Shkroi: Fatbardh Dema
Mediumi “RTV Dukagjini” në kanalin zyrtar në Youtube, të hënën (6 tetor) ka publikuar një video-material nga emisioni “Rreth e rrotull”, i cili mban titullin “Pas zgjedhjeve lokale, ushtria serbe futet në Kosovë/ “Kurth” për Vuçiqin, çka pritet të ndodh?”. (arkivuar)
Në këtë emision ishte i ftuar konspiracionisti Arianit Sllamniku, i cili u shpreh se pas zgjedhjeve lokale në Kosovë (12 tetor), presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, do të japë urdhër që ushtria serbe të futet në Kosovë.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Mysafiri i emisionit, konspiracionisti Sllamniku në asnjë rast nuk ofron fakte që do ta mbështesnin këtë pretendim, edhe pse shprehet se posedon informacione të tilla.
Ai u ndërlidh me deklaratën e presidentit serb, i cili në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, kishte thënë se “bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe se ai “mendon se po shkojmë drejt një konflikti të madh”.
Çka tha Sllamniku?
“Në Kosovë, pas 12 tetorit, pas këtyre zgjedhjeve që do të certifikohen, Lista Serbe, kryetarët e zgjedhur nga kjo garë e fundit në krye të komunave të Kosovës (nëse zgjidhet ndonjë), në të kundërtën të gjithë asamblistët të komunitetit serb të cilët certifikohen si asamblistë, realisht janë përfaqësues të popullit nëpër ato komuna dhe këta do të tubohen pas certifikimit të zgjedhjeve, do të tubohen dhe do ta mbajnë një asamble kombëtare të ashtuquajtur serbe në Kosovë dhe do ta shpallin Asociacionin e Komunave Serbe, njëanshëm. Kjo si përgjigje që Kuvendi i Kosovës nuk po e voton nënkryetarin e Listës Serbe.
Përveç faktit që nuk zgjidhet nënkryetari, këta do ta iniciojnë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, po bashkësinë e tyre jashtë juridiksionit të Kosovës”.
“Në momentin që ndodh kjo, ky asociacion formohet, atëherë është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Në këtë format dhe në këtë rast, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës do të marrë urdhër për arrestimin e të gjithë atyre shkelësve të rendit kushtetues në Kosovë”.
“Dhe ky momentum, kur ata të arrestohen, është momenti që Vuçiqit i jep arsye me ndërhy në Kosovë ushtarakisht”.
Sllamniku të gjitha këto hipoteza i ndërton duke mos ofruar asnjë fakt, që do ta mbështesnin këtë pretendim.
Pak kontekst se çka tha Vuçiqi:
“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, citohet të ketë deklaruar Vuçiq. (shih këtu artikullin nga REL)
Analiza
Në emisionin “Rreth e Rrotull” të transmetuar më 6 tetor në RTV Dukagjini, i ftuar ishte konspiracionisti Arianit Sllamniku, i cili pretendoi se pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, do të urdhërojë futjen e ushtrisë serbe në Kosovë.
Megjithatë, gjatë gjithë diskutimit, Sllamniku nuk ofroi asnjë fakt apo burim të verifikueshëm që do ta mbështeste këtë pretendim, duke u bazuar vetëm në supozime dhe interpretime personale të ngjarjeve politike.
Deklaratat e tij për formimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga Serbia, përbëjnë teori konspirative që nuk mbështeten në dëshmi konkrete apo në deklarata zyrtare.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.