Shkroi: Festim Rizanaj
Media serbe Informer.rs ka publikuar të martën dy artikuj (12 dhe 13 gusht) me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani kanë marrë pjesë në një pritje me Mefail Shkodrën, i dyshuar për vrasjen e tre personave në Gjilan me 10 gusht 2025. (këtu, këtu)
Artikujt raportojnë se Shkodra është një mik i ngushtë i Kurtit dhe se gjatë pritjes kanë qenë të pranishëm edhe presidentja, Vjosa Osmani, ministri, Xhelal Sveçla, dhe se në këtë ngjarje të gjithë kanë shijuar alkoolin së bashku.
Ky pretendim nuk ofron fakte që lidhin udhëheqësit kosovarë me veprimet kriminale të Shkodrës.
Çka dihet për këto fotografi?
Dihet se Mefail Shkodra, së bashku me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, janë të dyshuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi më 10 gusht 2025 në Gjilan.
Pas këtij rasti, në disa portale informative filluan të qarkullojnë fotografi ku shihej Mefail Shkodra afër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani, ministrit në detyrë Xhelal Sveçla dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. (këtu, këtu, këtu)
Këto foto u interpretuan si një formë e ndërlidhjes së të pandehurit me pushtetin, me pretendimin se ai po merr pjesë në aktivitete qeveritare.
Pas verifikimit është konfirmuar se të gjitha fotografitë e Mefail Shkodrës me përfaqësuesit politikë janë të 26 nëntorit 2022, gjatë një pritjeje të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë.
Në këtë ngjarje morën pjesë krerët më të lartë të Republikës së Kosovës, trupi diplomatik i akredituar në Kosovë, akademikë, artistë, miq dhe bashkëpunëtorë. Pra, nuk ka asnjë fakt që e vërteton ndonjë lidhje mes përfaqësuesve shtetërorë dhe politikë me të dyshuarin Shkodra.
Media serbe, duke iu referuar këtyre fotografive, e ka prezantuar Mefail Shkodrën si “mik të ngushtë” të përfaqësuesve qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe ministrin në detyrë Xhelal Sveçla. Në artikullin e publikuar në Informer.rs, Shkodra përshkruhet si një kriminel i njohur dhe funksionar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili dyshohet se më 10 gusht 2025 ka vrarë tre persona në Gjilan dhe më pas është arratisur.
Artikulli i referohet një postimi në X të politikanit serb Nebojša Bakarec nga Partia Progresiste Serbe (SNS), i cili përshkruan Shkodrën dhe djemtë e tij si dilerë droge dhe armësh, kriminelë, duke sugjeruar lidhje me udhëheqësit politikë kosovarë pa ofruar fakte.
Analiza:
Media serbe ka prezantuar Mefail Shkodrën si “mik të ngushtë” të përfaqësuesve qeveritarë, duke iu referuar disa fotografive ku ai shihet pranë kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit në detyrë Xhelal Sveçla.
Në artikullin e publikuar në Informer.rs, Shkodra përshkruhet si një kriminel i njohur dhe funksionar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili dyshohet se më 10 gusht 2025 ka vrarë tre persona në Gjilan dhe më pas është arratisur.
Megjithatë, pretendimi i medias serbe nuk qëndron, pasi nuk ofrohen fakte që lidhin udhëheqësit kosovarë me veprimet kriminale të Shkodrës.
Bazuar ne metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

