Shkroi: Fatbardh Dema
Në median sociale Facebook të hënën (12 janar) u publikua një postim (fotolajm) me pretendimin se rritet çmimi i bukës në 70 centë.
Ky pretendim u gjet i publikuar në shumë faqe në Facebook vetëm si fotolajm, pa artikull.
Faqet që e publikuan këtë postim janë “Korrekt Press”, “Teleneës”, “RilindjaShqiptare”, “Revista Ora”, “Drejt News” e “Gazeta Shtatë”.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info gjeti se këto postime janë bërë pas publikimit të artikullit nga mediumi online “BuletiniEkonomik.com”, i cili mban titullin “Furrëtarët në kryeqytet keqpërdorin situatën pa institucione, ngritin sërish çmimet e bukës”.
Në këtë artikull, ky medium pretendon se bëhet fjalë për një rritje të çmimit të bukës në zinxhirin e furrave “Milenium Bakery” në Prishtinë.

Në postimet e faqeve të lartcekura nuk specifikohet se rritja e çmimit të bukës është bërë vetëm nga një zinxhir i furrave në kryeqytet. Mossqarimi i lajmit ka lënë vend për keqkuptim te lexuesit duke u keqkuptuar se bëhet fjalë për gjithë territorin e Kosovës.
Pjesë nga artikulli i publikuar në “BuletiniEkonomik.com”
“Në shumë furra në kryeqytet u rrit çmimi i bukës standarde, asaj të rëndomtës, ndër më të konsumuarat nga kosovarët, nga 50 centë në 60 centë. Në këto ditë pa pushtet, në zinxhirin e furrave “Milenum Bakery”, një bukë që realisht peshonte rreth 300 gramë dhe që deri në fund të vitit shitej 0.49 centë, pas Vitit të Ri ka çmimin 0.69 centë, ose mbi 40 për qind më shtrenjtë krahasuar me çmimin e para dhjetë ditësh”.
Postimet nga faqet e lartcekura, deri në shkrimin e këtij artikulli, kanë grumbulluar së bashku në total 1117 reagime, 687 komente dhe 31 shpërndarje. (shih fotografitë më poshtë)

Analiza:
Pretendimi në Facebook se çmimi i bukës është rritur në 70 centë është i paqartë dhe keqinformues.
Postimet u publikuan vetëm si fotolajm, pa artikuj, duke mos sqaruar se pretendimi i “BuletiniEkonomik” flet për rritje të çmimit të bukës vetëm për zinxhirin e furrave “Milenium Bakery” në Prishtinë.
Mungesa e këtij sqarimi vërehet në komentet e postimeve ku është krijuar keqkuptim te lexuesit të cilët kanë besuar se bëhet fjalë për rritje të çmimit në gjithë Kosovën.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto postime si “Manipulim të fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.