ajo nuk ka përmendur periudhën dhe burimin të cilëve iu është referuar.

Hibrid.info ka gjetur se ASK për herë të fundit, statistikat për punësimin i ka publikuar në maj të këtij viti, e të cilat i përkasin të dhënave të vitit të kaluar (2024). Sipas këtij publikimi, në Kosovë, në vitin 2024 “Persona aktivë ishin 464 567”, ndërsa “Persona të punësuar ishin 414 493” (shih këtu).

Nëse krahasojmë të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2021, me ato të vitit 2024, shihet se kemi të bëjmë me një rritje prej 55,326 personash të punësuar apo mbi 15%.

Tutje, nëse i referohemi të dhënave për persona aktivë, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2021, 483,465 persona ishin aktivë, kurse në fund të vitit 2024 ky numër ishte 464,567, apo 18,898 persona aktivë më pak.

Kurse, në uebfaqen e ASK-së, të dhënat për tregun e punës në vitin 2025 mungojnë. Hibrid.info, më 26 gusht, ka kontaktuar këtë institucion për tu informuar më shumë rreth kësaj çështjeje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Përfundimi:

Deklarata e zëvendës kryeministres dhe ministres në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, se në Kosovë janë “435 mijë vende aktive të punës, pra rritje 22% nga viti 2021, ku kanë qenë 350 mijë”, nuk është e argumentuar.

Të dhënat e fundit (2024) të publikuara nga ASK, tregojnë se në Kosovë persona aktivë ishin 464,567, kurse persona të punësuar ishin 414,493.

Bazuar në metodologjinë e kontrollit të deklaratave, hibrid.info e vlerëson si “Deklaratë të paargumentuar”.

Arsyetimi:

Deklaratë e paargumentuar është vlerësimi për deklaratat që figurat politike e publike me ndikim në opinion i bëjnë me pretendime që nuk mbështeten në fakte.

Share With Others