Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Dezinformata rreth krizës së urisë në Gaza dhe njohjes së Palestinës nga Finlanda, lajme të rreme për dërgimin e 300 ushtarëve serbë në veri të Kosovës dhe vdekjen e ish-presidentit Hashim Thaçi

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Sipas të dhënave të monitorimit, gjatë javës së fundit dezinformatat kanë qenë forma kryesore e çrregullimit informativ në mediat tradicionale dhe digjitale.

Gjatë fillimit të gushtit 2025 janë publikuar disa dezinformata në rrjete sociale, kryesisht në Facebook. Më 2 gusht, llogaria “VukFeNix” shpërndau një video të arrestimit nga ICE në SHBA, duke pretenduar se i arrestuari ishte shqiptar me të kaluar kriminale, ndërkohë që verifikimi tregoi se bëhej fjalë për një shtetas vietnamez. Faqja “Kosova Report” shpërndau dy përmbajtje për të mohuar krizën e urisë në Gaza: një video nga një treg në Al-Sahaba dhe një fotografi të një vajze, me pretendime se gjendja nuk ishte alarmante. Verifikimet konfirmuan se videot nuk përfaqësonin realitetin e përgjithshëm dhe se vajza vuante nga pasojat e urisë. Ndërsa më 4 gusht, faqja “Bota Islame” publikoi pretendimin se Finlanda e kishte njohur zyrtarisht Palestinën si shtet, gjë që rezultoi e pasaktë pasi njohja e plotë ende nuk është bërë.

Në fillim të gushtit 2025 u identifikuan disa raste të titujve clickbait në portale online në gjuhën shqipe. Më 3 dhe 4 gusht, portalet paparaci.com dhe indexonline.com publikuan artikuj me titujt “Gruaja fut vajzën 2-vjeçare në valixhe gjatë udhëtimit me autobus” dhe “Nëna fsheh vajzën 2-vjeçare në valixhe dhe e fut në bagazhin e autobusit”, pa specifikuar se ngjarja kishte ndodhur në Zelandën e Re — një fakt që zbulohej vetëm pas leximit të përmbajtjes. Më 7 gusht, Kosova-sot.info publikoi artikullin “Rrëzohet helikopteri ushtarak, humbin jetën 8 persona” duke lënë të paqartë se incidenti kishte ndodhur në Ganë, ndërsa fotografia ilustruese ishte nga Kosova e vitit 1999 dhe nuk lidhej me ngjarjen.

Në fillim të gushtit 2025 janë publikuar disa raste të lajmeve të rreme në rrjete sociale. Më 2 gusht, faqja “Gazeta Selam” në Facebook pretendoi se mediat turke kishin raportuar për dërgimin e mbi 300 ushtarëve serbë në veri të Kosovës me dokumente identifikimi si studentë, por hulumtimi i hibrid.info nuk gjeti asnjë publikim të tillë në media turke apo në shqip. Më 8 gusht, në TikTok, llogaria “xaxa_baba_” shpërndau një postim ku pretendohej se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte vdekur. Mirëpo, verifikimi tregoi se ky pretendim nuk mbështetej nga asnjë burim kredibil.

Dezinformatë

Është publikuar një video-material që shfaq momentin kur zyrtarë të Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat në SHBA (ICE), arrestojnë një person. Ky video-material u publikua më 2 gusht nga llogaria me emrin “VukFeNix” me pretendimin se i arrestuari është një person i kombësisë shqiptare dhe se i njëjti ka të kaluar kriminale. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u gjet se bëhet fjalë për një person nga Vietnami, e jo shqiptar. (këtu)

Faqja “Kosova Report” në Facebook ka shpërndarë dy përmbajtje, një video dhe një fotografi me qëllim të mohimit të krizës së urisë në Gaza. Në video, që pretendohet të jetë xhiruar në një market në Al-Sahaba, paraqiten pamje të frutave dhe perimeve, duke u përdorur si dëshmi se në Gaza nuk ka mungesë ushqimi. Ndërsa në një tjetër postim, ku shihet një vajzë e vogël në krahët e nënës, faqja pretendon se ajo nuk ka humbur aftësinë për të ecur si pasojë e urisë. Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se pamjet e marketit janë autentike, por ato nuk përfaqësojnë gjendjen e përgjithshme në Gaza. Sipas gazetarit Majdi Fathi, që realizoi videon, çmimet e produkteve janë shumë të larta dhe ushqimet bazike mungojnë, çka përjashton mundësinë që shumica e banorëve të kenë qasje në to. Ndërkohë, pretendimi për vajzën u demantua përmes një artikulli të Anadolu Agency, i cili konfirmon se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar rëndë si rezultat i kequshqyerjes dhe urisë. (këtu)

 Faqja “Bota Islame” në Facebook ka publikuar të hënën (4 gusht) një postim përmes së cilit pretendon se Finlanda e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran. Finlanda ende nuk ka bërë një njohje të plotë diplomatike të shtetit të Palestinës.  Presidenti Alexander Stubb ka deklaruar se është gati të firmosë njohjen, nëse qeveria e propozon atë, por deri tani nuk ka patur asnjë propozim zyrtar nga qeveria për t’u miratuar. (këtu)

Clickbait

Portalet informative paparaci.com dhe indexonline.com publikuan të dielën dhe të hënën (3–4 korrik) artikuj me titujt: “Gruaja fut vajzën 2-vjeçare në valixhe gjatë udhëtimit me autobus” dhe “Nëna fsheh vajzën 2-vjeçare në valixhe dhe e fut në bagazhin e autobusit”. Problemi me titujt në fjalë është se ata janë përgjithësues dhe nuk tregojnë vendndodhjen e ngjarjes. Në të njëjtit mungon informacioni se rasti ka ndodhur në Zelandën e Re, gjë që kuptohet vetëm pas hapjes së artikujve dhe leximit të përmbajtjeve të plota. (këtu)

U publikua një artikull me titull “Rrëzohet helikopteri ushtarak, humbin jetën 8 persona”, bashkangjitur me një fotografi ku shfaqen tre helikopterë afër një ure. Ky artikull u publikua  (7 gusht) nga mediumi online në gjuhën shqipe “Kosova-sot.info”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info u vërtetua se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se ngjarja ka ndodhur në shtetin e Ganës. Ndërsa fotografia është e realizuar në Kosovë gjatë vitit 1999. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një postimi të publikuar në Facebook, pretendohet se mediat turke kanë raportuar se Serbia kohët e fundit ka dërguar mbi 300 ushtarë në veri të Kosovës, të cilët janë futur në territor me dokumente identifikimi si studentë serbë. Ky postim u publikua më 2 gusht nga faqja “Gazeta Selam” në Facebook. Pas hulumtimit online të kryer nga hibrid.info, ky informacion nuk është gjetur i publikuar në asnjë medium turk, siç pretendohet nga faqja e lartcekur. Po ashtu, ky pretendim nuk u gjet i publikuar as nga mediat në shqip. (këtu)

Përmes një postimi të publikuar (8 gusht) në median sociale TikTok pretendohet se ka vdekur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Postimi u publikua nga llogaria me emrin “xaxa_baba_”. Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave online të kërkimit dhe rezultatet nuk shfaqin asnjë informacion të publikuar nga burime kredibile që ta konfirmonte këtë pretendim. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere