Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar fotografi në të cilat Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, shfaqet në prani të politikanëve serbë.
Në një imazh ai shfaqet përballë Vojsllav Koshtunicës, ish-kryeministrit të Serbisë. Në një tjetër ai shfaqet në prani të Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë dhe politikanit serb, Vojsllav Sheshel. Ndërsa në fotografinë e fundit ai shfaqet pranë Milan Radojçiq, ish-nënkryetarit të Listës Serbe.
Këto postime janë publikuar të shtunën (6 dhjetor) në Facebook nga faqet “Tana t’zezat” (këtu dhe këtu), “Skenderaj Press”, “UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës” dhe nga llogaritë me emrat “Rruga Kombetare”, “Luan Pavata” dhe “Ibrahim-Miran Kelmendi”. Gjithashtu fotografitë janë publikuar në TikTok nga llogaria me emrin “reporterirks” (këtu, këtu dhe këtu) dhe në Instagram nga llogaria me emrin “al_press.online” (këtu dhe këtu).
Çka nuk shkon me përmbajtjet?
Fotografitë janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale (IA).
Hibrid.info ka kontrolluar këto fotografi përmes “HiveModeration”, platformë e cila verifikon përmbajtjet audio-vizuele, nëse ato janë të krijuara nga IA.
Sipas vlerësimit nga platforma, të tri këto fotografi kanë mundësi 99.9% të kenë përmbajtje të gjeneruar nga IA ose deepfake.



Ndaj dy prej këtyre fotografive ka reaguar edhe Arlind Manxhuka (LVV), zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili i ka demantuar këto publikime me anë të dy postimeve në llogarinë e tij në Facebook (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Fotografitë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti pranë disa politikanëve serbë nuk janë reale.
Këto imazhe rezulton se janë krijuar nga Inteligjenca Artificiale (IA).
Përmbajtjet janë demantuar edhe nga zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.


