Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Dezinformata nga fusha e politikës, mashtrime përmes SMS-ve, teori konspirative nga zyrtarët serb

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë periudhës 12–17 janar 2026, mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u dominuan nga dezinformatat.

Dezinformatat u publikuan kryesisht në rrjete sociale (X dhe Facebook) dhe në portale online. Temat kryesore lidhen me sigurinë dhe tensionet ndëretnike (pretendimi i rremë për arrestimin e serbëve nga Policia e Kosovës), marrëdhëniet Kosovë–SHBA (pretendimi i pavërtetë për rifillimin e dialogut strategjik), si dhe zhvillimet politike të brendshme (keqinterpretimi i një opinioni personal si “mesazh zyrtar nga SHBA” për Vjosa Osmanin).

Gjatë kësaj periudhe, në rrjete sociale si X, Facebook dhe Instagram qarkulloi një lajm i rremë me pretendimin se Danimarka kishte tërhequr njohjen e Kosovës dhe i kishte kërkuar falje Serbisë. Përmbajtja u shpërnda fillimisht nga llogari në X dhe u paraqit në formë imazhi me logon e CNN-it, duke krijuar përshtypjen e një burimi kredibil, por pas verifikimit u konfirmua se bëhej fjalë për dezinformatë. Paralelisht, u identifikuan edhe mashtrime përmes SMS-ve, ku qytetarëve u dërgoheshin mesazhe të rreme për bllokimin e llogarive bankare, me qëllim mashtrimi dhe vjedhjeje të të dhënave personale.

Po ashtu, në Facebook u shpërndanë pretendime manipuluese lidhur me rritjen e çmimit të bukës në 70 centë, pa sqaruar se bëhej fjalë vetëm për një zinxhir të caktuar furrash në Prishtinë. Kjo mungesë konteksti krijoi keqkuptime dhe frikë te publiku, duke u interpretuar gabimisht si rritje e çmimit në gjithë Kosovën. Në këtë periudhë u shfaqën edhe tituj clickbait, si rasti i artikullit për pagesën prej 350 eurosh për familjet strehuese, ku nuk u sqarua se vendimi ishte marrë vetëm në nivel komunal, konkretisht në Obiliq.

Ndërkohë, një rast i plagosjes me armë zjarri në Deçan u shfrytëzua për të përhapur teori konspirative, duke u interpretuar pa prova si incident i motivuar etnikisht. Ky narrativ u promovua nga Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ndonëse autoritetet e Kosovës e trajtuan rastin si vepër penale individuale dhe jo si sulm ndëretnik.

Lajm i rremë

Në mediat sociale X, Facebook e Instagram, të dielën ka qarkulluar një postim (imazh) në formë të artikullit, në titullin e së cilës shkruan “Denmark withdraws recognition of Kosovo, apologizes to Serbia” (Danimarka tërheq njohjen e Kosovës, i kërkon falje Serbisë Ky postim mban logon e televizionit multinacional të lajmeve në ShBA, CNN. Fillimisht, ky postim u publikua nga llogaria me emrin “Boris Malagurski” në X, e më pastaj u shpërnda edhe nga llogaritë tjera në këtë platformë si “Igor Lopatonok”, “gvanopdorp” e “Plenipotentiary”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky postim është i rremë. (këtu)

Dezinformatë

Profili në X, “Serbian Spirit”, ka pretenduar se në natën e Krishtlindjes Ortodokse, Policia e Kosovës ka arrestuar një grup serbësh. Ky pretendim është i pabazë, meqenëse asnjë medium kredibil, e madje as Policia e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë raport për këtë ngjarje të pretenduar. I vetmi rast që është raportuar atë ditë, pra datën 6 janar, në mediat lokale në gjuhën serbe është ai për ndalimin e një grupi serbësh nga Policia e Kosovës, por që të njëjtit nuk janë arrestuar, e as raportohet të jetë ndërmarrë ndonjë masë ndaj tyre. (këtu)

Publikohet një imazh ku shfaqen Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së) dhe Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, me mbishkrimin “Rifillon dialogu strategjik me Kosovën”. Imazhi po ashtu ka etiketën “DASH – SHBA”, që lë të nënkuptohet se fjala është për rinisjen e dialogut strategjik në mes ShBA-së dhe Kosovës. Kjo përmbajtje është publikuar të martën (13 janar) në Facebook, nga një faqe me emrin “Gazeta Minuti”. Në shtator vitit 2025, ShBA-ja njoftoi pezullimin për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën. Megjithatë, pas këtij vendimi, ende nuk ka një vendim që ky proces të ketë rifilluar. (këtu)

Portali informativ “Botasot.info” ka publikuar të martën (13 janar) një artikull me titull “Mesazh i fortë nga SHBA: Pa Vjosa Osmanin presidente Kosova rrezikon të humbas momentin historik”. Në titull pretendohet se ekziston një “mesazh i fortë nga SHBA”, çka lë të kuptohet për një qëndrim zyrtar amerikan, por pas leximit të artikullit nuk gjendet asnjë deklaratë e ndonjë zyrtari apo qëndrim institucional nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmbajtja e artikullit bazohet në një deklaratë të publicistit Hafiz Shala, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i cili ka shprehur mendimin e tij personal për rëndësinë e rizgjedhjes së Vjosa Osmanit në kontekstin aktual gjeopolitik. Megjithatë, as citimi i përdorur në titull nuk është thënë nga ai. (këtu)

Mashtrim

Janë hasur SMS që u janë dërguar përdoruesve të telefonave, ku në përmbajtje shkruan se nga një datë e caktuar (zakonisht është data kur është dërguar mesazhi), ata nuk do të mund të përdorin llogarinë e tyre bankare. Andaj, në këtë mesazh telefonik, përmes një vegëze të bashkëngjitur, përdoruesve u kërkohet të aktivizojnë përditësimin sa më parë. Në të dy shembujt që posedon hibrid.info, dërguesi i mesazhit ka numrin e telefonit me prefiksin +386, që i përket Sllovenisë. Në bazë të kërkimeve që ka bërë Hibrid.info, u gjet se SMS-ët e tillë janë mashtrues. (këtu)

Manipulim i fakteve

Pretendimi në Facebook se çmimi i bukës është rritur në 70 centë është i paqartë dhe keqinformues. Postimet u publikuan vetëm si fotolajm, pa artikuj, duke mos sqaruar se pretendimi i “BuletiniEkonomik” flet për rritje të çmimit të bukës vetëm për zinxhirin e furrave “Milenium Bakery” në Prishtinë. Mungesa e këtij sqarimi vërehet në komentet e postimeve ku është krijuar keqkuptim te lexuesit të cilët kanë besuar se bëhet fjalë për rritje të çmimit në gjithë Kosovën. (këtu)

Teori konspirative

Tre persona, një shqiptar dhe dy serbë, janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri të martën pas mesnate në një lokal në Deçan. Për këtë rast, policia ka arrestuar një të dyshuar, shqiptar i Kosovës, ka sekuestruar armën dhe ka nisur hetimet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “lëndim të rëndë trupor”. Por, ky rast është interpretuar pa bazë nga subjekti politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, si dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si i motivuar etnikisht, duke e lidhur atë me, sipas tyre, “vite të tëra të ndërtimit të një atmosfere anti-serbe të promovuar nga ‘regjimi në Prishtinë’, përmes paraqitjeve publike, mesazheve politike dhe mungesës së përgjegjësisë për sulmet ndaj serbëve”. (këtu)

Clickbait

Publikohet një artikull i titulluar “Vendoset: 350 euro euro në muaj për familjet strehuese të fëmijëve pa përkujdesje prindërore”. Kjo përmbajtje është publikuar të enjten (15 janar) në portalin “mediafokus.info”. Titulli i artikullit “Vendoset: 350 euro euro në muaj për familjet strehuese të fëmijëve pa përkujdesje prindërore” është potencialisht çorientues, sepse nuk tregon se vendimi është marrë në nivel lokal, konkretisht nga Komuna e Obiliqit. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere