Të fundit | Radoiçiq nuk tha se Thaçi dhe Haradinaj i premtuan “kulla e qytete” Të fundit | Përdorimi i imazheve me IA për të paraqitur ngjarje reale dhe dilemat etike… Të fundit | Me anë të një balline gazete të gjeneruar nga IA, pretendohet rrejshëm se A… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish…
[ ARTIKULLI ]

Pretendim i rremë për takim Osmani-Musk, imazhi i gjeneruar me IA

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Në median sociale Facebook, llogaria me emrin “Luftari Spartak”, të dielën (22 shkurt) publikoi një imazh që paraqet presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani duke shtrënguar duart me sipërmarrësin amerikan, Elon Musk.

Në përshkrim të këtij postimi pretendohet se gjatë vizitës së saj në SHBA, Osmani u takua me Musk, ku ky i fundit ka premtuar investime qindra milionëshe në Kosovë. Po ashtu, pretendohet se ky lajm u publikua në gazetën amerikane “The Washington Post”.

Çka nuk shkon me këtë postim?

Pretendimi i bërë nga faqja e sipërpërmendur del të jetë i rremë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info. Madje, edhe fotografia e përdorur në postim del të jetë e gjeneruar me inteligjencë artificiale.


Përshkrimi origjinal i përmbajtjes së publikuar në Facebook

ELON MUSK PREMTON INVESTIME QINDRA MILIONËSHE NË KOSOVË PAS TAKIMIT ME PRESIDENTEN VJOSA OSMANI

“Gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim të nivelit të lartë me biznesmenin e njohur global, Elon Musk. Biseda u fokusua në strategjitë e zhvillimit ekonomik dhe mundësitë për investime të mëdha në Kosovë.

Z. Musk, i njohur për projektet e tij novatore në fushën e teknologjisë dhe energjisë, shprehu interes konkret për potencialin që ofron Kosova si destinacion për investime. Ai premtoi se së shpejti do të realizojë një investim me vlerë qindra miliona dollarë, duke e cilësuar takimin si “tejet frytdhënës dhe inspirues”.

Burime pranë delegacionit konfirmuan se Musk u shpreh i impresionuar nga vizioni dhe qasja strategjike e Presidentes Osmani. Në një moment të ngrohtë gjatë takimit, ai shtoi me humor: “Je një lidere gjithnjë e më joshëse,, dhe çdo herë po bëhesh më e preferuara e jon”.


FAKTET

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info vërtetoi se Osmani gjatë vizitës së saj në SHBA, nuk ka zhvilluar ndonjë takim me Musk.

Për një takim me të, nuk u raportua në asnjë media qoftë ndërkombëtare apo vendore (shih këtu dhe këtu). Po ashtu, as në llogaritë e saj zyrtare në Facebook e X, apo në ueb-faqen e Presidencës, nuk raportohet lidhur me ndonjë takim me afaristin amerikan.


Përderisa në përmbajtjen e publikuar në Facebook përmendet dhe shfaqet logoja e gazetës amerikane “The Washington Post”, hibrid.info ka kontrolluar në ueb-faqen zyrtare të këtij mediumi lidhur me ndonjë artikull të publikuar për takimin Osmani-Musk, por rezultatet nuk shfaqin asnjë artikull që do ta mbështeste pretendimin e bërë.


Gjithashtu, u vërtetua se imazhi është i gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. Platforma për detektimin e imazheve “Hivemoderation.com” jep vlerësimin se imazhi ku shfaqen Osmani dhe Musk u gjenerua 96.3% me IA. (shih fotografinë më poshtë)


Duhet cekur se Osmani në dhjetor të vitit 2024 ishte takuar me Musk në Paris, në ceremoninë e rihapjes së katedrales ikonike Notre-Dame. (shih këtu)


Analiza:

Përmes një postimi të publikuar në Facebook pretendohet se gjatë një vizite zyrtare në SHBA, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me sipërmarrësin amerikan Elon Musk, i cili gjoja ka premtuar investime qindra milionëshe në Kosovë. Në postim përmendet gjithashtu se lajmi është publikuar nga “The Washington Post”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi është i rremë. Nuk ka asnjë raportim në media vendore apo ndërkombëtare për një takim të tillë gjatë vizitës së fundit të Osmanit në SHBA, e as në kanalet zyrtare të Presidencës. Po ashtu, në ueb-faqen e “The Washington Post” nuk ekziston asnjë artikull që mbështet këtë pretendim.

Analiza e imazhit të publikuar ka vërtetuar se fotografia ku shfaqen Osmani dhe Musk duke ia shtrënguar dorën njëri-tjetrit është e gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë” dhe “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere