Shkroi: Etrit Rexhepi
Në mediat sociale dhe ato tradicionale shpesh publikohen thirrje për ndihmë financiare për qytetarë që vuajnë nga sëmundje të rënda, trajtimi i të cilave ka kosto të lartë. Zakonisht, këto përmbajtje përmbajnë identitetin e personit të prekur (emrin dhe mbiemrin), përshkrimin e sëmundjes, trajtimin e nevojshëm, shumën e kërkuar dhe mënyrën e kontribuimit. Shpeshherë ato shoqërohen edhe me numrin e llogarisë bankare dhe një kontakt telefonik për komunikim të mëtejshëm.
Në anën tjetër, jo rrallëherë publikohen thirrje për ndihmë, pa informacione të mjaftueshme, gjë që i bën këto përmbajtje të dyshimta dhe nganjëherë vështira për t’u verifikuar. Hibrid.info, si platformë për kontrollin e fakteve, në disa raste ka trajtuar përmbajtje të tilla, duke i vlerësua si keqinformuese, për audiencën e synuar (shih këtu, këtu dhe këtu).
Në mesin e këtyre përmbajtjeve të trajtuara nga hibrid.info, është pretendimi se një foshnje 5 muajsh të sëmurë, e cila ka nevojë për operim. Në postimin e shoqëruar edhe me fotografi të foshnjës, kërkohet ndihmë financiare në realizimin e operacionit. E veçanta e këtij pretendimi është se është hasur në disa raste dhe është trajtuar në tre të tilla, nga hibrid.info (shih këtu, këtu dhe këtu).
Për herë të fundit ajo ishte trajtuar në qershor të vitit 2024, duke u vlerësuar si “Mashtrim”, në bazë të metodologjisë së vlerësimit.

Kush i poston këto përmbajtje?
Në të gjitha rastet e trajtuara, pretendimi kishte përshkrimin e njëjtë dhe ishte publikuar në grupe publike në Facebook, nga një llogari me emrin ”Rena Capo” (shih këtu). Në profilin e kësaj llogarie nuk ka asnjë postim, përveç disa fotografive ku shihet një grua me një foshnje në dorë. Ndërsa në seksionin e të dhënave pretendohet se ky person jeton në Tiranë.
Hibrid.info ka hulumtuar tutje dhe e ka gjetur të njëjtin postim të publikuar në dhjetëra grupe, nga e njëjta llogari edhe pas trajtimit nga hibrid.info (shih këtu).
E vërteta pas këtij pretendimi
Në postim, autorja nuk e ka paraqitur numrin e xhirollogarisë, duke e arsyetuar mungesën e saj me pretendimin se ajo gjendet në spital.
Duke përdorur programin e automatizuar të kërkimit, “InVID”, hibrid.info kishte hulumtuar dhe kishte gjetur identitetin real të foshnjave të paraqitura në dy prej fotografive të publikuara në postim (shih këtu dhe këtu).
Informatat e gjetura tregojnë se këto dy fotografi fillimisht janë publikuara në llogarinë e një fondacioni bamirës në Instagram, në kuadër të mbledhjes së fondeve për shërimin e këtyre foshnjave, në Rusi (shih këtu).
Dy fotografitë e gjetura, të cilat datojnë që nga viti 2020/21. Me anë të këtyre gjetjeve, tregohet dhe dëshmohet identiteti i ndryshëm i foshnjave, fotografitë e të cilave janë përdorur për të paraqitur rrejshëm pretendimin për nevojë për ndihmë, nga llogaria “Rena Capo”.
Po ashtu për ta sqaruar edhe më shumë vërtetësinë e këtij postimi, hibrid.info kishte gjetur ueb-faqen e fondacionit bamirës me veprimtari në Rusi, me emrin “Vera v detstvo”, ku mund të mësohet më shumë (shih këtu).
Pra autori i kësaj keqinfomate ka apeluar tek ndjeshmëria njerëzore, e cila mund të jetë më e madhe veçanërisht kur bëhet fjalë për foshnje të sëmura. E ka shpërndarë në mjedise të mbyllura dhe më pak të monitoruara. Ka përdorur fotografi të vërteta të fëmijëve të sëmurë, gjë e cila mund ta rritë ndjeshmërinë vizuale dhe ka justifikuar mungesën e transparencës me pretendime emocionale, si “jam në spital, s’kam kohë të postoj detaje”.
Si të mbrohemi si audiencë nga mashtrimet me ndihma humanitare?
Kontrolloni burimin e postimit: Verifikoni kush e ka publikuar, a është një person real apo një profil i dyshimtë (pa aktivitet, me emër të pazakontë apo me pak ndjekës)? Nëse është një faqe, a ka historik të qartë dhe të besueshëm të veprimtarisë?
Kërkoni të dhëna të plota dhe të verifikueshme: Një rast serioz duhet të përmbajë emrin dhe mbiemrin e pacientit, një përshkrim të sëmundjes, dokumentacion mjekësor, koston e trajtimit dhe xhirollogarinë bankare të regjistruar në emrin e personit të përmendur.
Shmangni postimet që nuk përmbajnë asnjë nga këto elemente ose që arsyetojnë mungesën e tyre me pretekste emocionale.
Përdorni mjetet për verifikim të imazheve
Verifiko fotografinë me anë të programit të automatizuar të kërkimit, “InnVID”. Mashtruesit shpesh përdorin fotografi të vjetra nga vende të tjera (si Rusia, India apo SHBA).
Kontrolloni nëse rasti është raportuar nga media ose platforma për verifikim faktesh
Përdorni faqet e platformave të kontrollit nga jashta apo edhe në Hibrid.info për të parë nëse është publikuar më parë një analizë mbi përmbajtjen e dyshimtë.
Mos kontribuoni financiarisht pa qenë plotësisht të bindur
Nëse keni dyshime, kontaktoni personin që ka shpërndarë postimin për të kërkuar më shumë informacione.
Konsideroni t’i dhuroni fonde vetëm përmes organizatave humanitare të regjistruara dhe me reputacion të mirë.
Raportoni përmbajtjet e dyshimta në rrjetet sociale
Në Facebook dhe Instagram, mund të klikoni “Report” dhe të zgjidhni kategorinë “Scam” ose “False Information”. Sa më shumë raportime, aq më shpejt merren masa nga platformat.