Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një artikull i titulluar “Reuters: Fitorja e Kurtit rrezikon përsëritjen e krizës njëvjeçare në Kosovë”.
Përmbajtja me këtë titull është publikuar të hënën (22 dhjetor) në mediumin “klankosova.tv”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Hibrid.info vërejti se raportimit të Reuters-it i është vendosur një titull që sugjeron përgjegjësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për krizën në vend, ndonëse artikulli origjinal paraqet shqetësime të shprehura nga analistë dhe aktorë politikë, e jo qëndrim editorial të Reuters-it.

Artikulli me të njëjtin titull është publikuar në disa nga mediat në gjuhën shqipe si: “atvlive.tv”, “epokaere.com”, “gazetainfokus.com”, “periskopi.com”, “gazeta10.com”, “arberia.tv”, “demokracia.com”, “alsat.mk” dhe “top24.mk”.
Këto përmbajtje kanë raportuar për një artikull të publikuar në agjencinë ndërkombëtare të lajmeve “Reuters”, të titulluar “Kosovo heads to polls as political deadlock threatens vital funds”, në shqip: “Kosova drejt zgjedhjeve ndërsa bllokada politike rrezikon fondet jetike” (shih këtu).
Në fillim të artikullit të “Reuters”, në përmbledhje, listohen pesë pika:
- Zgjedhjet po mbahen pas një ngërçi politik që ka zgjatur një vit në shtetin më të ri të Evropës.
- Elektorati është i lodhur nga paaftësia e parlamentit për të funksionuar.
- Kreditë e Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian në rrezik nëse nuk ratifikohen nga ligjvënësit.
- Kryeministri Kurti shpreh optimizëm pavarësisht ngërçit politik dhe kritikave nga opozita.
- Sanksionet e BE-së janë hequr pas inaugurimit të kryetarëve të bashkive lokale serbe.

Por, në përmbajtjet në mediat në gjuhën shqipe, ku është raportuar për artikullin e “Reuters”, është përfshirë vetëm pjesa e parë e tekstit të mediumit ndërkombëtar (shih këtu). Kjo pjesë e lajmit thekson shqetësimin se rezultatet e zgjedhjeve mund të përsërisin krizën politike dhe ekonomike, katër muaj para zgjedhjes së një presidenti të ri dhe në prag të afateve për ratifikimin e kredive ndërkombëtare, duke përfshirë edhe deklarata të analistit politik, Artan Muhaxhiri.
Në njërin prej deklarimeve, i cili është cituar saktë edhe brenda përmbajtjeve të mediave në gjuhën shqipe, Muhaxhiri tha: “Nëse Kurti fiton përsëri me rreth 42%, i gjithë ky bllokim do të përsëritet, sepse hendeku midis Kurtit dhe partive të tjera është i madh dhe i pakapërcyeshëm (shih këtu).”
Kjo tregon se analisti fokusohet tek rreziku i përsëritjes së rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, në të cilën LVV kishte marrë përqindjen më të madhe të votave, e që ishte më pak se 50%. Sipas Muhaxhirit, me një fitore të njëjtë mund të ndodhë përsëri bllokada sikurse e këtij viti.
Hibrid.info kontrolloi pjesën tjetër të artikullit të “Reuters”, e cila nuk është përfshirë në përmbajtjet në gjuhën shqipe, por nuk gjeti pretendim as nga autorët e shkrimit e as nga të cituarit tjerë se “fitorja e mundshme e Kurtit në zgjedhje rrezikon përsëritjen e krizës njëvjeçare”.
Çka do të thotë se ndonëse një gjë e tillë nuk konfirmohet as në titull, as në përmbajtjen e raportimit të agjencisë ndërkombëtare, titulli “Reuters: Fitorja e Kurtit rrezikon përsëritjen e krizës njëvjeçare në Kosovë” jep përshtypjen se “Reuters” në artikullin e vet, e bën përgjegjëse fitoren e mundshme të LVV-së për përsëritjen e krizës në vend.
Analiza:
Raportimi i disa mediave në gjuhën shqipe për një artikull të “Reuters”, i titulluar “Reuters: Fitorja e Kurtit rrezikon përsëritjen e krizës njëvjeçare në Kosovë”, është fokusuar tek paralajmërimi i analistit Artan Muhaxhiri për rrezikun e përsëritjes së bllokadës politike të 9 shkurtit, në rast të rezultateve të njëjta.
Megjithatë, ky titulli i përdorur nga këto media jep përshtypjen se “Reuters”, përsëritjen e krizës njëvjeçare e lidh me fitoren e mundshme Kurtit në zgjedhje, gjë që nuk është thënë në mënyrë specifike as nga Muhaxhiri, as në titullin apo përmbajtjen origjinale të agjencisë ndërkombëtare.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.