Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë periudhës 16–21 shkurt, monitorimi i keqinformimit në media dhe rrjete sociale tregon se kanë dominuar lajmet e rreme. Nga pesë raste të trajtuara, dy prej tyre rezultojnë të jenë lajme të rreme, të shpërndara kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.
Gjatë kësaj periudhe, lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në rrjete sociale dhe në faqe të dyshimta online, pa burime të verifikueshme dhe jashtë mediave kredibile. Këto përmbajtje janë shpërndarë në formë postimesh me imazhe dhe mbishkrime manipuluese, duke synuar të duken si deklarata të vërteta nga figura publike. Sa i përket temave, ato kanë qenë kryesisht politike dhe të lidhura me figura të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare. Një rast ka të bëjë me një pretendim të rremë se Bill Clinton ka deklaruar mbështetje për Hashim Thaçin, duke e paraqitur atë si “të pastër” dhe duke e lidhur këtë deklaratë në mënyrë të pavërtetë me një medium prestigjioz. Tema tjetër lidhet me politikën e brendshme në Kosovë, ku është pretenduar në mënyrë të rreme se Albin Kurti ka kritikuar Besnik Bislimin për procesin e dialogut me Serbinë dhe ka ndryshuar qëndrimin ndaj tij në funksionet qeveritare. Në të dy rastet, temat synojnë të ndikojnë perceptimin publik për lidershipin politik, proceset e dialogut dhe raportet ndërkombëtare, duke krijuar konfuzion dhe duke nxitur interpretime të gabuara të zhvillimeve aktuale.
Në kategorinë e mashtrimit dhe dezinformatës, përmbajtjet janë publikuar kryesisht në rrjetet sociale si Facebook dhe TikTok, duke përdorur imazhe të manipuluara ose të gjeneruara me inteligjencë artificiale për të rritur besueshmërinë e pretendimeve. Tematikisht, këto raste janë fokusuar në çështje të ndjeshme politike dhe institucionale. Njëri rast lidhet me një “dekret” të pretenduar të Hashim Thaçit për çështjen e 24 hektarëve të Manastirit të Deçanit, duke synuar të ndikojë perceptimin publik mbi vendimmarrjen institucionale dhe raportet shtet–komunitet fetar, ndërsa tjetri paraqet një ballinë të manipuluar të një gazete të rreme gjermane që synon diskreditimin e Albin Kurtit dhe krijimin e një imazhi të rremë për qëndrimet e mediave ndërkombëtare. Në të dy rastet, përmbajtjet janë ndërtuar për të nxitur reagime emocionale, për të dëmtuar besimin në institucione dhe për të përhapur narrativa të pavërteta rreth zhvillimeve politike në vend.
Një dezinformatë në formë clickbait është publikuar në YouTube nga kanali “NTV NEWS Albania”, ku përmes titullit pretendohet se është zbuluar emri i presidentit të ri të Kosovës. Megjithatë, përmbajtja e videos nuk lidhet fare me këtë pretendim, pasi trajton zhvillime rreth luftës në Iran dhe ndikimin në rajon. Ky rast tregon përdorimin e titujve mashtrues për të tërhequr klikime, në një kohë kur procesi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë ende nuk ka përfunduar.
Mashtrim/Dezinformatë
Në rrjetet sociale Facebook dhe TikTok janë publikuar imazhe që pretendojnë të paraqesin një “Dekret” të nënshkruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit. Postimet sugjerojnë se dokumenti është autentik dhe tregon veprime zyrtare të Thaçit. Pas verifikimit të fakteve, Hibrid.info nuk ka gjetur prova që konfirmojnë ekzistencën e një dekreti të tillë. As në postimet e ish-presidentit, as në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës nuk ka të dhëna që vërtetojnë se Thaçi kishte nënshkruar një dekret për këtë çështje. Gjithashtu, analiza e imazheve me platformën HiveModeration.com tregoi se ato mund të jenë gjeneruar nga IA. Kurse, krahasimi i nënshkrimit në imazhe me dokumente të vërteta të nënshkruara nga Thaçi tregoi se nënshkrimi nuk i përket ish-presidentit. (këtu)
Dezinformatë/Clickbait
Një video e publikuar nga kanali “NTV NEWS Albania” në YouTube pretendon përmes titullit se është zbuluar emri i presidentit të ri të Kosovës. Megjithatë, në përmbajtje nuk jepen informacione të tilla, por diskutohet për luftën në Iran dhe ndikimin në rajon. Faktet tregojnë se procesi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë është ende i pezulluar dhe nuk ka përfunduar. (këtu)
Mashtrim
Është publikuar një imazh që duket si ballina e një gazete gjermane me titullin kryesor “Kommunismus kommt wieder zurück in Kosovo” dhe një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me mbishkrimin “Albin Kurti eine Serbische spion”. Postimet sugjerojnë se përmbajtja është reale dhe se lajmi është raportuar nga mediat ndërkombëtare. Pas verifikimit të fakteve, Hibrid.info ka konfirmuar se imazhi është i manipuluar vizualisht dhe nuk paraqet një gazetë reale. Nuk është gjetur asnjë gazetë gjermane me emrin “BALD”. Dizajni dhe formati i imazhit i ngjajnë gazetës “BILD”, por përmbajtja është e manipuluar. Në fakt, përmbajtja është krijuar me një aplikacion gjenerues online, ku mund të ngarkohen fotografi dhe të shtohen tituj për të formësuar një ballinë gazetash sipas dëshirës. Ky gjenerator, sipas chatbot-ëve, ka për qëllim argëtimin dhe satirën, dhe jo publikimin e lajmeve të vërteta. (këtu)
Lajm i rremë
Është publikuar një imazh i Bill Clinton, i shoqëruar me një mbishkrim që pretendon se ai ka deklaruar se Hashim Thaçi është “plotësisht i pastër” dhe se një dënim i tij do të ishte “goditje e madhe për SHBA-në”. Postimi gjithashtu pretendon se kjo deklaratë është bërë për mediumin The Washington Post. Pas verifikimit të fakteve, Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë dëshmi që Bill Clinton të ketë bërë një deklaratë të tillë publikisht. Nuk ekziston asnjë publikim i kësaj natyre në The Washington Post apo në ndonjë medium tjetër kredibil. Kërkimet online dhe verifikimi i burimeve të besueshme nuk kanë nxjerrë asnjë informacion që e konfirmon këtë pretendim. (këtu)
Është publikuar një imazh ku shihen Albin Kurti dhe Besnik Bislimi, i shoqëruar me një mbishkrim që pretendon se Kurti ka deklaruar se Bislimi ka “negociuar keq” me Petar Petkoviq dhe se për këtë arsye nuk e ka emëruar më Bislimin as si zëvendëskryeministër e as si ministër. Në të njëjtin mbishkrim pretendohet gjithashtu se Kurti i ka cilësuar si gabim marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë. Pas verifikimit të fakteve, nuk është gjetur asnjë dëshmi që Albin Kurti të ketë bërë një deklaratë të tillë publikisht. Nuk ekziston asnjë njoftim zyrtar apo raportim në media kredibile që e konfirmon këtë pretendim. (këtu)