Të fundit | E drejta e fëmijës mbi të drejtën e BABËS Të fundit | Pa fakte pretendohet se një sondazh parazgjedhor u krye nga LVV Të fundit | Kornizim i fushatës zgjedhore në Kosovë nga mediat ruse në serbisht Të fundit | Pretendohet pabazë se Kurti pritet të shpallet person non grata nga ShBA-ja… Të fundit | Tjetër sondazh i rremë mbi partitë politike për zgjedhjet e 7 qershorit Të fundit | Rishikimi i javës: Lajme të rreme për sondazhe politike dhe manipulim fakte… Të fundit | Nga sondazhet e rreme te përmbajtjet me IA - trendet e keqinformimit para z… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se “një institut francez” ka publikuar sondazh për zgj… Të fundit | Me anë të një imazhi ku Jashari shihet pranë Hamzës, pretendohet pasaktë se… Të fundit | Fushata për zgjedhjet e 7 qershorit me rreziqe të reja të keqinformimit
[ ARTIKULLI ]

Imazhe të gjeneruara me IA paraqiten rrejshëm si dekret i Hashim Thaçit për tokën e Manastirit të Deçanit

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Janë publikuar imazhe ku paraqitet një dokument zyrtar si “Dekret”, që lidhet me zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për tokën prej 24 hektarësh që i atribuohet Manastirit të Deçanit.

Dokumenti ka nënshkrimin e presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto përmbajtje janë gjetur të publikuara të shtunën (14 mars) në Facebook dhe TikTok nga faqe e llogari të ndryshme (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Çka nuk shkon me to?

Hibrid.info gjeti se këto imazhe janë të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (IA).

Më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur në favor të Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë dhe pyll, pasi ky i fundit ishte ankuar në këtë gjykatë lidhur me kontestin pronësor që e kishte me ndërmarrjet shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” (shih këtu).

Hashim Thaçi, i cili mbante pozitën e presidentit në atë kohë, pas këtij vendimi, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte thënë: “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth pronës kishtare në Deçan është i bazuar në Kushtetutën e Shtetit dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kosova është shtet ligjor ku vendimet gjyqësore respektohen. Prona është e patjetërsueshme, e kujtdoqoftë ajo.“ (shih këtu).

Megjithatë, as në postimet në llogarinë e tij në Facebook e as në njoftimet e aktiviteteve të Thaçit të asaj date, në uebfaqen e Presidencës së Kosovës, nuk janë gjetur njoftime që vërtetojnë se ai kishte nënshkruar një dekret për zbatim të këtij vendimi (shih këtu).

Në seksionin për dekrete brenda uebfaqes së Presidencës nuk figuron asnjë informacion (shih këtu).


Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “dekret për zbatimin e vendimit të gjykatës kushtetuese hashim thaçi”, por që nuk hasi në asnjë informacion të burimeve kredibile, ku do të mund të konfirmohej pretendimi në fjalë (shih këtu).

Pas hulumtimit të fakteve të paraqitura, hibrid.info ka verifikuar autenticitetin e imazheve. Pas kontrollit të imazheve, me anë të “HiveModeration.com”, platformë që analizon mundësinë e krijimit të përmbajtjeve nga IA, mund të vlerësohet se këto imazhe mund të jenë gjeneruar nga kjo teknologji.

Një tjetër detaj në këto imazhe që është verifikuar, është edhe nënshkrimi që shihet aty. Pas krahasimit me dokumente zyrtare, në të cilat kishte nënshkruar Thaçi, është provuar se nënshkrimi në këto imazhe nuk i përket ish-presidentit të Kosovës (këtu).

Fotografia origjinale e një dokumenti zyrtar të nënshkruar nga Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 mars 2024, kishte deklaruar se qeveria e Kosovës i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që tokat përreth Manastirit të Deçanit t’i barten këtij manastiri (shih këtu).

Shtatë ditë më vonë, Manastiri i Deçanit kishte regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës (shih këtu).

Ditë më parë (8 mars), ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë për “Radio Gorazhdevcin”, deklaroi se Albin Kurti i kishte thënë se vendimin për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit po e zbaton për shkak të tij (shih këtu). Kjo deklaratë u korrigjua më pas nga Rashiq, i cili tha se ai e ka ngatërruar fjalinë “këtë e kemi bërë për ty” të Kurtit, me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së patriarkut serb (shih këtu).

Megjithatë, deklarata e parë e Rashiq solli reagime nga zyrtarët e partive opozitare, të cilët kërkuan sqarime nga kryeministri Kurti pas kësaj deklarate, duke hedhur edhe dyshime mbi rrethanat e marrjes së vendimit të Kurtit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Analiza:

Në rrjetet sociale Facebook dhe TikTok janë publikuar imazhe që pretendojnë të paraqesin një “Dekret” të nënshkruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit. Postimet sugjerojnë se dokumenti është autentik dhe tregon veprime zyrtare të Thaçit.

Pas verifikimit të fakteve, Hibrid.info nuk ka gjetur prova që konfirmojnë ekzistencën e një dekreti të tillë. As në postimet e ish-presidentit, as në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës nuk ka të dhëna që vërtetojnë se Thaçi kishte nënshkruar një dekret për këtë çështje.

Gjithashtu, analiza e imazheve me platformën HiveModeration.com tregoi se ato mund të jenë gjeneruar nga IA. Kurse, krahasimi i nënshkrimit në imazhe me dokumente të vërteta të nënshkruara nga Thaçi tregoi se nënshkrimi nuk i përket ish-presidentit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë” dhe “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere