Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar se deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, në një konferencë për shtyp, ka mbajtur të veshur një bluzë në të cilën shkruan “LIRIA KA EMËR, KRIMINELT DHE HAJNAT DUHET ME I DENUË”.
Publikimi është hasur në llogarinë “Luftari Spartak” të dielën (15 shkurt).

E vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se fotografia është e manipuluar. Ndonëse platformat për detektim të përmbajtjeve me inteligjencë artificiale (IA) nuk kanë vërejtur ndërhyrje me IA, hibrid.info ka gjetur fotografinë origjinale të Ymerit e që më pas është manipuluar.
Ajo rezulton të jetë manipuluar nga një fotografi e Ymerit, nga një paraqitje në një konferencë për shtyp më 6 dhjetor 2025. Pjesa e ndryshuar është ajo e veshjes (shih fotografinë më poshtë).

Edhe platforma për verifikim të fotografive të edituara apo të manipuluara, “fotoforensics.com” në analizën e saj ka treguar se ka ndryshime të mundshme, sidomos te pjesa e logos. Kjo logo supozohet të jetë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që përdoret krah sloganit “Liria ka emër” si në pjesën e epërme të fanellës që i është vendosur Ymerit.

Megjithatë, një shikim më i afërt i kësaj logoje tregon se ajo nuk është origjinale dhe se aty nuk shkruan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e se edhe akronimi është i shkruar “UCK” e jo UÇK.

Publikimi deri në momentin e trajtimit i ka marrë më shumë se 130 komente. Në mesin e tyre vërehet se ka komentues që e kanë marrë si të mirëqenë përmbajtjen.
Reagimi i Ymerit:
Për fotografinë ka reaguar edhe vetë Ymeri. Në një shkrim në Facebook, Ymeri ka thënë se fotografia nuk është reale dhe është montazh digjitale. Në sqarimin e saj, Ymeri ka thënë se proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë janë zgjatur pajustifikueshëm dhe ka përkrahur thirrjet për proces të paanshëm të drejtësisë.

Konteksti:
Aktualisht në Gjykatën Speciale në Hagë po jepen fjalët përmbyllëse në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi që po akuzohen për krime lufte.
Kuvendi i Kosovës më 12 shkurt miratoi një Rezolutë për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Pro votuan 90 deputetë, një ishte kundër e nuk pati abstenim. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) propozoi që Rezolutës t’i shtohej një pikë, por kjo nuk u pranua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që e propozoi Rezolutën.
Analiza:
Një fotografi e manipuluar e deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, është publikuar në Facebook.
Gjetjet kanë treguar se asaj i është manipuluar pjesa e veshjes, duke ia montuar një bluzë me mesazh. Edhe analiza digjitale evidentoi ndërhyrje.
Ymeri reagoi duke e quajtur montazh dhe sqaroi qëndrimin e saj lidhur me proceset në Hagë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.