Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar
[ ARTIKULLI ]

Titull i pasaktë për presidentin e ri të Kosovës, me video që nuk përmban informacionin e pretenduar

HIBRID

Shkroi: Hyrije Mehmeti

Nëpërmjet titullit të një videoje të publikuar në YouTube, është pretenduar se është zgjidhur çështja e presidentit të ri të Kosovës.

Publikimi u bë nga kanali “NTV NEWS Albania” më 14 mars dhe për dy ditë ka gjeneruar më shumë se 20 mijë shikime. “Zgjidhet dilema! Zbulohet emri i presidentit të ri të Kosovës! Aleanca e re Rama-Kurti”, mban titullin përmbajtja.

Pse po trajtohet kjo përmbajtje?

Titulli dhe imazhi i përdorur si ilustrim në këtë video lënë përshtypjen e parë se aty do të paraqitet emri i presidentit të ri të Kosovës.

Imazhi kryesor i videos në YouTube paraqet të kombinuara fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani, presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Faktet:

Kur hapet videoja, aty nuk jepet asnjë detaj se është zgjidhur çështja e presidentit të Kosovës, siç pretendohet në titull. Në të, Jeton Halimi, i njohur si analist politik, flet për luftën në Iran dhe ndërlidhjet e saj me rajonin.

Hibrid.info ka kontrolluar në kanalin e “NTV NEWS Albania” dhe ka gjetur intervistën më të gjatë (shih këtu) nga e cila rezulton se është shkëputur edhe videoja që po trajtohet.


Në përshkrimin e llogarisë në YouTube shkruan se videoja është prodhim i NTV Televizion dhe lidhet me vegëzën “ntv.al”. Hibrid.info në disa raste ka trajtuar përmbajtje të kësaj medie (shih këtu, këtu dhe këtu)


Përveç faktit që nuk citohet askush, titulli e paraqet si punë të kryer zbulimin e emrit të presidentitit. Por, bazuar në faktet aktuale, kjo nuk qëndron.

Më 5 mars, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë për të zgjedhur presidentin e ri. Atë ditë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prezantoi dy kandidatura, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun. Seanca u ndërpre pa nisur votimi në mungesë kuorumi (shih këtu).

Më 6 mars, presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, me arsyetimin se nuk është përmbushur afati kushtetues që 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, të zgjidhet presidenti i ri (shih këtu).

Kryeministri Albin Kurti dhe LVV kanë çuar dekretin për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese (shih këtu).

Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme duke ndaluar çdo veprim të presidentes në lidhje me dekretin dhe çdo veprim të Kuvendit, deri më 31 mars 2026 (shih këtu).

Pra, faktet tregojnë se çështja e zgjedhjes së presidentit është pezull dhe nuk është e përfunduar.

Analiza:

Një video e publikuar nga kanali “NTV NEWS Albania” në YouTube pretendon përmes titullit se është zbuluar emri i presidentit të ri të Kosovës.

Megjithatë, në përmbajtje nuk jepen informacione të tilla, por diskutohet për luftën në Iran dhe ndikimin në rajon.

Faktet tregojnë se procesi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë është ende i pezulluar dhe nuk ka përfunduar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere